Shkruan: Afrim Kasolli
Prej se është bllokuar dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që drejtohet nga Brukseli, kohë pas kohe pushteti në Kosovë ka hedhur akuza ndaj dy ndërmjetësuesve të këtij procesi se me veprimet e tyre e kanë dëmtuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dy vendet ishin pajtuar me Marrëveshjen bazë të Brukselit si dhe Aneksin e zbatimit të Ohrit, në funksion të këtij pajtimit “historik”, sipas planit franko-gjerman. Mirëpo, për kryeministrin Kurti, por edhe për zyrtarë të tjerë të Qeverisë së Kosovës, dy përfaqësuesit e BE-së, e kanë humbur kredibilitetin e tyre neutral dhe se kërkesat e Serbisë i kanë shndërruar në kërkesa të Unionit, çfarë ka ndikuar që ky fundit të ketë rol asimetrik.
Prandaj, është kalkuluar se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mund të vendoset në binarë të duhur diplomatike vetëm me ndryshimet politike që mund te ndodhin në shërbimin për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, instancë kjo që është përgjegjëse për mbarëvajtjen e negociatave, rezolutës se OKB-së së vitit 2010. Hapi i parë sipas shefit të Qeverisë së Kosovës duhet të jetë presioni mbi presidentin Aleksandër Vuqic, për ta nënshkruar këtë marrëveshje si parakusht për zbatim. Në këtë rast detyra e parë e trashëgimtares së Joesp Borrellit, do të duhej të ishte detyrimi i liderit serb për ta plotësuar këtë obligim. Por mënyra se si tashmë BE e konsideron këtë marrëveshje është bërë e qartë në Raportin e Progresit si për Kosovën ashtu edhe Serbinë për vitin 2024. Në këtë dokument thuhet qartë se ajo e ka karakterin e një Marrëveshje obligative ligjore ndërkombëtare për të dyja vendet dhe se nuk janë marrë në konsideratë kërkesat Albin Kurtit.
Për më shumë, se as ndryshimi i emrave të përveçëm të shërbimit diplomatik të BE-së, nuk do të prodhonte një kthesë radikale u vërtetua edhe gjatë ekspozimit të prioriteteve të shefes së re të Politikës së Jashtme, Kaja Kallas, para deputetëve të Parlamentit Evropian në Komisionin e Politikës së Jashtme, në seancën ku ajo duhet të konfirmohet në postin e ri. Sipas mediumit Evropa e Lirë, ajo demonstroi një indiferencë të theksuar ndaj kësaj teme, dhe e cila realisht është nën kompetencat e plota të saj. Në këtë seancë, ajo më shumë u fokusua për luftën në Ukrainë, rrezikun nga Kina, por jo edhe për Ballkanin Perëndimor me theks të veçantë dialogun Kosovë-Serbi.
Se është iluzion qasja e pritjes së Qeverisë së Kosovës, ku me ndryshimet në hierarkinë e institucioneve të BE-së, do të prodhohej një realitet më i favorshëm, e kam trajtuar në shkrimin “Kufizimet e Kaja Kallas për dialogun Kosovë-Serbi”.
Atëbotë pata shkruar se si një estoneze për të padyshim se ajo do të jetë më shumë e fokusuar nga lufta në Ukrainë si dhe frenimi i ambicieve imperialiste të Putinit. Ngase ajo është e vetëdijshme, se nesër shteti i saj edhe pse vend anëtar i NATO-së, nuk mund te jetë imun nga synimet agresive të Kremlinit, nëse ky i fundit nuk ndalet në Ukraine.
Po ashtu, menaxhimi i rrezikut te dyfishte që sot e paraqet Kina për Evropën mbetet sfidë tjetër. Sepse ky vend i largët aziatik, siç shkruajnë Liana Fix dhe Heidi Crebo-Rediker, në shkrimin “China’s Double Threat to Europe- Hoë Beijing’s Support for Moscoë and Quest for EV Dominance Undermine European Security” te botuar në Foreign Affairs, paraqet kërcënim të dyfishtë për Evropën. Fillimisht, me anë të ekspansionit ekonomik po rrezikon ta shndërrojë tregun evropian në supermarket të mallrave kineze, kurse në anën tjetër duke e furnizuar makinën luftarake te Rusisë po e zgjat vazhdimin e luftës në kontinent dhe kështu duke e rrezikuar edhe me tej paqen dhe sigurinë evropiane. E te mos flasim për shtimin e sentimenteve te brendshme publike gjithnjë e me skeptike ne shtetet e ndryshme nacionale në raport me BE-në. Ku sa me shumë po thellohet kriza aq me tepër po rritet frustrimi në mundësitë që mund te ofrojë Unioni Evropian.
Këtyre sfidave tashmë i është shtuar edhe fitorja e kandidatit republikan Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA, i cili ka paralajmëruar se krahas Kinës nuk do t’i kursejë as shtetet evropiane nga tarifat tregtare për mallrat e tyre, por edhe në anën tjetër do ta shtojë presionin mbi to për t’i rritur edhe më shumë shpenzime ushtarake në fushën e mbrojtjes. E të mos flasim këtu edhe për strategjinë e tij shpërfillëse ndaj lidhjeve trans-atlanike, çfarë do ta dobësojë edhe më shumë funksionin e Brukselit. Ndërkohë, në pozitë më imune nuk ndodhen as liderët e Francë dhe Gjermanisë, Emanuel Macron dhe Olaf Scholz, si mbështetësit kryesor të planit franko-gjerman. I pari tashmë ka dëshmuar se e ka humbur përkrahjen qytetare në vendin e tij, kurse partia e të dytit pritet të jetë e treta në zgjedhjet e parapara parlamentare në Gjermani në fillim të vitit 2025.
Ky realitet i zymtor tregon edhe sa naive është qasja e Albin Kurtit së pari Brukseli e tani Uashingtoni. Sepse nëse ky fundit nuk ka pasur shansa ta dëshmoi vetën edhe me mbështetjen e të parit. Atëherë aq më pak mund të pritet në katër vitet e ardhshme. /TV Arbëria