Gëzim Krasniqi, kandidat i PDK-së për kryetar të komunës së Malishevës, është pyetur nëse mund t’ia dalë përballë Nismës Socialdemokrate që qeveris që 12 vite në këtë komunë.
Krasniqi ka thënë se qytetari nuk duhet ta ketë brengën kush po qeveris në komunë dhe se s’duhet t’ia mbajë brengat një njeriu të caktuar.
“Fakti që e ka qendrën në Malishevë tregon për kapacitetet e një partie. E dyta një komunë nuk mundet me mbajtë gjallë një parti. Qytetari nuk e ka obligim me mbajtë dertin e njerëzve të caktum në politikë, a mbesin a shkojnë. Për qytetarin është me rëndësi jeta, mirëqenia dhe përparimi. Qytetari i Malishevës nuk duhet ta ketë brengën qysh e ka emrin kryetari i komunës, por ku po shkojnë taksat e tyre, çka po përfiton prej tyre.
Qytetari i Malishevës duhet ta ketë një të ardhme më të mirë, të marrin shërbime shëndetësore të dinjitetshme, të dinë ka po shkojnë parja e tyre publike”., ka thënë Krasniqi në N’Pult me Resim Morinën në TV Arbëria.