Shkruan: Afrim Kasolli
Një sërë diplomatësh dhe burrështetas perëndimorë, gjatë vizitave të fundit në Prishtinë, kanë deklaruar se është urgjente detyrimi për krijimin e institucioneve të reja të dalura nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Këtë qëndrim fillimisht e kishte shprehur, Sekretari i NATOS-së, Mark Rutte. Madje i njëjti pak ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, në një deklaratë të pazakontë politike për postin që e mban, pat pohuar se qytetarët e Kosovës, duket që kanë votuar për një qeveri të koalicionit. Ndërkohë, pro përshpejtimit të krijimit të institucioneve u deklarua edhe Sekretarit i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy. Në këtë linjë është edhe pozicioni i shefes së Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas. Kuptohet, një thirrje e tillë është e lidhur me agjendën e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Sipas të gjithë këtyre emrave të sipër përmendur, tashmë tensionet në rajon po galvanizohen dita-ditës, prandaj ringjallje a procesit negociator, ndërmjet këtyre dy vendeve është shtruar si detyrë primare. Natyrisht, ka edhe vatra tjera të nxehta gjeopolitike në rajon, sikur ajo në Bosnje-Hercegovinë.
Po ashtu edhe Maqedonia e Veriut dita ditës është duke rrëshqitur në drejtim të acarimit të raporteve ndër-etnike, si dhe është bllokuar sa i përket agjendës integruese për shkak të telasheve me Bullgarinë. Kurse, në Mal të Zi, formacionet pro ruse janë fuqizuar tej mase. Alarmin për këtë përkeqësim të situatës së sigurisë rajonale e dha para pak ditë vetë shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas. Ndërkaq, top-diplomati britanik, në një intervistë për mediumin Politico, ka pohuar se shtimi i tensioneve të tilla është pjesë e skenarëve të Kremlinit, me qëllim për ta defokusuar vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë, në zona tjera nevralgjike politike. Duke qenë se Ballkani Perëndimor paraqet një vatër të tillë, atëherë çdo shkëndijim i konflikteve të pazgjidhura do të ishte një skenar ideal për Putinin. Nuk do mend se shteti i vetëm i cili mund të shndërrohet në trampolinë të kësaj skeme është Serbia. Madje, vizita e Patriakut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije dhe deklarimet e tij para Putinit, janë dëshmia e fundit, se ky shtet as nuk e ka ndërmend të divorcohet nga Rusia. Ndërkaq, kryetari i Serbisë, ka paralajmëruar se do të marr pjesë në paradën e “Ditës së Fitores” të Vladimir Putinit në Moskë, muajin e ardhshëm.
Mirëpo, në anën tjetër, ekziston rreziku që edhe politika në Kosovë me vonesat në krijimin e institucioneve të reja, për t’iu përgjigjur kësaj ftese me dashje apo pa dashje, mund ta pozicionojë vetën në aspektin diplomatik në kundërshtim me këto shqetësime perëndimore. Sepse i kontribuon zvarritjes së gjendjes aktuale. Askush nuk ka iluzione se edhe po të rifillojë që nesër ky proces mund të tejkalohet ngërçi aktual. Apo se do të davariten telashet sa e hap e mbyll sytë. Përkundrazi, deri më tash kanë ndodhur shumë gabime në dialog. Këtë e ka pranuar edhe vetë Kaja Kallas. Madje, ajo është zotuar, se duhet të korrigjohen këto gabime, ndonëse nuk e ka bërë të qartë se për çka është fjala. Por edhe këto të fundit nuk mund të korrigjohen ndryshe pos duke qenë aktiv në këtë proces me institucione legjitime. Sepse aktualisht këto të fundit janë pa mandat. Takimi i sotëm i të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Peter Sorensen me udhëheqësin e ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi është vetëm informativ, sikur herën e parë. Por nuk mund të ketë peshë tjetër.
Prandaj, është imperative që të shmanget percepcioni perëndimor, se Kosova ngjashëm si Serbia po i kontribuon zhagtijes së këtij procesi. E para për shkak të afërsisë me Rusinë. Kurse e dyta sepse nuk ka instanca për vendimmarrje. Në këtë situatë ajo do ta gjente vetën lehtësisht në orbitën e interesave anti-perëndimore. Dhe ky relativizëm i përgjegjësisë, siç është dëshmuar deri më tani, është shumë me fatal për Prishtinën se sa për Beogradin.