Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > A mund të na “shpëtojë” Platoni nga rezultatet e testit PISA?

A mund të na “shpëtojë” Platoni nga rezultatet e testit PISA?

Shkruan: Afrim Kasolli- Që pas publikimit të rezultatit të testit PISA ka filluar një garë e ethshme në kërkim të fajtorit. Pra se kush është përgjegjës për këtë dështim? A është Qeveria konkretisht ministria e Arsimit?, Shoqëria?, Familja? apo nxënësit?

E them me përgjegjësi të plotë, së më së paku janë fajtorë këta të fundit. Madje, është çuditshme dhe e befasishme, se çfarë  aftësie intuitive kanë shumica prej tyre për ta dalluar përkushtimin dhe profesionalizmin e një mësimdhënësi nga ai që nuk i ka këto virtyte. Fillojnë ta adhurojnë dhe identifikohen me të parin. Mjafton që atyre t’ua zgjosh parimin sokratik të vetënjohjes. T’i edukosh se potencialin e dijes e kanë brenda tyre, por vetëm u duhet që ta aktualizojnë atë. T’u tregosh se kjo mund të arrihet duke e kërkuar kuptimin e jetës me anë të mendimit dhe leximit.

Natyrisht, që në hapat nistorë të saj, kjo metodë kishte “problemet” e veta. Sepse filozofi plak i Athinës duke i edukuar të rinjtë e qytetit me këto cilësi e fitojë armiqësinë e pushtetit të kohës. Ngase ky i fundit donte t’i mbante ata në gjendjen e iluzionit të përhershëm. Nuk i konvenonte krijimi i një kulture që e afirmon refleksionin e brendshëm shpirtëror dhe moral të atyre që do të duhej të ishin e ardhmja e qytetit-shtetit.

Prandaj, edhe disa nga protagonistët më të dalluar të asaj koniunkture u organizuan dhe e inskenuan një gjyq kundër atij që kishte guxuar vetëm t’i mësonte të rinjtë se si të mendojnë për të mirën e përbashkët të tyre. Ta shndërrojnë njohjen edhe në çështje praktike në kërkim të së mirës, së drejtës dhe së vërtetës në kuadër të shoqërisë, dhe jo vetëm në përsiatje teorike për kozmosin, yjet dhe qiellin.

Ky edhe është kuptimi tradicional i termit “dije praktike”, e jo siç manipulohet sot duke e definuar atë vetëm në një instrument për t’u katapultuar në spektaklin ditor të politikës dhe mjet për dredhi ekonomike. Përkundrazi, qëllimi i dijes praktike është për të luftuar iluzionet dhe mashtrimet e këtyre dy sferave. Pra për ta shndërruar atë në art të të menduarit dhe të jetuarit.

Ndërkohë, fati tragjik i Sokratit, e bindi Platonin, se tashmë ky ideal nuk mund të realizohet, pa i themeluar paraprakisht institucione si Akademia, detyra e të cilave duhet të jetë formimi dhe edukimi i shtetasve, në përputhje me kriteret e brendshme epistemike. Institucion ky, që i kundërvihet si retorikës oportuniste dhe demagogjike ditore politike ashtu edhe presioneve kosumeriste.

Dhe kjo trashëgimi ka mbetur persistente në historinë e këtij civilizimi. Ku shkolla nuk duhet të jetë në shërbim të interesave ditore politike apo ideologjisë momentale ekonomike. Sulmi më brutal ndaj saj u bë nga teoria marksiste, e cila konsideronte se ky testament ishte i kotë. Dhe në vend të tij nevojitet vetëm një mobilizim politik sipas parimeve të saj doktrinare, me qëllim për ta ndryshuar botën, pasojat e së cilës i dimë të gjithë.

Por jo më pak armiqësore ndaj kësaj trashëgime është treguar edhe mendësia ideologjike e efikasitetit të tregut. Ku nën emrin e termit të bastardizuar “ të qenit praktik” insistohet se krejt çka kërkohet si “filozofi” jetësore është përshtatja dhe adaptimi ndaj këtyre formave të sofistikuara të nënshtrimit. Pra për dallim nga dogma marksiste për ndryshimin e botës, ky model e gorifkon mitin e ndryshimit të vetvetes si kusht për sukses të jashtëm ekonomik. Me këtë rast edhe shkolla në fund të shndërrohet në mjet të kësaj doktrine “pragmatiste”.

Në këtë kontekst, mbase pikërisht përkitja e këtyre dy formave të sipër cekura në mentalitetin politik të partive tona, më shumë se asgjë tjetër ka ndikuar në dështimin e sferës së arsimit në Kosovë. Rezultatet e PISAS, janë pasojë suksesit politik te tyre. Ato e kanë shndërruar rolin e shkollës dhe nxënësve vetëm në funksion të interesave të tyre ngushta politike dhe ekonomike.

Bie fjala, të gjithëve na kujtohet se vizioni kryesor i partisë aktuale në pushtet për “reformimin” e sistemit arsimor ka qenë se si ta zbritet mosha e pragut elektoral te votueseve nga 18 në 16 vjeç. Pra trajtimi i nxënësve vetëm si armatë elektorale. Kurse ana tjetër e medaljes së kësaj mendësie, mund të merret thirrja për zhvillimin e fushatës “bon vive” në shkollat e mesme.

Pra, nënkryetari i partisë më të madhe opozitare (PDK) së bashku me partnerët e tij biznesorë, pas qërimit të hesapeve që grupet kriminale kishin bërë në lokalin Bon Vivant, nuk nguronte të guxonte të propozonte përdorimin e shkollave publike në funksion të ruajtjes së imazhit të biznesit të tij më qëllim mirëmbajtjen e klienteles konsumeriste.

Dhe janë pikërisht modele të tilla dominuese në këtë shoqëri,  në shikim të parë kundërthnese, por që ne forma të alternuara kanë prodhuar këtë dështim fatal në sferën e arsimit. Dikush mund të thotë po ato vetëm janë propozuar dhe nuk janë zbatuar. E vërtetë. Mirëpo vet fakti se grupe të fuqishme politike në këtë mënyrë e perceptojnë rolin e arsimit dhe shkollës, mjafton  për të kuptuar vizionin e tyre.

Prandaj, përkundër kësaj fryme rregjuese është bërë urgjente që të fillohet të mendohet se si edukimi duhet të bëhet duke i “ringjallur” disa nga idealet e “mësimit platonik”, ku shkolla, leximi dhe mendimi të mund shndërrohen në guidë për formimin teorik dhe praktik të gjeneratave të reja. E ky “shpëtim” mendor nuk mund të bëhet pa refuzimin shoqëror të kësaj kaste politike.

/TV Arbëria

Themes by WordPress