Biznesi duhet t’i përshtatet interesit të konsumatorëve, thonë përfaqësues të një kompanie kosovare, e cila, së voni, ka hapur një pikë shitjeje në Leposaviq – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.
Ata zotohen se në raftet e dyqanit të tyre ushqimor atje do të ketë edhe prodhime me origjinë nga Serbia.
“Ne nuk bëjmë politikë. Kemi ardhur për biznes, t’iu ofrojmë konsumatorëve shërbim të mirë dhe cilësor, si dhe t’iu përshtatemi interesave të tyre”, thotë Nevzad Kadriu, përgjegjës për hapje dhe mirëmbajtje të dyqanit Interex.
Hapja e tij në Leposaviq, në fillim të muajit të kaluar, ka përkuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të lejuar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë përmes pikës kufitare në Merdare.
Për më shumë se një vit ato kanë qenë të ndaluara, si masë sigurie për Kosovën, ka thënë Qeveria e vendit.
Javën e kaluar, ekipi i Radios Evropa e Lirë ishte te dyqani në fjalë, aty nuk kishte prodhime të Serbisë. Arsye për këtë, sipas Kadriut, ishte koha e shkurtër prej tri javësh – që nga heqja e ndalesës – për t’u furnizuar me to.
“Gjithsesi, [prodhimet serbe] janë diçka e mirë për këtë pjesë të konsumatorëve dhe ne do t’i ofrojmë në të ardhmen”, thotë Kadriu.
Në anketa të mëhershme të Radios Evropa e Lirë, shumë qytetarë në veri kanë thënë se u mungojnë produktet me të cilat “janë mësuar gjatë gjithë jetës”.
Mungesa e tyre ka detyruar disa biznese në këtë zonë edhe të mbyllen.
Kadriu tregon se dyqanin në Leposaviq e frekuentojnë mbi 500 konsumatorë në ditë – shumica prej të cilëve, sipas tij, i takojnë komunitetit serb.
Beson se prania e prodhimeve serbe do të mund ta rriste, deri në një masë, numrin e tyre.
“Ndonëse, nga ajo që kemi parë deri më tash, mungesa e tyre nuk ka qenë ndonjë pengesë e madhe”, thotë Kadriu.
Nga 50 punëtorë sa ka dyqani që menaxhon ai, 47 thotë se janë të komunitetit serb, dy nga komunitetet tjera dhe një shqiptar.