Fjalimi i Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë në konferencën e djeshme “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE” të mbajtur në Shkup, më shumë se për drejtuesit e njërit prej shteteve të Ballkanit Perëndimor, po ashtu duhet të kuptohet edhe si një paralajmërim për qytetarët e këtyre vendeve.
Kurse, për shkak të kontekstit aktual politik ai nuk ishte si të mos kuptohet edhe si një thirrje e drejtuar shumë qartë edhe për qytetarët e Kosovës, duke treguar se tash e tutje edhe ata do të jenë përgjegjës politikisht në zgjedhjen e liderëve të tyre me anë të procesit demokratik.
Sepse në fund të atij fjalimi zyrtari i lartë i administratës amerikane pohoi se “nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit”.
Pra që nëse këta të fundit pajtohen me gjendjen atëherë nuk mund t’u ndihmojë as Amerika, as askush. Thjesht kjo është zgjedhja e tyre.Mirëpo, këtu duhet kujtuar që kjo nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet përafrueseve të tyre i dërgojnë mesazhe të tilla të ngjashme qytetarëve të Kosovës.
Jo shumë kohë më parë, Emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pat pohuar se “nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysëm do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës”.
Ngjashëm edhe kjo deklaratë më shumë se kritike ndaj ekzekutivit ishte e drejtuar ndaj qytetarëve të Kosovës. Diplomati amerikan, u tregonte këtyre të fundit se të zgjedhurit e tyre kanë hyrë në një kurs antagonist me komunitetin euro-atlantik dhe se tash e tutje edhe ata do të jenë përgjegjës politikisht si bashkësi demokratike për qëndrime të tilla shtetërore.
(Këtu duhet bërë dallimin ndërmjet përgjesisë si solidaritet politik dhe fajit si akt i individual). Prandaj, është në vullnetin e tyre se a do të pajtohen apo do t’i kundërshtojnë përfaqësuesit e zgjedhur për rrugën që janë duke ndjekur.
Në fund të fundit, në demokraci liderët nuk pikin nga qielli, as nuk janë të emëruarit e Zotit, por janë shprehje e aspiratave, orientimit dhe vullnetit politik shoqëror. Kështu, pasojat e aksioneve të tyre si për mirë ashtu edhe keq, nuk i prekin vetëm të parët por edhe shoqërinë si tërësi. Për të mos thënë se këtë te fundit shumë më shumë se sa liderët.
/TV Arbëria