Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > A janë shtyrjet e Speciales në funksion të autonomisë në veri?

A janë shtyrjet e Speciales në funksion të autonomisë në veri?

Shkruan: Agron Hoti

Kthimi i Krerëve të UÇK-së në korrik apo gusht, kur edhe diaspora ndodhet në vendlindje, do t’i nxirrte në rrugë së paku një milion njerëz nga të gjitha trojet shqiptare për të festuar kthimin e lavdishëm të tyre. Por, në politikë të gjitha të falen përpos shkëlqimit. Sepse pikërisht ky shkëlqim, me automatizëm, do t’ua prishte matematikat të gjithë atyre që kanë investuar politikisht në një proces që siç po shihet – po synon ta mbajë Kosovën sa më të paralizuar e mjegulluar me qëllim që autonomia në veri të zgjerohet më lehtë dhe pa u vërejtur.

Një gjë e tillë, mjerisht tashmë po ndodh, siç la të kuptohej edhe vetë BE-ja ditë më parë, ndonëse me formulime të kujdesshme e të paqarta, të cilat qytetari i rëndomtë, i lodhur nga përditshmëria dhe hallet e jetës, e ka të vështirë t’i deshifrojë.
Prandaj, pavarësisht nëse formohen apo jo institucionet tash në korrik apo gusht, qëllimi tashmë duket i qartë: të ecet në heshtje, shpejt dhe sa më mjegullt me procesin e autonomisë, ndërkohë që, për aq sa është e mundur, të parandalohet, dhe ose jo edhe të pengohet, me çdo mjet çdo shkëlqim politik e simbolik i Krerëve të UÇK-së në rast të kthimit të tyre.
Sepse fundja, ky ka qenë edhe misioni i Speciales: së pari eliminimi politik i Krerëve të UÇK-së, konfrontimi i Kosovës me SHBA, kriminalizimi i të arriturave të Çlirimtarëve – nga çlirimi dhe pavarësimi e deri te shtetndërtimi – duke ua paraqitur qytetarëve të gjitha si një “shkatërrim 20-vjeçar”.

Njëkohësisht, synimi ishte edhe dobësimi i pozitës negociuese të Kosovës përballë Serbisë, për ta bërë më të lehtë shtrirjen e autonomisë në veri, në mënyrë që, kur Krerët e UÇK-së të ktheheshin nga Haga, të përballeshin me një akt të kryer dhe të mos kishin më mundësi të ndryshonin asgjë.

E për ta përshpejtuar kompletimin e këtij procesi, BE-ja – pasi hoqi më herët sanksionet ndaj Kosovës – mund të bëjë edhe lëshime të tjera në procesin e integrimit evropian. Këto, pavarësisht nëse zgjidhen apo jo institucionet, do të shërbenin për ta mbajtur të lartë mbështetjen për këtë investim politik, si kusht për ta kaluar sa më lehtë autonominë në veri. Vetëm pasi ky proces të përfundojë tërësisht, qytetari i zakonshëm, do ta shohë se ishte vënë përpara një fakti të kryer, pa qenë në gjendje ta kuptojë se si, kur dhe nga kush ndodhi.

Prandaj, edhe nëse BE nuk arrin ta kompletojë procesin e autonomisë në veri deri në shtator, do të përpiqet që së paku të avancojë sa më shumë në atë drejtim dhe, njëkohësisht, ta zbehë sa më tepër shkëlqimin e kthimit të Krerëve të UÇK-së qoftë edhe përmes parandalimit të kthimit të tyre në korrik apo gusht. Ndoshta procesi i autonomisë mund të ecën përpara, por shkëlqimin e kthimit të Krerëve të UÇK-së nuk do të mund ta ndalë as shtatori e as acari më i madh i dimrit. Prandaj, ai shkëlqim vetëm mund të vonohet, por asesi të shmanget. Uroj që koha të më demantojë.