Shkruan: Afrim Kasolli
Lidhja Demokratike Kosovës është duke u shfaqur me të madhe para opinionit publik gjatë kësaj fushate zgjedhore, si partia që e ka çelësin magjik për përmirësimin e jetës ekonomike në vend. Një numër i zyrtarëve të saj janë duke premtuar se nëse kjo parti nëse i fiton zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, atëherë sfera ku më shumti do të vëreheshin efektet e saj qeverisëse do te jetë ekonomia.
Sipas tyre, “rritja mesatare vjetore do të ishte prej 5 për qind”. Dhe ky synim makro-zhvillimor do të arrihej pa i rritur taksat, por vetëm duke tërhequr investimet e huaja. Berat Rukiqi nga kjo parti ka deklaruar “se në vitin e dytë të qeverisjes do të vëreheshin këto ndryshime, sepse tash po themi e trashëgojmë nga qeveria aktuale”.
Këto zotime i ka përsëritur edhe kandidati për kryeministër i kësaj partie, Lumir Abdixhiku. Ai ka deklaruar se do të ketë 5 për qind rritje ekonomike si dhe buxheti do të rritet në 5 miliardë euro. Ndërkohë, i njëjti ka premtuar se gjatë mandatit të tij qeverisës “vlera e investimeve kapitale do te jetë deri në 5 miliardë euro”
Se sa kanë bazë këto premtime dhe sa mund te realizohen mbetet “mister”, sepse diskutime të kësaj natyre i takojnë më shumë fushës ekonomike. Mirëpo, sipas parashikimeve të Bankës Botërore, rritja ekonomike në Kosovë “këtë vit do të jetë 3.8 për qind, ndërkaq trendi i rritjes do të vazhdojë edhe më 2025 në 3.9 dhe një vit më vonë në 4 për qind. (Pra është fjala për vitin 2026, vit ky për të cilin LDK-ja po premton se rritja do të jetë 5 për qind).
Sipas këtij institucioni ky trend i rritjes ekonomike do t’i shoqërojë edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Pra për vitin 2025 ajo do të jetë dikund 3.7 për qind apo 0.2 pikë të përqindjes më e lartë sesa paraprakisht ishte parashikuar.
Për Bankën Botërore arsyet e kësaj logjike qëndrojnë te faktorët strukturorë që aktualisht dominojnë në rajon, sikur ekspozimi i ndaj “rreziqeve politike, ngjarjet ekstreme të motit, inflacioni”. Në këtë kontekst, është iluzore që një shtet si Kosova i ballafaquar edhe me sfida më të mëdha dhe të veçanta se sa të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, të jetë në gjendje t’i tejkalojë 5 shtetet tjera rajonale sa i përket rritjes ekonomike. Madje para pak dite, i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, kishte deklaruar se shumë kompani gjermane po investojnë në Serbi.
Në këtë mënyrë, nëse bëhen realitet këto zotime të LDK, atëherë Kosova do të ishte vendi i parë në rajon që i sfidon prognozat e Bankës Botërore mbi rritjen ekonomike. Mirëpo, në këtë drejtim një sfidë madhore mbetet veçanërisht ndalja e trendëve të imigrimit të fuqisë punëtore drejt vendeve perëndimore. Sepse pa korrigjim të kësaj dukurie vështirë të priten investime të jashtme. E siç dihet numri më i madh i atyre që kanë emigruar deri më tani nga Kosova drejt BE-së janë vitet 2015-2016, pikërisht kohë kjo kur LDK e kishte drejtuar Qeverinë e Kosovës.
Mbase, atë “hemorragji kombëtare” tash zyrtarët e kësaj partie nuk do ta interpretojnë si paaftësi qeverisëse të ish-kryemistrit Mustafa, apo konspiracion të partive tjera për dëmtuar imazhin qeverisës të LDK-së, kur i erdhi shansa për herë të parë në Kosovën e pas luftës që ta drejtonte ekzekutivin. /tvarbëria/