Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > A janë dy 50%-shat në shërbim të bërjes së Samoupravnicës (autonomisë)?

A janë dy 50%-shat në shërbim të bërjes së Samoupravnicës (autonomisë)?

Shkruan: Agron Hoti
Pas marrjes në pyetje të ish-prokurorit Smith nga Kongresi Amerikan, u bë e qartë se evropianët, të detyruar nga rusët, e shfrytëzuan luftën e brendshme politike në SHBA mes Bidenit dhe Trumpit për ta përshpejtuar dërgimin e Krerëve të UÇK-së në Hagë. Ky veprim krijoi një vakuum të thellë politik në Kosovë. Mu për shkak të kësaj ndërhyrjeje të evropianëve (të detyruar nga rusët) mbi politikën e papjekur dhe të papërgjegjshme tonën, Kosova e refuzoi në Kuvend të Kosovës “Marrëveshjen e Uashingtonit” të shtatorit 2020, ku Kosova përpos që si shtet nënshkroi për herë të parë në Shtëpi të Bardhë, nënshkroi po ashtu për herë të parë si e barabartë me Serbi.
Gjatë viteve 2001–2022, sa më shumë që Evropa varej nga energjia ruse, aq më agresive bëhej fushata për rritjen e pakënaqësisë qytetare në Kosovë e diasporë ndaj Strukturës Drejtuese të UÇK-së. Në atë periudhë, karrierë politike mund të bëje në Kosovë vetëm duke e sharë dhe poshtëruar UÇK-në. U aktivizua një aparat i tërë drejtësie nga Tribunali i Hagës, UNMIK-u, EULEX-i, drejtësia vendore dhe Gjykata Speciale vetëm e vetëm për ta paraqitur UÇK-në si problemin kryesor të Kosovës.
Në të njëjtën kohë, Rusia, përmes evropianëve të varur nga energjia e saj, nga 2001-2022 punoi sistematikisht për rehabilitimin e Serbisë, duke e rikthyer aparatin e Millosheviqit në pushtet në vitin 2014 në Serbi dhe duke futur Listën Serbe si “Kalin e Trojës” në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa lartësohej Serbia e vjetër, poshtërohej UÇK-ja dhe Krerët e saj.
Pas arrestimit të Krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, politika e Kosovës u shty drejt përplasjeve me SHBA-në dhe gabimeve të rënda shtetërore, duke humbur gradualisht sovranitetin në veri. Kulmi ishte ardhja qortuese/kërcënuese e shefit të CIA-s në Prishtinë dhe vendosja e Kosovës si e vetmja në Evropë nën sanksione perëndimore.
Në këtë klimë presioni e tensioni, në vitin 2023 në Ohër, Kosova u detyrua ta pranonte shndërrimin e Zajednicës (Asociacion) në Samoupravnicë (autonomi). Mbështetja mbi 50% shërbeu si mbulesë politike për një projekt të përgatitur prej vitesh, ndërsa SHBA ishte e fokusuar te lufta Rusi–Ukrainë dhe mospërhapja e saj.
Nga frika se zgjedhjet e dhjetorit 2025 mund të sillnin në pushtet forca proamerikane, evropianët i hoqën pjesërisht sanksionet Kosovës për t’ia siguruar pushtetit edhe një 50%-sh të dytë, i cili do të vepronte mbi një terren tashmë tërësisht të pastruar: veri pa sovranitet institucional dhe me të gjitha kushtet e gatshme për Samoupravnicën.
Prandaj, pyetja që nuk mund të anashkalohet është kjo: a po kërkohet 50%-shi i dytë për qeverisje, apo për ta vulosur përfundimisht Samoupravnicën? A është kjo shumicë mjet për rikthim sovraniteti, apo akti final i një skenari të ndërtuar prej vitesh për ta bërë edhe në terren Samoupravnicën (autonominë)?