Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > A lidhen protestat në Shqipëri me fundin e Gjykatës Speciale?

A lidhen protestat në Shqipëri me fundin e Gjykatës Speciale?

Shkruan: Agron Hoti

E kam thënë edhe më parë dhe më duhet ta përsëris: periudha 2000–2022 ishte një nga përballjet më të mëdha gjeopolitike ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë në Evropë dhe Lindje të Mesme. Këto ishin dy rajonet ku Rusia, fillimisht si BRSS e më pas si Federatë Ruse, historikisht ka synuar të projektojë ndikimin e saj politik, ushtarak dhe ekonomik.
Kjo përballje nuk ka përfunduar. Përkundrazi, sot ajo ka hyrë në një fazë edhe më të ashpër. Në Ukrainë, SHBA-ja dhe aleatët e saj mbështesin rezistencën ukrainase për të penguar zgjerimin e ndikimit rus në Evropë. Në Lindjen e Mesme, Perëndimi mbështet Izraelin dhe partnerët e tij rajonalë për të frenuar Iranin, aleatin kryesor të Rusisë në rajon. Bëhet fjalë për të njëjtën garë strategjike që ka ndryshuar vetëm formë, por jo objektiva.
Gjatë viteve 2000–2022, SHBA-ja investoi fuqishëm në integrimin euroatlantik të Evropës Lindore dhe Juglindore. Zgjerimi i NATO-s dhe i BE-së nuk ishte thjesht një proces politik, por pjesë e një strategjie afatgjatë për ta kufizuar ndikimin rus në kontinent. Në anën tjetër, Rusia pas ardhjes së Putinit në pushtet në vitin 2000, përdori instrumente të ndryshme politike, ekonomike dhe energjetike për të ruajtur ndikimin e saj në Evropë dhe Lindje të Mesme duke e bërë varësinë energjetike një nga armët kryesore të politikës së jashtme.
Përqendrimi i madh amerikan në luftën kundër terrorizmit pas vitit 2001 krijoi gjithashtu hapësirë që Rusia të konsolidonte ndikimin e saj në disa vende të fuqishme evropiane. Pikërisht kjo filloi ta ndryshonte qasjen e BE-së në favor të serbëve dhe në disfavor të shqiptarëve. Erdhi Vuçiçi dhe po luftohen Hashim Thaçi. Për këtë arsye, rivaliteti SHBA-Rusi nuk u zhvillua vetëm në fushën ushtarake, por edhe në diplomaci, ekonomi, energji, media dhe luftën për ndikim politik.
Në këtë kontekst, avancimi i pozitës së shqiptarëve në Ballkan përbënte një zhvillim që Rusia e konsideronte humbje strategjike. Gjatë kësaj periudhe (2000-2022) u çlirua Kosova, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut fituan më shumë të drejta, Shqipëria u anëtarësua në NATO dhe, për herë të parë në historinë moderne, shqiptarët në rajon u gjendën nën ombrellën e sigurisë euroatlantike. Ishte një transformim historik që ndryshoi ekuilibrat në Ballkan në të mirë të shqiptarëve.
Në këtë proces, UÇK-ja dhe drejtuesit e saj kishin një rol vendimtar. Lufta çlirimtare e Kosovës jo vetëm që ndryshoi fatin e Kosovës, por ndikoi edhe në ripozicionimin strategjik të shqiptarëve në Ballkan. Pikërisht për këtë arsye, ata (Krerët e UÇK-së) u shndërruan në objektivin kryesor të një beteje politike, mediatike dhe gjyqësore që zgjati me dekada kundër tyre. Sepse, ndaj Krerëve të UÇK-së u ndërtua një mekanizëm i gjerë presioni, ku u ndërthurën interesa të Serbisë, Rusisë dhe aktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë, kryesisht evropianë dhe orientalë. Objektivi ishte që lufta çlirimtare të mos shihej më si një proces që solli lirinë e Kosovës, por të vihej në dyshim legjitimiteti politik dhe moral i udhëheqjes së saj.
Në këtë kuadër u zhvilluan një sërë procesesh gjyqësore: gjykatat e UNMIK-ut, Tribunali i Hagës, EULEX-i, gjykatat vendore të Kosovës dhe, në fund, Gjykata Speciale. Asnjë strukturë politike apo ushtarake në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore nuk është përballur për një periudhë kaq të gjatë me procese të pandërprera hetimore, gjyqësore dhe politike. Këtë vit bëhen 27 vjet që ky proces vazhdon. Nuk është rastësi që vazhdon vetëm kundër Krerëve të UÇK-së. Sepse qëllimi nuk ishte vetëm ndjekja penale e individëve, por edhe goditja e trashëgimisë politike të UÇK-së. Nëse do të delegjitimohej lufta çlirimtare dhe drejtuesit e saj, atëherë do të dobësohej edhe narrativa mbi të cilën u ndërtua shteti i Kosovës dhe pozita e shqiptarëve në rajon.
Kështu, qëllimi strategjik i Serbisë, Rusisë dhe i aktorëve të tjerë (kryesisht evropianë dhe orientalë) që mbështesnin këtë qasje ishte eliminimi politik i trashëgimisë së UÇK-së. Nëse delegjitimohej lufta çlirimtare dhe drejtuesit e saj, atëherë do të krijohej përshtypja se vetë projekti politik që çoi në çlirimin e Kosovës ishte burimi i problemeve të pasluftës. Me fjalë të tjera, synimi ishte që përgjegjësia historike të zhvendosej nga politika kriminale e Serbisë te udhëheqësit e luftës çlirimtare të Kosovës.
