Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A ishte propozimi i Putinit për paqe në Ukrainë vetëdijesim se ai do ta humb këtë luftë?

A ishte propozimi i Putinit për paqe në Ukrainë vetëdijesim se ai do ta humb këtë luftë?

Shkruan: Afrim Kasolli

 Shumë kush ka mbetur i habitur para pak dite nga një artikull i mediumit të njohur “Reuters”, se presidenti rus Vladimir Putin, është gati të ndalojë luftën në Ukrainë me një armëpushim të negociuar që njeh linjat aktuale të fushëbetejës. A ishte ky propozim një provokim taktik i Putinit? Apo vetëdijesim, se pavarësisht sukseseve aktuale në terren, ai një ditë do ta humb pashmangshëm këtë luftë? Prandaj, edhe synon që duke shfrytëzuar këtë situatë të ruajë aq sa është e mundur të ruhen trofetë e tanishme nga pushtimi brutal i Ukrainës? Apo këto sinjale për paqe ishin një provokim pak ditë para Samitit të Paqes për Ukrainën që do të mbahet në muajin e ardhshëm në Zvicër? Madje, kryetari i Ukrainës Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje si presidentit amerikan, Joe Biden, dhe atij kinez, Xi Jinping, që të jenë pjesë e kësaj ngjarje.

Sidoqoftë, kjo ofertë e befasishme vetëm rezultat i një ndërgjegjësimi të brendshëm moral të liderit rus nuk mund të ishte. Po ashtu, nuk mund të thuhet se janë realizuar asnjëri nga ato që Putini i kishte quajtur si qëllime të këtij operacioni special ushtarak, (ai asnjëherë këtë ndërmarrje nuk e  ka cilësuar si luftë apo pushtim), siç janë sipas tij “çmilitarizimi, denazifikimi dhe sigurimi i neutralitetit të Ukrainës”. Janë këto dilema që  kanë bërë shumë të dyshimtë këtë lëvizje të re strategjike të Kremlinit.

Siç thamë, është e vërtetë se forcat ruse përgjatë vijës mbi 1000 km të frontit luftarak kanë pasur një sukses të konsiderueshëm në terren. Pushtimi i qytetit të Bahmutit dhe me vonë fitorja në Avdivka janë vetëm disa nga sukseset më të dalluara të fushatës së fundit. Ndonëse sipas shumë analistëve ushtarakë ato i kanë kushtuar shumë Rusisë si me humbje të numrit të ushtarëve ashtu edhe armatimit.

 

Prandaj, suksese të tilla momentale nuk japin asnjë garanci dhe shpresë se Rusia do të mund të korr një fitore totale në këtë luftë. Përkundrazi, sa më shumë që zgjatet, ajo do t’i kthehet në bumerang, kuptohet me kusht që ushtria ukrainase ta ruajë vitalitetin e rezistencës si dhe Perëndimi unitetin në mbështetje të kësaj lufte. Sepse nuk ka iluzion më të madh se ushtria ruse është e pamposhtur.

Madje, sipas historianit të njohur amerikan Timothy Snyder, thuajse asnjë luftë të rëndësishme kjo ushtri nuk ia ka dalur ta fitojë. Kështu edhe më parë , bindja se Ushtria e Kuqe ishte e pathyeshme qe vetëm një mit propagandistik. Është e vërtetë, vazhdon ky autor në shkrimin “Russia can lose this war”, të botuar para pak dite në CNN, se Ushtria e Kuqe ishte e frikshme, por ajo gjithashtu ishte e mundur. Në tri luftërat më të rëndësishme që ajo ka zhvilluar kishte pësuar disfatë në dy prej tyre. Ajo ishte mundur nga Polonia në vitin 1920. Ndërkohë, është e vërtete se e mundi Gjermaninë Naziste në vitin 1945, por thuajse ishte shkatërruar në vitin 1941. Prandaj, fitorja e saj në këtë rast, ishte vetëm si pjesë e një koalicioni të madh, që pa ndihmën ekonomike të Amerikës dhe Britanisë as që mund të imagjinohej ky sukses. Po ashtu, pas një beteje mbi 10 vjeçare kjo ushtri u detyrua të tërhiqet nga Afganistani. Kurse, shto këtu faktin se ushtria e sotme ruse nuk është Ushtria e dikurshme e Kuqe. E as Rusia nuk është BRSS. Sepse, sipas këtij historiani, ishte pikërisht Ukraina Sovjetike që ishte një burim i madh për Ushtrinë e Kuqe . Dhe në “fitoren e vitit 1945 ushtarët ukrainas nën petkun e Ushtrisë së Kuqe patën humbje më të mëdha se sa amerikanët, britanikët dhe francezët së bashku”.

Rrjedhimisht,  humbjet kanë qenë diçka normale edhe për epokën perandorake, të cilën Putini e admiron me nostalgji. Humbja në “Krime në vitin 1856, me Japoninë në vitin 1905 dhe në Luftën e Parë Botërore në vitin 1917, janë vetëm disa nga rastet me të njohura” Po ashtu, pas çdo kolapsi të tillë Rusia ishte e detyruar të eksperimentonte me reformat e brendshme.  Pas humbjes në Krime filloi procesi i anulimit të deriatëhershëm të robërisë. Ndërkohë, nga humbja me Japoninë e nxiti eksperimentin me zgjedhjet. Kurse dështimi në Afganistan i hapi rrugë reformave të Gorbachovit dhe i dha fund Luftës së Ftohtë.

Pra është pesha e kësaj historie që i qëndron si fantazmë dhe ankth Putinit, që çfarë fati e pret nëse vazhdon lufta në Ukrainë. Ai e dinë se në përpjekjen  për ta restauruar dinjitetin e dikurshëm perandorak, do gjejë varrin e palavdishëm politik.

 

Në këtë kontekst, oferta e tij për paqe, nuk është asgjë tjetër, pos një provokim i ri ndaj një pjesë të opinionit perëndimor që vazhdon të jetë nervoz dhe dyshues gjithnjë e më tepër mbi vazhdimin e kësaj lufte. Dhe në këtë mënyrë shpreson se do të shtohet presioni diplomatik mbi Ukrainën për të pranuar me çdo kusht këtë plan. Mirëpo, nëse liderët perëndimorë bie pre e kësaj  loje djallëzore do ta kuptimësonin më të vërtetë, atë thënien e njohur të Hegelit se “nëse kemi mësuar diçka nga historia, atëherë nuk kemi mësuar asgjë prej saj”.

/TV Arbëria

Themes by WordPress