Shkruan: Afrim Kasolli
Janë të njohura deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, në cilësinë e kandidatit të Partisë Republikane, gjatë garës zgjedhore presidenciale, se nëse e fiton postin më të rëndësishëm politik dhe shtetëror të SHBA-ve, do ta ndalë më automatizëm luftën në Ukrainë, luftë kjo e cila shpërtheu si pasojë e fillimit të operacioneve brutale ushtarake të Rusisë për ta pushtuar këtë shtet, në vitin 2022.
Në funksion të këtij qëllimi tashmë presidenti Trump, e ka emëruar edhe të dërguarin e posaçëm për konfliktin Rusi-Ukrainë Gjeneralin Keith Kellog. Disa nga propozimet e tij për kërkim të një zgjidhje politike për këtë konflikt janë bërë të ditura në mediat ndërkombëtare, ku thelbi i këtij plani konsiston në ngrirjen e vijave aktuale të frontit, e ku Moska do ta ruante kontrollin e 20 për qind të territoreve që i ka pushtuar gjatë dy viteve luftë.
Mirëpo, ky insistim për paqe të domosdoshme në Ukrainë, mund të jete interes primar më shumë edhe presidentit Vladimir Putin, se sa i presidentit Trump. Prandaj, ka gjasa që i pari ta përdor pikërisht si exit strategji fitoren e të dytit, për të shpëtuar nga situata e pashpresë ku është katandisur për shkak të kësaj lufte. Vetë rënia e befasishme e regjimit të Bashar al Assasdit, njërit prej regjimeve kryesore klienteliste të Moskës në Lindje të Mesme, tregon për tkurrjen e peshës ndërkombëtare së këtij shteti.
Kështu, pavarësisht fitoreve që ushtria ruse ka korrur në terren veçanërisht vitin e fundit, ndonëse pas pushtimit të qytetit të Avdijivkës, nuk është se e ka shtënë në dorë ndonjë qendër tjetër të rëndësishme urbane ukrainase. Ndërkohë, humbjet e saj janë të gjithanshme. Sipas analistit Fareed Zakaria, në shkrimin “ Russia Is Weaker Than You Think” tashmë ky shtet është duke i humbur deri në 320 tanke dhe pjesë tjera të artilerisë, ndërkohë që mund t’i prodhojë vetëm 20 të tilla . Po ashtu, që nga shpërthimi i luftës i ka humbur deri 5000 mjete luftarake të këmbësorisë, kurse kompanitë e kontraktura për prodhimin e tyre mund ta kompensojnë këtë humbje me vetëm 200 pajisje në vit.
Asgjë nuk e pasqyron më mirë këtë tendencë se sa riorientimi i buxhetit të shtetit, ku për vitin 2025 është paraparë që sektori i mbrojtjes t’i ketë në dispozicion deri në 40 për qind të shumës së tij. Nevoja për ushtarë nga Koreja e Veriut, tregon për mungesën gjithnjë e më te madhe të rekrutëve të rinj. Mbingarkesa ekonomike e luftës ka filluar t’i jap frytet e saj, me mbi 9 për qind të inflacionit vjetor. Kurse, kompania Gazprom, që deri në vitin 2022 kuletës së shtetit ia siguronte deri 40 miliardë dollarë, që nga viti 2023 i ka 6.9 miliardë dollarë më pak. Prandaj janë këto parametra që tregojnë Putini e ka të domosdoshme ndalimin e kësaj lufte.
Mirëpo sipas, Michael Mcfaul në shkrimin, “How Trump Can End the War in Ukraine-Convince Kyiv to Trade Land for NATO Membership”, nëse Trump kërcënon se do ta ndërpresë ndihmën për Ukrainën, Putin do të ndjehet edhe më i guximshëm për të vazhduar luftën. Sipas këtij autori, rruga e duhur drejt një marrëveshjeje paqeje, ka gjasa të jetë efektive vetëm nëse Trump së pari përshpejton dorëzimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën që është miratuar dhe pastaj të dërgojë një sinjal për të ofruar më shumë armë për të ndaluar ofensivën aktuale të Rusisë në Donbas, rajonin lindor të Ukrainës. Pra që negociatat serioze të fillojnë, Putin duhet së pari të besojë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta braktisin Ukrainën.
Po ashtu, nuk duhet neglizhuar as perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Madje ky skenar është i vetmi për ta ruajtur paqen nëse mes të këtyre dy vendeve. Modelet e sigurisë, sikur “Memorandumi i Budapestit i vitit 1994, në të cilin Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara ofruan siguri për Ukrainën në këmbim të dorëzimit të arsenalit të saj bërthamor në Moskë, ose propozimet më të fundit për mbështetje nga vende të veçanta nuk janë të besueshme. Ukrainasit e dinë që Putin kurrë nuk ka sulmuar një anëtar të NATO-s, por ka pushtuar Gjeorgjinë në vitin 2008, Ukrainën në vitet 2014 dhe 2022, dhe mban ushtarë në Moldavi. Ukrainasit shqetësohen me të drejtë se një armëpushim në mungesë të anëtarësimit në NATO do t’i jepte ushtrisë ruse dhe kompleksit ushtarako-industrial të Rusisë kohë për të forcuar dhe përgatitur një pushtim të ardhshëm”. Dhe këto invazione madje duke filluar nga ripushtimi i Çeçenisë janë shprehje e ambicies së presidentit Putin për një rikonstruktim carist të Rusisë.
Duke marr parasysh në situatën pa shtegdalje në të cilën po zhytet Rusia është e rëndësishme që të sigurohet ajo paqe që edhe i varros një herë e përgjithmonë këto fantazma imperiale. /TV Arbëria