Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i ftuar në FRONTAL të T7 ka folur për aksionet që janë zhvilluar së fundi në Kosovë për mbylljen e komunave paralele.
I pyetur se cila është nevoja që ministrat të marrin pjesë në aksione të tilla, Kransiqi ka thënë se kanë kërkuar aprovim që të asistojnë në mbylljen e komunave paralele dhe se s’kanë qenë ministrat në aksion.
“Nuk janë ministrat në aksion. Ne kemi bërë kërkesë për asistim për mbylljen e këtyre institucioneve që nga paslufta janë duke zhvilluar aktivitet ilegal”, ka thënë Kransiqi.
Krasniqi ka thënë se në Kosovë s’ka vend për komuna të tilla ilegale të cilat i shërbejnë Serbisë dhe jo Kosovës.
“Në Dragash ka një komunë ligjore dhe ka një kryetar me të cilin e takoj herë pas here. Dhe kjo komunë paralele ka ofruar shërbime për Prizren, Rahovec, Dragash dhe Suharekë. Por kjo zyrë nuk funksionon dhe këto s’kanë vend askund në Kosovë. Këto veprimtari janë në interes të dikujt tjetër dhe jo të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
I pyetur për komunën paralele të Graçanicës dhe faktin që ajo vazhdon ende të jetë funksionale, Krasniqi ka thënë se s’ka informacione për atë komunë paralel, por vetëm për komunën ligjore në Graçanicë dhe për problemet që janë aty.
“Unë nuk kam informacion për komunën paralele në Graçanicë. Kam informacione për komunën legale në Graçanicë dhe për problemet në këtë komunë. Ka ankesa të shumta nga qytetarët për mos përgjigje ndaj qytetarëve. Po trajtohen këto ankesa. Presim që në afate ligjore që t’i marrin veprimet, në mënyrë që çdo qytetarë i Graçanicës të ketë përgjigje sipas ligjit”, ka thënë Kransiqi.