Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po braktis Gjermania Kurtin pas realizmit të interesave të saj?

A po braktis Gjermania Kurtin pas realizmit të interesave të saj?

 

Shkruan : Afrim Kasolli

Ka qenë e ditur prej kohësh, që shteti i Gjermanisë, ishte njëri nga vendet kryesore mbështetëse të Albin Kurtit, që nga koha kur ishte në opozitë. Ka lobuar dhe është angazhuar më çdo kusht për forcimin e tij politik kundër partive “tradicionale”.

Kjo simpati madje është vërejtur edhe në artikujt që në atë kohë dominonin në shtypin gjerman, për rolin e tij. Albin Kurti dhe Vjosa Osmanit, sipas disa mediave gjermanisht folëse, kishin para vetës disa detyra heroike, të ngjashme me ato të Herkulit, për ta nxjerr Kosovën nga moçali i korrupsionit dhe krimit ku e kishin katandisur deri në atë kohë partitë tjera qeverisëse.

Këtë raport e kishte konfirmuar edhe njëri nga protagonistët kryesor politik të asaj kohe, ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ai kujtonte në një interviste për mediumin Nacionale, se si ish zv ambasadori gjerman, sillej si një nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në zyret e LDK-së, duke e rekomanduar edhe këtë të fundit, se tash e tutje duhet më shumë të orientohet nga vendet evropiane dhe jo nga Amerika.

Nëpërmjet kësaj marrëdhënie të sinkronizuar si duket të dy palët kalkulonin për t’i realizuar interesat reciproke, ku Kurti synonte që nëpërmjet mbështetjes gjermane ta kompensonte mungesën e raporteve me SHBA-të, kurse gjermanët nëpërmjet forcimit të Kurtit ta minonin ndikimin e Amerikës në Kosovës, si e pjesë e planeve me të gjëra strategjike për ta minuar atë në tërë Evropën dhe forcimit të bashkëpunimit me Rusinë. Kjo ka qenë kështu, deri sa nuk ndodhi intervenimi brutal i Rusisë në Ukrainë, luftë kjo që i prishi edhe shumë nga lidhjet biznesore në mes shumë vendeve të BE me Moskën.

Mirëpo,si duket muaji i mjaltit ndërmjet këtyre aleateve po zbehet dita ditës. Këtë konfirmojnë qëndrimet e të dërguarit të posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Madje i njëjti edhe kohë më parë ishte shprehur kritik ndaj sjelljeve të Qeverisë së Kosovës, kur kishte deklaruar se “rruga qo po ndjek Kurti mund të mos jetë e mirë për afrimin e Kosovës me BE-në”. Ndërkohë thellimin e këtyre antagonizmave e vulosi vizita e tij e djeshme kur e kërcënoi kryeministrin Kurti se ata mund të “vazhdojnë me CEFT-an edhe pa Kosovën nëse është e domosdoshme” dhe në këtë mënyrë Prishtina “vetëm mund ta bllokojë vetën”.

Prandaj, më të drejtë shtrohet pyetja a shënon kjo çarje fundin e marrëdhënieve të dikurshme idilike, pas Kurti u tregua tejet i dobishëm për interesat e shtetit gjerman?

Ai e obligoi Kosovën me planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të konkretizuar në Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e zbatimit në Ohër. Marrëveshje kjo, që i hap rrugë Serbisë në proceset integruese evropiane, pa qenë e detyruar ta njoh Kosovën dhe që e përfiton një Asociacion që i siguron njohje ndërkombëtare këtij entiteti. Kurti mund edhe ta zvarris zbatimin këtij akordi, por ai e dinë se tashmë si i tillë është një detyrim ndërkombëtar për Kosovën dhe sa më shumë që e saboton implementimin e tij, po ashtu edhe në këtë rast e izolon më shumë vetën dhe Kosovën. Po ashtu, Kurti ishte treguar njëri nga apologjetët më të dalluar të kundërshtimit të Ballkanit të Hapur në mbështetje të Procesit të Berlinit, një nisme kjo kryesisht gjermane, deri sa i pari u “varros” përfundimisht si projekt ekonomik.

Kështu, pas realizmit të këtyre dy objektivave madhore, si duket Gjermania trashmë nuk ka kohë që të humb me Kurtin, nëse nuk sillet konform logjikës ekonomike të CEFT-as. Sepse tashmë është koha e makro-investimeve në Serbi, për përfitimin e litiumit si pjesë e interesave të saj për ta përballuar konkurrencën kineze në industrinë e makinave elektrike. Prandaj, po e paralajmëron Kurtin, që ose të sillet në pajtim me arsyet që e kanë përkrahur ardhjen e tij në pushtet, ose të mund përballet me pasoja. Sepse në lojë janë interesa shumë më madhore gjeo-ekonomike globale se sa trillet e tij politike.

/TV Arberia

Powered by WordPress