Shkruan: Afrim Kasolli
Që nga fillimi i sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit mbi Iranin, arsyetimet e këtij operacioni ajror kanë ndryshuar në vazhdimësi, sidomos nga ana e Shtëpisë së Bardhë. Fillimisht është thënë se qëllimet e kësaj lufte kanë të bëjnë me detyrimin e regjimit në Teheran për të hequr dorë nga programi i tij bërthamor, zotimin që ky shtet ta ndërpres financimin dhe mbështetjen e forcave proxy në rajon, si mekanizëm për projektimin e fuqisë rajonale të regjimit teokratik dhe pakësimin në minimum të kapaciteteve ushtarake me theks të veçantë të raketave balistike.
Por nuk kishin munguar as thirrjet për ndryshim të regjimit, kauzë kjo e mbrojtur në masë më të madhe nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahy. Madje natyra e sulmeve të Forcave Mbrojtëse të Izraelit kundër caqeve iranianë shihet qartë se është në funksion të kësaj strategjie, duke e targetuar kryesisht infrastrukturën e regjimit, me shpresën e kolapsimit nga brenda.
Natyrisht, sa i përket presidentit Trump nuk kanë munguar as deklarimet e tij se nuk shqetësohet nëse Irani do të transformohet në një shtet demokratik apo jo. Dhe se i njëjti nuk do ta kishte telashe të bashkëpunonte me një regjim teokratik me kusht që të përfillen interesat amerikane dhe ato të izraelite në rajon. Ndërkohë, dje befas pohoi se në Iran ka ndodhur një lloj ndryshimi i regjimit sepse kasta e vjetër sunduese tashmë nuk ndodhet në pushtet. Deklarim ky tejet problematik sa i përket dinamikave të brendshme në atë shtet. Sepse zëvendësimi i disa drejtueseve si shtetërorë edhe sa i përket kastës teokratike nuk nënkupton ndryshim regjimi. Për më shumë sipas shumë analistëve me eliminimin veçanërisht të Ajatollahut, pushteti është zhvendosur edhe më shumë në drejtim të Gardës Revolucionare, duke ndikuar në dobësimin e autoritetit klerikal dhe forcimit të atij militar.
Në mesin e këtyre deklarimeve kontraverze mbetet edhe ai djeshmi se “dëshiron ta marrë naftën në Iran” se ndoshta do ta pushtojë ishullin Kharg.
Me këtë rast kushdo që i ka përcjellur qoftë edhe përciptazi disa nga zhvillimet historike në atë shtet, e ka të qartë se operimi me këtë gjuhë mund të jetë pengesë për ndryshime në Iran, sepse sic dihet njëri prej burimeve kryesore të zemërimit politik dhe social në ka qenë pretendimi se fuqitë perëndimore dëshirojnë ta mbajnë të nënshtruar Iranin më qëllim përvetësimin e arit të zi për nevojat e tyre ekonomike.
Mbi këtë ndjeshmëri kolektive u fermentua opozita dhe rezistenca ndaj ish regjimit të Shahut, si nga e majta ashtu edhe nga ato me orientim ideologjik fetar, duke e konsideruar të parin si vegël të Perëndimit.
Rrëzimi i ish-kryeministrit Mohammad Mosaddegh me asistimin e shërbimeve sekrete amerikane dhe britanike në vitin 1953, pasi i pari e kishte nacionalizuar industrinë e naftës, ka mbetur si traumë kolektive në atë shoqëri. Ishte kjo njëra prej arsyeve që në fund rezultoi në triumfin e Revolucionit Islamik në vitin 1979, si përpjekje për ta restauruar sovranitetin e lënduar.
Prandaj pohimet e sipër cekura në vend sa ta dobësojnë forcën ideologjike të regjimit në Iran, ka rrezik që mund ta forcojnë atë ne sytë e opinionit, duke shfaqur si mburojën e vetme të vendit nga këto ambicie të kahershme të SHBA-ve.