Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > A mund të përfitojë Kosova nga de-industrializimi i Gjermanisë?

A mund të përfitojë Kosova nga de-industrializimi i Gjermanisë?

Shkruan: Agron Hoti

Sipas një artikulli të Reuters në vitin 2024 mbi 42% e kompanive gjermane planifikojnë t’i zhvendosin bizneset e tyre jashtë Gjermanisë, kjo për shkak të kostos së lartë të punës, pasigurisë gjeopolitike, dixhitalizimit dhe çmimeve të larta të energjisë, faktorë këta që po e nxisin de-industrializimin e Gjermanisë. Tendenca e de-industrializimit është në rritje jo vetëm në Gjermani, por në të gjitha vendet e zhvilluara.

“Ky është një sinjal alarmues dhe tregon se Gjermania duhet të bëhet përsëri më tërheqëse si një vend prodhimi”- kishte thënë Ilja Nothnagel, anëtar i bordit ekzekutiv të Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë në Gjermani. Sipas artikullit “rajoni i Azi-Paqësorit, duke përjashtuar Kinën, vazhdon të fitojë rëndësi, me 32% të kompanive gjermane që kanë plane për të investuar atje, nga 29% sa ishin në vitin 2023.”

Sikur Kosova të mos ishte duke u përballur me sabotazh të rëndë politik dhe ekonomik, pra e bllokuar së brendshmi dhe së jashtmi, dhe sikur të kishte pasur një politikë të mençur, do të kishte mundur të përfitonte shumë shërbime gjermane dhe firma prodhimi.

Kjo, pa asnjë dyshim, lëre që do ta kishte ndalur ikjen e rinisë dhe profesionistëve, por përkundrazi do të kishte kontribuar edhe në kthimin e shumë shqiptarëve nga diaspora si dhe do të kishte joshur punëtorë nga vende tjera për të punuar në Kosovë.

Mjerisht, mënyra se si është duke ecur Kosova, tregon se nuk do të jetë fare atraktive për absorbimin e bizneseve gjermane dhe jo vetëm. Kështu që, mjerisht po vazhdon ikja e rinisë dhe e atyre pak profesionistëve që kanë ngelur.