Shkruan: Afrim Kasolli – Konflikti ndërmjet Izraelit dhe grupit militant politik të Hamasit i cili mori shkas nga sulmi i këtij të fundit mbi në shtetin e Izraelit më 7 tetor, duke lënë mbi 1400 viktima civile si dhe reagimi i Forcave Mbrojtëse të këtij shteti kundër pozicioneve të Hamasit në rripin e Gazës, duke shkaktuar me shumë se 2000 viktima, ka ngritur alarmin për involvimin edhe të shteteve tjera rajonale në këtë luftë. Madje janë shtuar zërat se në këtë vorbull luftarake mund të përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndonëse pa dëshirën dhe vullnetin e tyre.
Para pak ditë aeroplanmbajtëset amerikane të dislokuara në Detin Mesdhe u mbrojtën nga disa raketa sulmuese të lëshuara në drejtim të tyre, nga grupi rebel Houthi i Jemenit. Po ashtu, dy baza ushtarake amerikane në Siri u sulmuan nga distanca. E njëjta gjë ndodhi edhe në Irak.
Pra siç shkruan CNN, mbase Gaza mund te jete vendi ku aktualisht konfliktit është duke u zhvilluar në një intensitet jashtëzakonisht të ashpër, por ai në të vërtet po gëlon në gjithë rajonin. SHBA-të më dislokimin e grupit të dytë anijeve luftarake Mesdheun Lindor, e kanë bërë të qartë synimin e tyre për ta parandaluar Iranin dhe aleatin e tij në Siri grupin e Hezbollahut për të hapur një front të ri kundër Izraelit. Ndërkohë, Presidenti i ShBA-ve përkundër mbështetjes së plotë për Izraelin në fushatën e tij kundër Gazës, megjithatë i ka bërë thirrje autoriteteve të këtij shteti që të mos rrëmbehen nga “zemërimi i verbër”.
Trupat ushtarake të SHBA janë të pozicionuar në një terren ku rivalitetet regjionale janë më theksuara së kurrë më parë. Ato ndodhen në Siri një vend ky, i ndarë në zona ndërmjet ushtrisë së Bashar Al Asadit, atyre nga Rusia, Turqia, Irani, Hezbollahu dhe fraksioneve të shumta anti-regjimit, si dhe mbetjet aktive të Shtetit Islamik. Izraeli në mënyre të vazhdueshme e ka bombarduar këtë shtet dhe atë veçanërisht aeroportet në qytetin e Alepo-s dhe Damasku-t, me synim frenimin e Iranit për të shpërndarë armë dhe pajisje tjera ushtarake. Kurse ky shtet ka prezencë edhe në Irak, ku po ashtu gjendet në masë një forcë militare e mbështetur nga Irani, e cila vepron thuajse në mënyrë të pavarur nga qeveria qendrore e Bagdadit.
Ndërkaq, pjesa më e komplikuar e kësaj vorbulle mbetet Irani. Siç shkruan CNN në artikullin “The US is dangerously close to being pulled into a Middle East war” përkundër që ShBA-të për shumë dekada kanë vendosur masa sanksionuese drakoniane kundër tij, megjithatë Teherani ia ka dalur që ta zhvillojë një koleksion të armëve të sofistikuara. Garda Revolucionare e Iranit ka përfituar një përvojë të jashtëzakonshme luftarake në Siri dhe Irak. Ajo është shndërruar në një forcë mbështetëse për grupin Houthi në Jemen, regjimin e Sirisë, Hezbollahun, Hamasin dhe Xhihadin Islamik. Ndërkohë, deri sa SHBA-ve iu duhet të shpenzojnë miliona dollarë për të dërguar ushtarët dhe marinsat e tyre në Lindje të Mesme, për pjesëtarët e kësaj Garde mjafton vetëm të kalohet gardhi dhe gjejnë veten në Bagdad, Damask apo Bejrut.
Nuk ka dyshim se SHBA-të e kanë ushtrinë me të fuqishme në planet, por debakli në Vietnam dhe në Afganistan ka dëshmuar se nuk ka siguri për një fitore të pashmangshme kur ballafaqohesh me një armik të vendosur dhe përgatitur për beteja, ashtu siç edhe janë sot shumë nga armiqtë e Amerikës në Lindje të Mesme. E që ky rrezik është më real se kurrë tregon edhe gjuha e ministrit të Punëve të Jashtme të Iranit, Hossein Amir-Abdollahi, i cili gjatë vizitës së tij në shumë kryeqytete në rajon, ka përsëritur se hapja e fronteve të reja nuk mund të përjashtohet nëse Izraeli e vazhdon ofensivën e tij në Gaza. A është kjo vetëm një retorikë e zbrazët mbetet të shihet?
Sidoqoftë, derisa lufta po vazhdon në Gaza në të njëjtën kohë Lindje të Mesme zemërimi është duke vluar. Në Jordani, Liban, Libi, Jemen, Turqi, Marok, Egjipt, dhe në shumë vende të tjera protestat kundër Izraelit po hovëzojnw. Por këto protesta janë e orientuar edhe kundër mbështetësit kryesor të tij SHBA-ve. Madje ky disponim i publikut është duke u reflektuar edhe në sjelljet e shumë prej liderëve të shumë shteteve ne Lindjeve të Mesme, që zakonisht konsiderohen si aleat të Uashingtonit. Shembull mund të merret Mbreti Abdullhah i Jordanisë dhe Presidenti i Egjiptit Abdel el-Sisi, që nuk pranuan të takohen me Presidentin Biden pas sulmit të paqartë mbi një spital në Gaza. SHBA-të mbase mund të shpresojnë ende në bashkëpunimin e liderëve autokratë, por gjendja në rrugët e rajonit është krejtësisht tjetër. Madje edhe dy liderët e sipër përmendur gjatë një takimi në Kajro deklaruan se nëse nuk ndalet kjo luftë ajo do ta përfshijë brenda saj gjithë rajonin.
Në këtë klimë shpërthyese me anijet luftarake amerikane në horizont për të penguar Iranin dhe grupet tjera militante për të sulmuar Izraelin, ku do detyroheshin të përfshihen në veprime të drejtpërdrejta nëse këto të fundit e bëjnë një gjë të tillë, atëherë më nuk mund të ketë kthim mbrapa.
Ajo që ka qenë deri më tani si konflikt i lokalizuar ndërmjet Izraelit dhe Palestinës do të eksplodojë në një kataklizëm rajonale dhe me SHBA-të në mes të saj. E kjo luftë dallon radikalisht nga ato që më herët ishte përfshirë ushtria amerikane më luftërat e Lindjes së Mesme. Pra kjo nuk është sikur në vitin 1991 kur u zhvillua fushata për të dëbuar forcat e Sadam Hyseinit nga Kuvajti, ose në vitin 2003 lidhur me inavizonin e Irakut. Këto intervenime ishin përgatitur me muaj të tërë. Atëbotë SHBA-të kishin planifikuar kohën vendin dhe shkallen e sulmit. Ndërkohë aktualisht Uashingtoni do të detyrohet të përgjigjet në një luftë që po zhvillohet në masë të madhe jashtë kontrollit të tij.
/TV Arbëria