Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A ishte “rastësi e qëllimshme” djegia e Institutit të Mjekësisë Ligjore?

A ishte “rastësi e qëllimshme” djegia e Institutit të Mjekësisë Ligjore?

Djegia e Institutit të Mjekësisë Ligjore në orët e hershme të mëngjesit, ka ngritur shumë pyetje, dilema dhe hamendje në opinionin publik se a ishte e rastësishme apo e qëllimshme kjo zjarrvënie?

Dyshimet kanë të bëjnë me faktin se kjo ngjarje ka ndodhur një ditë pas intervistimit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu  nga Prokuroria Speciale lidhur me një status të saj në Facebook mbi shkaqet e vdekjes së Astrit Deharit.

Ajo kishte deklaruar, “se dihen provat e kësaj vdekje, por që i duhet prokurorisë dhe policisë të veprojë. Mirëpo, që në konferencën e saj para mediave, pas këtij intervistimi deklaroi se nuk i ka ato prova. Siç dihet disa nga mostrat e vdekjes së Astrit Deharit ruhen në kuadër të këtij Instituti. Më herët ishte raportuar se ato ishin zhdukur, por më vonë u tha se disa prej tyre janë ri gjetur.

Mbase dëmet e shkaktuara nga ky zjarr asgjë nuk i pasqyron më mirë se sa reagimi tronditës i zyrtarit të këtij Instituti mjekut, Arsim Gërxahliu, kurse avokati, Xhevdet Smakqi ka shkruar në profilin e tij në “Facebok”, se zhdukja e mostrave të rastit Dehari dhe djegia e IML-së në mandatin e Qeverisë Kurti nuk duken “rastësi”.

“Disa pikëpytje të mëdha? As pa u ba 24 orë pas intervistimit të Albulena Haxhiut nga Prokurori i rastit Dehari u dogjën Zyrat me dokumente të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Pse bash këtë moment qoftë dhe aksident i zjarrit pse pse ?????

Instituti i Mjeksisë Ligjore si Agjenci është në varësinë e udhëqjes së Ministres së Drejtësisë, pra Albulena Haxhiut. Dëmet nga djegia e dokumenteve labaoratorike në IML të rasteve nën hetime dhe atyre që nuk janë zbardhur dëmtojnë shumë punën e Prokurorisë së shtetit dhe arritjes së Drejtësisë së Kosovës për t’i identifikuar kryesit dhe mbrojtur viktimat e krimit palët e dëmtuara.

Prandaj zhdukja e monstrave te rasti Dehari dhe djegia e IML-se si dy “rastësi” në mandatin e Qeverise Kurti nuk duken rastësi ose nuk mund të jenë rastësi. Këto dy veprime të supozuara aksidente duhet të hetohen thellësisht në aspektin penal.

Kurse në anën e përgjegjësisë politike duhet të pasojnë me shkarkimin e Minstres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut ose dorëheqen e saj për shkak të përgjegjësisë objektive etike dhe moralit politikë nese iu ka mbetur ndonjë gramë”, ka shkruar Smakiqi.

Ndaj këtij zjarri ka reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës. Zyrtari i kësaj Partie Betim Gjoshi ka shkruar, “është fatkeqësi djegia e ndërtesës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Tash, sa më parë, duhet të kemi informata se çka e shkaktoi zjarrin dhe çfarë u dogj? Cilat janë dëmet dhe a janë shkatërruar provat e ndonjë rasti? Rastësi jo e vogël kjo ngjarje, një ditë pas intervistimit nga prokuroria të ministres Albulena Haxhiu. Nën vëzhgimin e saj, me 8 dhjetor të vitit të kaluar, ishin zhdukur edhe mostrat e Astrit Deharit” ka përfunduar statusin e tij, z. Gjoshi.

Ndërkohë, deri më tani Ministria e Drejtësisë ka dalur vetëm një informatë për shpërthimin e zjarrit, dhe ka lajmëruar se zv.ministri, Blerim Sallahu ka shkuar në vendin e ngjarjes, por pa dhënë detaje më shumë.

Në komunikatën për media nga kjo Ministri thuhet se  “Sot rreth orës 08:00 në hapësirat e IML-së ka filluar një zjarr që ka përfshirë disa nga zyret e katit të dytë të objektit. Zjarri është lokalizuar dhe për momentin nuk dihen shkaqet. Menjëherë pas pranimit të informacionit, ekipet e zjarrëfiksëve dhe policisë kanë shkuar në vend të ngjarjes.  Zëvendësministri Sallahu është duke qëndruar po ashtu atje, për të kuptuar më shumë rreth situatës së krijuar. Për zhvillimet e mëtutjeshme do të informoheni me kohë” përfundon komunikata zyrtare e kësaj Ministrie.

/TV Arbëria