Mënyrat e votimit si dhe të dhënat e sondazheve që nga viti i kaluar sugjerojnë se BE-ja po lëviz drejt një kuptimi më etnik, të mbyllur dhe ksenofobik të “europianizmit”, ta cilat edhe mund ta minojnë përfundimisht projektin evropian, shkruan mediumi “The Guardian”.
Një raport të cilin ky medium ka siguruar qasje argumenton se “bardhësia” e dukshme e politikës së BE-së, angazhimi i ulët i të rinjve dhe pro-europianizmi i kufizuar në Evropën Qendrore dhe Lindore mund të formojnë një ndjenjë evropiane që është në kundërshtim me vlerat thelbësore origjinale të bllokut.
Mirio Draghi ka argumentuar nevojën për rinovim urgjent për ekonominë e bllokut, e cila po humbet avantazhin e saj konkurrues,” ka pohuar Pawel Zerka, autori i raportit dhe një studiues i lartë në ECFR.
Por nëse ekonomia është motori i BE-së, atëherë ‘ndjenja evropiane’ duhet të shikohet si karburanti i tij. Dhe ajo që po ndodh aktualisht me ndjenjën evropiane kërkon vëmendje urgjente – përndryshe rrezikojmë të na mbarojë karburanti ose të përdorim karburant të ndotur. Zerka e definon “ndjenjën evropiane” si ndjenjën e përkatësisë në një hapësirë të përbashkët, ndarjen e një të ardhmeje të përbashkët dhe pranimin e vlerave të përbashkëta, të cilat ai i identifikon si universalizmi, barazia dhe sekularizmi – dhe argumenton se këto janë duke u sfiduar gjithnjë e më shumë.
Pavarësisht një viti me luftëra dhe zgjedhje, raporti – i bazuar në analizën e të dhënave dhe kërkimin e studiuesve socialë dhe politikë në të gjithë Evropën, pohon se anketat tregojnë se një numër i madh qytetarëve pothuajse ne çdo shtet anëtar të BE-së vazhdojnë të besojnë në bllok, janë optimistë për të ardhmen e tij dhe ndihen të lidhur me të. Kjo ndjenjë e fortë evropiane ishte evidentuar gjithashtu edhe nga një përqindje relativisht e lartë prej 51% në zgjedhjet e këtij viti për Parlamentin Evropian, si dhe nga fakti që një shumicë e madhe e 27 qeverive kombëtare mbeten pro-evropiane në pikëpamje dhe politikë.
Megjithatë, po shtohet numri në rritje i njerëzve që ndihen “të përjashtuar”, “të zhgënjyer” ose “të painteresuar” për BE-në, veçanërisht njerëzit me ngjyrë dhe myslimanët, njerëzit në Evropën Qendrore dhe Lindore. Në këtë studim, thuhet se evropianët me ngjyrë janë përballur me një rritje të madhe të narrativeve ksenofobike që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, me myslimanët shpesh duke u ndier të alienuar nga mbështetja e shumë qeverive për Izraelin.
Po ashtu, fitorja e partive të ekstremit të djathtë në zgjedhjet evropiane në Francë, Itali, Belgjikë, Austri dhe Hungari, si dhe rezultatet e forta në Holandë dhe Gjermani, kanë nxitur gjithashtu një rritje të ndjeshme të diskursit anti-imigracion. Ky raport ka vënë në pah edhe “diversitetin e kufizuar brenda institucioneve evropiane,” duke e potencuar faktin se vetëm 3% e deputetëve të Parlamentit Evropian janë nga pakicat racore dhe etnike, krahasuar me 10% të popullatës së BE-së, si dhe se shumë vende kanë dështuar të propozojnë ndonjë kandidat që nuk e plotëson “kriterin racor”.
Raporti përmend debatin në Gjermani rreth një plani ekstrem të djathtë për të deportuar kërkuesit e azilit dhe qytetarët gjermanë me origjinë të huaj, përdorimin e tropeve anti-myslimane nga parti si AfD dhe Liga e Italisë, si dhe gradualizimin e një “botëkuptimi ksenofobik”.
Paradoksalisht kjo “bardhësi’ e Parlamentit Evropian qëndron në kundërshtim me përbërjen e kampionateve evropiane të futbollit, Lojërave Olimpike të verës apo konkursit të këngës Eurovision” – megjithëse ka një reagim të ekstremit të djathtë ndaj, për shembull, këngëtares Aya Nakamura, shkruan Zerka.
Ndërkohë, pro-evropianizmi i zbehtë në Evropën qendrore dhe lindore po bëhet gjithnjë e më shqetësues, me pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhjet evropiane nën 40% në shtatë nga 11 vendet e rajonit. Të dhënat sugjerojnë se disa evropianë të qendrës dhe lindjes janë të zhgënjyer me përfitimet reale të anëtarësisë në BE, ndërsa rezultatet e zgjedhjeve në vende si Sllovakia, Republika Çeke dhe Kroacia treguan normalizimin në rritje të euroskepticizmit.
Çuditërisht, ndonëse sondazhet vazhdimisht tregojnë se votuesit e rinj janë më pro-BE dhe tolerantë se brezat e vjetër, përsëri të njëjtit treguan një interes të kufizuar për zgjedhjet evropiane dhe, kur votuan, shpesh e bënë këtë për radikalët e djathtë ose të majtë.
AfD zuri vendin e dytë mes votuesve të rinj gjermanë në zgjedhjet evropiane të këtij viti, ndërsa në Poloni, radikalët e djathtë të Konfederatës fituan votën e të rinjve me rreth 30%, dhe në Francë, një e treta e të rinjve votuan për Tubimin Kombëtar (RN).
Zerka sugjeron se ky fakt reflekton një ndjenjë të mos përfaqësimit nga forcat politike të estabilishmentit, të cilat shpesh shihen si “parti të brezit të lindjes,” dhe paralajmëron se një ndjenjë e “mos dëgjueshmërisë” rrezikon që të rinjtë të shkëputen nga BE-ja ose madje ta refuzojnë atë. Ky studiues, pohon se për ta përballuar këtë sfidë, partitë duhet të diversifikojnë urgjentisht bazën e tyre të votuesve dhe anëtarësinë. Vendet mund të ndjekin shembujt e Austrisë, Belgjikës dhe Gjermanisë duke ulur moshën e votimit, dhe politikanët duhet të diskutojnë shumë më tepër me të rinjtë.
Politikanët pro-evropianë duhet të “kundërshtojnë tundimin për të qëndruar të heshtur mbi … migrimin dhe diversitetin për përfitime të shkurtra zgjedhore”, të dënojnë ksenofobinë dhe të shpjegojnë votuesve se disa qëndrime mund të minojnë paqen sociale në shoqëri të diversifikuara. Kurse identiteti qytetar i BE-së duhet të forcohet duke shpjeguar BE-në si “një forcë për ndryshim pozitiv,” duke përmbushur çështje si ekonomia, siguria dhe ndryshimet klimatike, por gjithashtu duke u marrë me shqetësimet rreth migrimit, argumentoi Zerka. Përfundimisht, nëse një numër në rritje evropianësh arrijnë në përfundimin se BE-ja nuk i përfaqëson dhe nuk reflekton shqetësimet dhe vlerat e tyre, ky hulumtim paralajmëron se ndjenja pro-BE mund të shembet plotësisht. Në mënyrë alternative ajo munds shpërtheje, por në një “formë të mbyllur dhe ksenofobie”./tvarbëria/
Përgaditi: Afrim Kasolli