Edhe shumë procese të tjera politike duhen parë në këtë kontekst. Edhe zvarritja për shumë vite e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk ndikoi vetëm në izolimin e qytetarëve, por edhe në rritjen e pakënaqësisë ndaj klasës politike që identifikohej me luftën çlirimtare. Ndërkohë që vendet e tjera të rajonit përparonin në integrimin evropian, Kosova mbeti e izoluar për një periudhë shumë më të gjatë. Kjo, krijoi një klimë zhgënjimi që ndikoi edhe në perceptimin publik ndaj drejtuesve të dalë nga UÇK-ja, e që në fakt ishte qëllimi kryesor i Rusisë dhe aleatëve të saj.
Në të njëjtën kohë zhvillohej edhe një betejë tjetër: ajo për orientimin strategjik të shqiptarëve. Rusia dhe aleatët e saj synonin të dobësonin besimin ndaj SHBA-së dhe aleancës euroatlantike, duke krijuar terren për forca politike që do të kundërshtonin orientimin tradicional proamerikan të shqiptarëve. Kosova ra a para në grackë të këtij antiamerikanizmi.
Në këtë kuadër, propaganda kundër drejtuesve të UÇK-së u bë gjithnjë e më intensive. Fillimisht u ndikua një pjesë e diasporës shqiptare në Evropë përmes një fushate të vazhdueshme që vinte në dyshim legjitimitetin e luftës çlirimtare. Më pas, e njëjta frymë u reflektua edhe në debatin publik në Kosovë, ku një pjesë e opinionit filloi ta identifikonte periudhën e pasluftës pothuajse ekskluzivisht me dështime, korrupsion dhe keqqeverisje, duke lënë në plan të dytë arritjet historike të çlirimit, pavarësisë dhe shtetndërtimit, të cilat Kosova s’i kishte pasur asnjëherë më pare.
Dhe Gjykata Speciale përfaqëson kulmin e këtij procesi, sepse me ngritjen e saj u konsolidua një realitet i ri politik, ku drejtuesit historikë të UÇK-së u eliminuan nga jeta aktive politike për një periudhë të gjatë, duke ndryshuar rrënjësisht ekuilibrat politikë në Kosovë. Pikërisht këtu filloi të lëshojë rrënjë antiamerikanizmi që kulmoi me futjen e Kosovës nën izolim dhe sanksione perëndimore dhe ndërprerjen e dialogut strategjik SHBA-Kosovë.
Paralelisht me këtë process u dobësuan edhe forcat politike që identifikoheshin me trashëgiminë e UÇK-së në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoninë e Veriut. Kjo bëri që ndikimi politik i shqiptarëve në rajon të fragmentohej, ndërsa bashkëpunimi ndërshqiptar të humbte intensitetin që kishte pasur deri në 2020.
Në Kosovë, polarizimi politik u thellua, institucionet u përfshinë në përplasje të vazhdueshme dhe energjia politike u përqendrua gjithnjë e më shumë në konfliktet e brendshme. Si pasojë, edhe zhvillimi ekonomik, edhe fuqia përfaqësuese e shqiptarëve në rajon u dobësuan.
Në këtë mozaik, Shqipëria mbeti aktori i vetëm shqiptar që vazhdoi të ruante një orientim të qartë euroatlantik dhe të shprehte publikisht mbështetje për luftën çlirimtare të Kosovës. Megjithatë, në vend që kjo të shoqërohej me një koordinim më të madh ndërmjet Tiranës, Prishtinës dhe shqiptarëve në rajon, raportet politike u ftohën gradualisht. Komunikimi ndërshqiptar humbi intensitetin që kishte pasur në periudha të mëhershme dhe bashkërendimi strategjik arriti në një nga nivelet më të ulëta të viteve të fundit.
Pikërisht në këtë moment, kur Shqipëria po avanconte në procesin e integrimit evropian, po priste investime amerikane dhe kur procesi gjyqësor në Gjykatën Speciale po i afrohet fundit, shpërthyen në Shqipëri protesta dhe një përshkallëzim i ri përpasjesh politike. Qëllimi i gjithë kësaj është dobësimi i pozitës ndërkombëtare të Shqipërisë dhe pamundësimi i rehabilitimit politik të ish-drejtuesve të UÇK-së.
Mjerisht, qarqe të ndryshme antishqiptare kanë frikë se një rikthim politik i drejtuesve të UÇK-së, në koordinim dhe në raporte të mira me Qeverinë e Shqipërisë dhe me SHBA, do të mund të rikthente nivelin e lartë të proamerikanizmit në hapësirën shqiptare, ashtu siç ishte në vitet e para pas luftës së Kosovës. Një rikthim i tillë do të nënkuptonte edhe një rritje të peshës politike të shqiptarëve në Ballkan dhe në Evropë, duke forcuar pozitën e tyre në proceset rajonale dhe euroatlantike. Pikërisht ky skenar, sipas këtij këndvështrimi, bie ndesh me interesat e atyre qarqeve që synojnë dobësimin e faktorit shqiptar në rajon.