Ndonëse nuk i përmendi specfikisht shtetin e Kosovës dhe të Serbisë, as liderët e të dy vendeve kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin Aleksandër Vuçic, megjithatë gjatë fjalës së tij në Shkup në konferencën “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”, Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, u shpreh pa ekuivoke se “liderët e Ballkanit se nuk do të kenë mundësi për të penguar rrugëtimin e njëri-tjetrit, sepse nuk duhet të ekzistojnë çështje të pazgjidhura, dhe se kushdo që tenton të pengojë diçka do të përballet me ndëshkime, “Nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit”.
Një thirrje e tillë e diplomatit amerikan shihet qartë se bënë fjalë për Kosovën dhe Serbinë dhe detyrimin që të dy vendet kanë për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.
Me këtë rast, O’Brein ua bëri të ditur të dy vendeve se nëse e vazhdojnë politikën e deri tanishme dhe kushtëzimeve ndaj njëra tjetrës edhe pse janë dakorduar për marrëveshjet në fjalë nuk do të mund të përfitojnë fonde nga ky projekt dhe për më tepër do të mbesin të izoluara dhe prapa procesit të integrimeve.
Pra, ai shtet që kualifikohet nga bashkësia ndërkombëtare se po e saboton procesin e normalizimit ndërmjet dy vendeve do të ndëshkohet. Ndërkohë, edhe pse pjesëmarrës në këtë event si Kurti ashtu edhe Vuçiq tentuan që ta shmangin elefantin në dhomë për publikun.
Kështu, presidenti serb, ka pohuar se në “takimin e të hënës në Shkup, për herë të parë po bisedohet vetëm për çështjet ekonomike”, kurse Kurti ka deklaruar se Republika e Kosovës “do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq në ditët në vijim, do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative. Sa u përket reformave, aty në qendër e kemi reformën e administratës publike dhe të menaxhimit të financave publike, ndërkaq të projekteve i kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturor”.
Mirëpo, këtu duhet kujtuar se Kosova tashmë ndodhet nën masa sanksionuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në pjesën veriore.
Kurse diplomatë ndërkombëtarë gjithnjë e më shumë i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta themelojë sa më shpejt asociacionin e komunave me shumicë serbe, një detyrim ky që del nga marrëveshjet e deri tanishme me Serbinë, dhe të mos e kushtëzojë themelimin e tij më nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit nga ana e Serbisë.
Madje, Bashkimi Evropian e ka hartuar edhe një draft-statut, i cili i është dorëzuar Kosovës. Ndërkohë, disa herë është përmendur që përparimi në dialog mbetet një kusht për të pasur qasje në këto fonde të BE-së.
/TV Arbëria