SHKRUAN: ARBEN FETOSHI
(Zgjatimi rus i propagandës serbe të “alarmit” për ligjet që avancojnë sigurinë)
Kur Rusia i vjen në ndihmë Serbisë për narrativën e “kërcënimit ekzistencial” të serbëve me Ligjin për të Huajt në Kosovë, kemi të bëjmë një zgjatim të koordinuar të dezinformimit, të kamufluar me “të drejta e njeriut”.
Pas ngopjes së kësaj fushate nxitëse në nivelin nacional, alarmi duhet të bëhet më i zëshëm në skenën ndërkombëtare, prandaj Maria Zakharova (zëdhënësja e Kremlinit) flet njësoj si Petkoviqi, Vuçiqi, e zyrtarë të tjerë të Serbisë.
Duke e prezantuar vendimin për zbatim të Ligjit për Huajt (plotësuar më 2024) dhe Ligjit për Automjete (2017) si “spastrim të provincës nga popullata serbe”, ajo vepron si megafon i Serbisë për audiencën ndërkombëtare. Nuk tregon si dhe pse këto ligje i rrezikojnë serbët e Kosovës, ndërkaq eskivon me qëllim, njëjtë si Serbia, faktin që zbatimi i tyre lidhet me përmbushjen e standardeve ndërkombëtare.
Harmonizimi i rregullave me Bashkimin Europian, që përforcon kontrollin kufitar, menaxhimin e migracionit dhe sigurinë e qarkullimit në trafik, është kornizuar nga propaganda serbe dhe nga mediat ruse në Serbi (Sputnik Srbija dhe RT) si “akti i fundit” i politikës represive të Kurtit, që ka për qëllim spastrimin e tyre nga Kosova.
Prandaj, zgjatimi i kësaj narrative deri në Moskë, s’është gjë tjetër përveç “zhurmë më e madhe” që synon rritjen e shkallës së alarmit ndërkombëtar, me qëllim të pengimit të Kosovës.
Deklaratat e Zakharovës për Sputnik, nuk e përfshijnë rastësisht temën e integrimit të sistemeve paralele të arsimit dhe shëndetësisë, si levat e fundit të Serbisë për sabotimin e Republikës së Kosovës. Ato tregojnë se “alarmi” nuk ka të bëjë me lëvizjen e qytetarëve apo të veturave, por me “pikëtakimin” që po konsolidohet ndërmjet një shteti të pavarur dhe Serbisë.
Përndryshe, çfarë lidhje kanë dy ligjet e atakuara me qytetarët serbë shtetas të Kosovës? Aq më tepër kur Ministria e Brendshme ka lansuar fushata informimi, kurse Policia deklaron se do të jetë tolerante në raport me qytetarët serbë të Kosovës.
Këto natyrisht se nuk raportohen nga mediat e propagandës serbo-ruse, sepse “alarmi” i tyre nuk e ka hallin e sigurisë së serbëve.
Ligjet duhet të interpretohen si “kërcënim ekzistencial” për serbët, sepse vetëm kështu mund të manipulohen dhe nxiten, në mënyrë që të përdoren edhe më tutje si “armë” kundër Kosovës.
Duke “alarmuar” kundër dy ligjeve që vetëm e avancojnë sigurinë, Serbia përpiqet t’i “trimërojë” qytetarët serbë që ende nuk e kanë shtetësinë dhe ta ruajë hapësirën e manovrimit për operacione subversive kundër Kosovës.
Përkatësia kosovare e komunitetit serb, Hyrje-daljet me leje qëndrimi dhe një kontroll më efikas kufitar mbi lëvizjen e njerëzve e veturave, janë masa që e mbyllin hapësirën e infiltrimit, rrjetit të spiunazhit dhe bandave terroriste, siç është provuar me Banjskën, Varragën, Shehollin dhe spiunët e tjerë të arrestuar.
Kjo është skema e “alarmit” për mitin e rrezikut ndaj fatit të serbëve, ku Rusia hyn në ndihmë si një “faktor” ndërkombëtar që reagon ndaj “kërcënimit” nga Kosova.