Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > A mund të ndikojë imazhi i Sami Lushtakut dhe Dejona Mihallit që PDK dhe VV ta humbin Prishtinën?

A mund të ndikojë imazhi i Sami Lushtakut dhe Dejona Mihallit që PDK dhe VV ta humbin Prishtinën?

Shkruan: Afrim Kasolli

Përparim Rama, kryetari aktual i kryeqytetit mund të mos jetë kandidati më i duhur për kryetar të Prishtinës edhe për një mandat katër vjeçar. Modeli i tij qeverisës tashmë i është i njohur. Ai është i karakterizuar me shumë gabime, dështime dhe afera që kanë ngjallur shumë dyshime. Mirëpo, i përzgjedhuri i LDK-së për këtë pozitë, mund të jetë kandidat serioz për ta rifituar edhe një mandat, jo aq për shkak të meritave qeverisëse se sa rrethanave përtej vullnetit të tij dhe subjektit që e përfaqëson. Me këtë nuk po them se unë jam pro këtij kandidati. Përkundrazi, personalisht jam për një opsion tjetër , të cilën do ta trajtoj gjatë ditëve në vijim.

Por ajo që Përparim Ramës mund t’i ndihmojë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në masë të madhe mund të determinohet nga zhvillimet e fundit, si në Lëvizjen Vetëvendosje ashtu edhe Partinë Demokratike të Kosovës, duke krijuar përshtypjen se këto dy parti vetëm sa janë përkujdesur për ta fuqizuar më shumë pushtetin partiak mbi institucionet publike në rastin e parë të eminencës gri Dejona Mihali dhe në të dytin të kryetarit të degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku. Kjo nuk do të thotë, së këta dy personalitete janë identike. Absolutisht, ata dallojnë si nata me ditën dhe kanë karrierë politike rrënjësisht të ndryshme. Mirëpo, mjerisht shpeshherë në politikë doxat momentale janë me të rëndësishme se sa e vërteta.
Kështu, partia fituese e zgjedhjeve nacionale në fund u përkujdes që ta ketë një kandidat për këtë pozitë si Hajrullah Ceku, pa asnjë shenjë të vullnetit autonom politik, e të dyshuar për klientelizëm partiak e familjar. Prandaj, ky emërim ka krijuar përshtypjen se vota për të nuk është asgjë tjetër , vetëm votë për t’i krijuar akses edhe më shumë Dejona Mihalit dhe komisionarëve të saj të nëntokës edhe në Komunën e Prishtinës. Qasje kjo e ngjashme me atë që e kemi parë në KEK. Ku shefi i kësaj ndërmarrje publike duhej t’i raportonte të parës për çdo zhvillim. Madje edhe si duhej të shfaqej në publik. Ka edhe raste tjera.

Kurse në PDK-situata është tjetër. Ky subjekt politik nuk ia ka dalur deri më tani ta justifikojë publikisht në frymë demokratike, mos nominimin e kryetarit aktual të Drenasit, Ramiz Lladrovci. Mjerisht u krijua përshtypja se zëvendësimi i tij u bë për shkak të konfliktit që i pari ka pasur me Sami Lushtakun. Kurse certifikimi i këtij shkarkimi u bë nga një kryesi edhe ashtu pa legjitimitet të brendshëm demokratik, ngase e njëjta nuk ka dalur nga një proces i brendshëm zgjedhor. Shto faktin se deri më tani Ramiz Lladrovci si kryetar i Drenasit është vlerësuar disa herë nga organizata vendore e ndërkombëtare sa i përket efikasitetit të qeverisjes komunale. Aktualisht dominion përshtypja se këto të fundit nuk kanë rëndësi dhe nuk ofrojnë asnjë bazë meritokratike nëse mungon amini i brendshëm i një figure të fuqishme të partisë si Sami Lushtaku. Kurse ky i fundit i ka mohuar këto akzua dhe vetëm ka shprehur dyshime me gjendjen mentale të kryetarit të Drenasit. Pretendime këto kuptohet që duhet të verifikohen nga instanca profesionale psikologjike.

E një zhvillim i tillë ka krijuar percepcionin se kandidati i PDK-së për Prishtinë është në atë pozitë, vetëm pse edhe këtij i mungon vullneti politik autonom. Natyrisht që dekori të duket i sofistikuar nuk ka munguar imazhi i mos identifikimit simbolik me llogën e PDK-së. Mirëpo, sikur vërtetë të kishte pakënaqësi të brendshme për këtë devijim partiak, Uran Ismaili asnjë ditë nuk do të mund të ishte në këtë rol. Në fund të fundit, Partia Demokratike e Kosovës, kur ia ka dalur që ta eliminojë nga gara vëllain e njërit prej figurave më heroike që është në mesin e shumë emrave meritorë edhe për shkatërrimin e ish-Jugosllavisë, atëherë asnjë telashe nuk do ta kishte me Uran Ismalin. Përkundrazi, në këtë mënyrë duket se ekziston një pajtim i brnendshëm mos identifikimi simbolik partiak, me shpresën që të fitohet ndonjë votë më shumë, me rëndësi që kandidati i saj të jetë konform grupeve drejtuese të Partisë.

Prandaj, ajo përpjekje e Uran Ismalit, për t’u shfaqur sa më shumë vetvetja, zhvillimet e fundit vetëm sa e dëshmuan se ai ekziston në këtë garë pikërisht pse nuk është i tillë. Sepse po të ishte ndryshe do ta kishte fatin e Ramiz Lladrovcit.

Janë këto defekte të sipër cekura që mund ta penalizojnë si Vetëvendosjen ashtu edhe PDK në zgjedhjet e 12 tetorit. Sepse ngjallin dyshime qytetare se të njëjtit nuk janë duke votuar për Hajrullah Çekun e Uran Ismalin, por për pushtetin në prapaskenë të Dejona Mihallit e Sami Lushtakut.

E nën anën tjetër, Përparim Rama megjithë gabimet e tij qeverisëse gjatë këtij mandati ka dëshmuar një shkallë autonomie në vendimmarrje. Madje shpesherhë në antinomi me atë partisë. Me këtë rast, ka gjasa që pikërisht kjo dobësi t’i shndërrohet atij në përparësi. /TV Arbëria