Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë ditës së djeshme lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abidixhiku, ka bërë të ditur se është pajtuar me kërkesën e Familjes Rugova, që në ditëlindjen e ish-Presidentit Rugova, i biri i tij Uka të jetë pjesë e listës zgjedhore për deputetë në këtë subjekt politik. Ndërkohë, në bisedë vetë i apostrofuari në fjalë, e pranoi se kjo lëvizje po bëhet duke marr si shkas trashëgiminë biologjike të tij.
Është ky vetëm njëri nga rastet e zakonshme të njërës prej plagomave më të mëdha politike të partive tona të cilat vazhdojnë të jenë në masë të madhe peng i mentaliteti klanor,kultit të familjes dhe lidhjeve të gjakut, si parakusht për aktivitet politik. Dhe kjo është e shprehur thuajse pa përjashtim të shumica prej tyre.
Kuptohet, beteja për përvetësimin nga gurra shpirtërore e trashëgimisë rugoviste ka qenë konstante në këtë subjekt politik që nga koha kur ish-presidenti ka kaluar në përjetësi. Madje ajo ka qenë edhe burim i fërkimeve të brendshme politike. Të gjithëve na kujtohet se kur kishte ndodhur skizma e madhe në këtë parti politike ndërmjet krahut Nexhat Dacit si dhe Fatamir Sejdiut, të dy kampet e sipër cekura e shpallnin vetën si mbrojtëse të denja të “dogmës” së themeluesit.
E njëjta qasje e ka shoqëruar edhe divorcimin e Vjosa e Osmanit nga LDK-ja dhe bashkimin politik me Albin Kurtin. Këtë akt ajo e ka arsyetuar edhe me tradhtinë ndaj idealeve të ish-presidentit nga koniunktura drejtuese e partisë që e kishte themeluar Rugova.
Megjithatë nëse kriteri familjar pranohet si njëri nga kushtet e rugovizmit atëherë nuk mund të mohohet fakti se ky i fundit paska kaluar nëpër disa “metapsikoza partiake”. Të gjithëve na kujtohet revolta publike e të birit të tij, Ukë Rugovës ndaj LDK-së së atëhershme dhe participimi i tij në partinë e Aleanca Kosova e Re të Behxhet Pacollit, për tu rikthyer përsëri nga e bija e presidentit të LDK-së, sjellja e së cilës, po ashtu ishin kritikuar nga shumëkush, kur i kishte dhuruar lule ish-presidentit Thaci, pasi ky i fundit ishte votuar nga deputetet e kuvendit, si anti-rugoviste. Nuk ka dyshim se sot Lumir Abixhikut i nevojitet një mbështetje e tillë politike nga kjo familje, ashtu si dikur partitë e dalura nga lufta që aspironin ta përvetësonin sakrificën e Familjes Jashari.
Megjithatë, kjo qasje më shumë se sa për mirëmbajte të një fryme politike, në të vërtetë flet për deficitin si të liderëve të partive tona ashtu edhe inicimin e reformave të njëmendja. Por tw cilwt për ta siguruar mirëmbajtjen e pushtetit të brendshëm kanw nevojw të bazohen në aleanca familjare. Dhe në këtë mënyrë tw operojnë sipas një mentaliteti “semi feudal”.
Prandaj, nuk është e rastësishme që strukturat e tyre drejtuese dominojnë anëtarë të së njëjës familje. Djali dhe baba, nipi dhe daja, dhëndëri dhe mbesa, janë disa nga rastet me të dalluara. Madje siç kam shkruar kohë me parë në shkrimin “Dallimi sociologjik ndërmjet Vetëvendosjes dhe subjekteve opozitare sa i përket pushtetit të brendshëm partiak” ky tipar e dallon të parën nga të dytat. Sepse ky subjekt bazohet kryesisht në pushtetin dhe kultin e Albin Kurtit. Anëtarësia e kësaj partie është e mishëruar në mënyrë “autentike” me liderin. Kurse mekanizmat ndërmjetësues në mes të bazës dhe hierarkisë partiake janë pa ndonjë peshë specifike reale. Kjo nuk do të thotë që Lëvizja Vetëvendosje është me demokratike. Por që mjerisht konkurrenca ndërmjet subjekteve tona politika sot vazhdon të zhvillohet ndërmjet një modeli autoritar populist dhe frymës semi-feudale politike.