Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Bedri Hamzën për zgjedhjen e tij si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Kurti ka theksuar rëndësinë e proceseve zgjedhore brenda partive dhe bashkëpunimit të ndërsjellë të të gjitha forcave politike në shërbim të interesit publik.
“Do të vazhdoj angazhimin për bashkëpunim korrekt, në përputhje me vullnetin e qytetarëve, dhe me përgjegjësitë që na i kërkon shërbimi ndaj Republikës,” shkruan Kryeministri.
Ndërkaq, dje në emisionin Pressing, Hamza ka deklaruar se nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.
“Unë asnjëherë nuk kam vendosur vija të kuqe dhe, siç e pamë edhe në zgjedhjet e fundit, të gjithë u bënë bashkë. Duhet të jemi të përgjegjshëm para interesit të vendit dhe gjithmonë të veprojmë në dobi të tij,” tha Hamza.
Ndërsa kryetarët e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe të AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk e kanë uruar ende Hamzën, urimi i Kurtit shihet si një surprizë e madhe. Kjo ngre edhe dilema politike: A do ta uronte albin kurti hashim thaqni apo kadri veseli ne krye te PDK-së? /TVArbëria