Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë ditës së djeshme, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e një ligjërate të mbajtur Uashington në Universitetin Johns Hopkins, ndër të tjera, ka pohuar se ka “informacione të besueshme” se presidenti amerikan, Donald Trump, e ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë. “Ai (Trump) është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit”, ka thënë presidentja Osmani, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për zhvillime të vitit 2023 apo 2020, por “për zhvillime shumë, shumë të vona”.
Siç dihet, para pak dite presidenti amerikan, Donald Trump, e kishte përmendur sërish Kosovën, deri sa ishte duke darkuar me kryeministrin izraelit, Benjamin Natanyhau në Shtëpinë e Bardhë. Shefi i Zyrës Ovale, në bisedë e sipër, pohon se “ne bëmë një punë të mirë me Indinë dhe Pakistanin, gjithashtu me Serbinë dhe Kosovën, Ruandën dhe Kongon. Dhe e gjithë kjo ndodhi gjatë tre javëve të fundit a më shumë, apo jo Marko? Dhe (ne ndaluam) të tjerë që ishin gati të luftonin, dhe ne ndaluam shumë përleshje. Mendoj se ndaluam shumë luftëra të mëdha të them të drejtën. I ndaluam ato përmes tregtisë”.
Ndërkohë, ditë më parë, lidhur me pretendime të tilla të presidentit Trump, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një intervistë për mediumin Tëvë1, kishte deklaruar se nuk kishte informata të tilla. Por duke mos e përjashtuar mundësinë që amerikanët t’i kenë ato.
Megjithatë, sjellja politike presidentes Osmani, në raport me informatat që ajo i ka poseduar për këtë rrezik potencial nga Serbia, ngre shumë hamendje, pikëpyetje dhe dilema, se e ka qenë edhe ajo një nivelin e detyrës kur e kërkojnë situata të tilla emergjente.
Fillimisht, nga aktiviteti i saj publik nuk është parë ndonjë mobilizim sa i përket punëve të zakonshme dhe rutinore presidenciale. Për më shumë, sipas kompetencave kushtetuese të Republikës së Kosovës, presidentja e shtetit mund të kërkojë mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës dhe i kryeson ato në kohën e Gjendjes së Jashtëzakonshme. Prandaj, është me rëndësi të dihet për opinionin publik se a ka tentuar e njëjta ta bëjë një gjë të tillë? Apo e ka injoruar, sepse tashmë ajo e konsideron Qeverinë e Kosovës, pa mandat legal dhe nuk ka parë të arsyeshme të koordinohet për këtë temë. Po ashtu, presidentja Osmani gjatë kësaj kohe është takuar me liderët e partive politike me qëllim të kërkimit të një rrugëzgjidhje për bllokadën politike në Kuvendin e Kosovës. A ka biseduar ajo me liderët e subjekteve politike edhe për këtë temë, apo vetëm për konstituimin e Kuvendit.
Me këtë rast, është më rëndësi të saktësohet edhe koha se kur ka mundur të ndodh ky sulm eventual nga Serbia, sepse gjatë këtij harku kohor, e para e shtetit është parë duke bërë vizita në vende të ndryshme të botës. Fillimisht nga 12 qershori në shtetin e largët e të Japonisë. Dhe me datë 18 qershor e tutje në atë të Hungarisë. Pra si është e mundur që një presidente e shtetit, kur vendi i saj ka gjasa të sulmohet, zgjedh të jetë jashtë vendit, aq më tepër kur asnjë instancë tjetër e pushtetit, përpos asaj nuk ka mandat legal e legjitim? Pra ajo përcaktohet të mos jetë në “krye të detyrës” atëherë kur është mëse e domosdoshme, sidomos kur dihet se e njëjta është Komandante Supreme e Forcave të Sigurisë të Kosovës.
Nëse hipotekisht informata të tilla ajo i ka “mbajtur vetëm për vete” pa u koordinuar me strukturat tjera të sigurisë shtetërore dhe ka vendosur t’i bëjë publike vetëm në katedra private universitare,( pretendime këto që duhet të verifikohen), atëherë një sjellje e tillë nuk është asgjë tjetër, pos një rrezikim i interesave shtetërore. Shprehje mentalitetit se shteti është vetëm për ta përfaqësuar formalisht, kurse mbrojta dhe siguria e tij mbesin në kompetencë të strukturave ekstra-legale ndërkombëtare. Ngjashëm sikur në periudhën e administrimit të plotë ndërkombëtar të parapavarësisë.
Ndonëse nuk përjashtohet mundësia që as Presidentja të mos ketë pasur informata të kësaj natyre, por që duke marr shkas nga deklarimi i presidentit Trump, e ka shfrytëzuar rastin për përfitime të brendshme politike, duke tentuar të shfaqet si i vetmi autoritet në Kosovë që amerikanët i ndajnë të dhëna të tilla sensitive në Kosovë, pasi vetë kryeministri në detyrë Albin Kurti, e pranoi publikisht se ai nuk i ka ato.