Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A mund të jetë një fitore e Pirros për qeverinë nënshkrimi i peticionit në veri?

A mund të jetë një fitore e Pirros për qeverinë nënshkrimi i peticionit në veri?

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka konfirmuar sot para mediave se edhe zyrtarisht ky institucion i ka pranuar të gjitha peticionet e nënshkruara nga qytetarët në veri për shkarkimin e katër kryetarëve të komunave në atë pjesë të Kosovës.

Tashmë pritet verifikimi i tyre. Ky peticion ishte organizuar në bazë të udhëzimit administrativ të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht, Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme lokale u shtrua si kërkesë e domosdoshme për Kosovën nga Bashkësia Ndërkombëtare, që kur kryetarët shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, morën detyrën pas zgjedhjeve të prillit, të cilat u bojkotuan dhe kundërshtuan ashpër nga serbët lokalë, duke shkaktuar tensionim të situatës.

BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi i kanë bërë presion Kosovës së rruga më e mirë për t’i shpallur zgjedhjet në veri ishte nëpërmjet dorëheqjes së kryetarëve aktualë. Madje për shkak të kësaj kërkese dhe prezencës së shtuar të forcave policore afër objekteve komunale, Kosova u vendos nën masa sanksionuese nga Brukseli.

Ishte vetë i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që për Zërin e Amerikës, kishte deklaruar se “rruga më e shpejtë dhe më e lehtë për zgjedhjet e reja” do të ishte “nëse kryetarët e tanishëm shqiptarë japin dorëheqje”.

Mirëpo, qeveria e Kosovës e ka refuzuar një kërkesë të tillë. Pak ditë pas kësaj interviste ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës Elbert Krasniqi, pohoi se “dorëheqja e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbë në veri të Kosovës është kërkesë vetëm e Beogradit” duke treguar kështu një shpërfillje totale ndaj rekomandimit amerikan.

Kurse, zënvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pat deklaruar se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.

Pra numri dy i Qeverisë së Kosovës kishte shkuar aq larg sa kërkonte ta kushtëzonte të drejtën e qytetarëve të asaj pjese për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitimë politikë me raportet me Brukselin.

Megjithatë, situata ndryshoi kur Lista Serbe, pak ditë pas sulmit terrorist nga grupet paramilitare serbe me 14 shtator në fshatin Banjë, deklaroi se do të marrë pjesë në procesin e zgjedhjeve kurdo që mbahen ato. Ky subjekt politik tha se këtë vendim e ka marrë pas konsultimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Po ashtu, kjo parti i priu mobilizimit për nënshkrimin e peticionit nga qytetarët serbë.

Ndërkohë, sa i përket kësaj procedure edhe ekspertë juridikë kanë ngritur alarmin se ai mund të jetë një precedent i rrezikshëm.

Njohësi i së drejtës ndërkombëtare dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani në një intervistë për mediumin e Evropa e Lirë, kishte deklaruar se ky “udhëzim administrativ i lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për largimin e kryetarëve të komunave nga funksioni, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”.

Sidoqoftë, nuk mund të mohohet fakti se Qeveria e Kosova i qëndrojë besnike poziciononit të saj për mënyrën e organizmit të zgjedhjeve në veri. Dhe ta paraqes para opinionit fundin e kësaj sage si një fitore të saj. Mirëpo, në histori është e njohur edhe metafora e “fitores së Pirros”. Prandaj, se çfarë efekte do të ketë ky sukses i ekzekutivit do të kuptohet gjatë ditëve dhe javëve në vijim.

/TV Arbëria