Shkruan: Afrim Kasolli
Që nga shpërthimi i luftës totale në Ukrainë për shkak të invazionit brutal rus, nuk mund të mohohet fakti se ka dominuar një qëndrim më tolerant nga komuniteti trans-atlantik në raport me Serbinë. Si për shkak të shitjes së armeve për ushtrinë ukrainase ashtu edhe qëndrimit për ta njohur integritetin territorial të atij shteti, duke e vendosur sa i përket kësaj teme Beogradin në një pozicion antagonist me qëndrimin zyrtar të Kremlinit, BE dhe SHBA e kishin mbyllur njërin sy edhe përkundër faktit se Serbia nuk i ishte bashkuar Perëndimit për sanksionimin ndërkombëtar të Rusisë.
Ndërsa Kosova edhe pse ishte treguar solidare pa asnjë kusht me luftën mbrojtëse të Kievit, megjithatë për shkak të mungesës së levave gjeopolitike nuk është se kishte përfituar shumë nga ky pozicion shtetëror. Madje nuk ishte e rastësishme që edhe zyrtarë të lartë qeveritarë ukrainas në mes të Beogradit e kishin falënderuar publikisht liderin serb Aleksandër Vuqic, për rolin e tij në luftën mbrojtëse të atij shteti kundër agresionit militar rus
Mirëpo, si duket vendosmëria e Vladimir Putinit për ta vazhduar deri në fund atë luftë mund t’i ndërrojë “rregullat e lojës”. Refuzimi i ofertave të deritanishme për armëpushim të bëra nga presidenti Trump, tashmë e kanë bindur këtë të fundit, se nuk ka mbetur asnjë opsion në tavolinë, pos shtimit deri në ekstrem të presioneve ekonomike dhe diplomatike mbi Moskën në mënyrë që ajo të detyrohet të gjynjëzohet. Sanksionet e reja mbi dy kompanitë më të mëdha të naftës ruse – Rosneft dhe Lukoil, nga aktiviteti tregtar i të cilave sipas mediave ndërkombëtare sigurohet deri në 30 për qind të buxhetit, janë vetëm disa nga hapat e fundit në këtë drejtim. Po ashtu edhe BE-ja është zotuar se deri në vitin 2027 varësia e kontinentit nga burimet energjetike ruse do të jetë zero. Dhe nuk ka dyshim se implikimet kryesore të kësaj politike në radhë të parë do të manifestohen në Serbi.
Tashmë kompania kryesore e naftës NIS është sanksionuar nga SHBA-të, për shkak se Rusia është pronarja shumicë e kompanisë. Si pasojë e këtij ndëshkimi ekonomistët kanë paralajmëruar shtim te presioneve financiare për qytetarët serbë, çfarë do ta rëndojnë edhe më shumë regjimin e Alekasndër Vuqicit, i cili edhe ashtu ka kohë qe po perballet me protesta masive qytetare. Tashmë i vetmi sukses i tij me te cilën do të mundohet ta ushqejë me retorike nacionaliste elektoratin në Serbi, mbetet fitorja e Listës Serbe në zgjedhjet lokale në Kosovë në komunat me shumicë serbe. Por edhe kjo lojë, nëse shteti i Kosovës nuk bie në grackë, siç e deshmoi në rastin e Bosnjes dhe Hercegovinës margjinalizimi publik dhe institucional i Milorad Dodik-ut, figures kryesore në minimin e Marrëveshjes së Dejtonit, për shkak të presionit amerikan, nuk mund të luhet pafundësisht.
Por nuk janë vetëm keto çështje që SHBA-të kanë dallime me Serbinë sa i përket rolit të saj në rajon. Për Uashingtonin sot Kina mbetet rivali i tyre kryesor gjeopolitik global. Dhe siç kanë paralajmëruar shumë analistë, që Beogradi të ketë raporte bashkëpunimi me SHBA-të, duhet të bëjë kompromise të dhimbshme edhe në këtë pikë.
Janë këto dinamika të reja që nëse dinë të shfrytëzohen nga Kosova do t’i krijonin një pëparësi serioze në raport me Serbinë.