Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A ka ardhur koha që SHBA-të ta ndryshojnë qasjen ndaj Serbisë?

A ka ardhur koha që SHBA-të ta ndryshojnë qasjen ndaj Serbisë?

Përgatiti: Afrim Kasolli- Vizita e Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, në Prishtinë shkaktoi një “sensacion”.

Gjatë kësaj vizite, ai përpos që e potencoi rëndësinë e stabilitetit në këtë pjesë të Evropës, sidomos duke marrë parasysh faktin se tashmë po jetojmë “në një botë me pasiguri të madhe, paqëndrueshmëri të madhe, një botë me konflikte të mëdha”, kryediplomati britanik, e bëri hapur të ditur,” qëndrimin britanik se “ushtria britanike do ta mbrojë Kosovën madje edhe duke luftuar nëse është e nevojshme”. 

Në këtë mënyrë, ai e transmetoi mesazhin se më nuk do të do të tolerohen sulme nga Serbia, sikur ato të 24 shtatorit që kanë ndodhur në fshatin Banjë.

Pra lordi, David Cameron e bëri qartë të ditur se mbrojta e Kosovës nga sulmet eventuale të jashtme është një interes nacional edhe i Britanisë. Dhe po ashtu, pohimi se Londra do të angazhohet që Kosova të sigurojë njohje të reja, dëshmon se konsolidimi ndërkombëtar i shtetit të Kosovës mbetet një prioritet tjetër i politikës së jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

Një qëndrim i tillë ashtu siç pritej shkaktoi zemërim në Beograd.

Me këtë rast ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, pohoi se “deklarata e sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron, gjatë një vizite në Prishtinë se Britania e Madhe do ta ndihmojë Kosovën për të marrë njohje të reja, është “jashtëzakonisht hipokrite” dhe “meriton dënimin më të ashpër”.

Për më shumë, ish-zëdhënësi i Milosheviqit, e ftoi Cameronin që kur të kthehet në Londër “të dalë jashtë zyrës së tij dhe ta shikojë muralin që shfaq Britaninë me aleatët pas Luftës së Parë Botërore, ku Serbia dhe Belgjika shfaqen si vajza të vogla të varura nga fundet e Britanisë si mbrojtëse e tyre. Është koha, koleg Cameron, ta heqësh atë mural, që është histori, ose të mendosh për deklaratat e tua” u shpreh Daçiq.

Kjo qasje e Sekretarit të Jashtëm të Britanisë ka filluar të shihet si e domosdoshme edhe për fuqitë tjera perëndimore nëse më të vërtetë dëshirojnë të kenë stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

Ndonëse nuk e ka përmendur konkretisht këtë vizitë të krye diplomatatit nga Londra në Kosovë, por është interesante të ceket se pas përfundimit të saj, gazeta e njohur amerikane, Washington Post nëpërmjet një shkrimi editorial e kritikojë politikën  e jashtme të deritanishme të administratës Biden si të dështuar në raport me Serbinë.

Sipas këtij mediumi prestigjioz me të të marrë detyrën presidenti Biden në vitin 2021 e kishte identifikuar Ballkanin Perëndimor si një zonë shumë fragjile dhe të paqëndrueshme.

Zyrtarët e kësaj administrate konstatuan se Serbia si njëri nga vendet më të mëdha në këtë zonë të veçantë të Evropës vazhdonte të qëndronte në mënyrë kokëforte në kuadër të orbitës ruse. Në këtë mënyrë, ishte e qartë se Moska do ta mbështetëse klientin e tij në Ballkanin Perëndimor. Dhe ky shqetësim u bë më i mprehtë pas pushtimit të Ukrainës nga ana e shtetit të Rusisë. Me këtë rast, qasja politike e zotit Biden, ishte përqafimi i kryetarit autoritar të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me shpresën për ta detyruar atë që ta ndërronte kursin e tij politik, për ta larguar nga Rusia. Mirëpo sot, pas gati më shumë se tri viteve kjo politikë ka dështuar.

Kështu sipas burimeve të kësaj gazete, lideri serb, privatisht i ka siguruar bashkëpunëtorët e tij perëndimor se është duke bërë të pamundurën për ta integruar kombin e tij të pabindur në kuadër të Bashkimit Evropian dhe ta shndërrojë atë në një partner të besueshëm.

Administrata Biden i bazoi politikat e tij pajtuese duke u bazuar në këto mesazhe private. Madje, edhe pse disa kriza të rrezikshme duke përfshirë edhe atë në vitin e kaluar në veri të Kosovës, dëshmonin gjurmët e gishtërinjve të politikës serbe, SHBA-të, u përcaktuan për shmangur fajësimin vetëm të njërës palë, dhe duke preferuar thirrjet vetëm për qetësi.

Prandaj, në fund të këtij vështrimi, Washington Post konstaton se duke marrë parasysh faktin se sa pak efektive janë treguar politikat e deri tanishme të pajtimit, mbase ka ardhur koha që administrata Biden të mendojë diçka të re?

/TV Arbëria

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Powered by WordPress