Shkruan: Afrim Kasolli
Kam shkruar edhe dje mbi paqëndrueshmërinë e pohimeve të kryeministrit Edi Rama, se Kosova nuk mund të gjejë mik më të mirë se sa Presidenti Erdogan. Sepse miqësia e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi me liderin turk, do të kushtëzohet në masë të madhe nga dinamikat e raporteve të këtij te fundit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me këtë rast, nuk ka dëshmi më të madhe për ta përgënjeshtruar atë “keqpërdorim diplomatik” të Kosovës, për nevoja momentale nga kryeministrit Rama, se sa vizita e djeshme e presidentit të Republikës së Turqisë në Beograd. Dhe atë jo pse ka shkuar në atë shtet, apo natyrën e investimeve që janë planifikuar të bëhen në Serbi, ku siç u tha, “Turqia dhe Serbia kanë vendosur të punojnë së bashku për t’i zhvilluar industritë e veta të mbrojtjes”. Është e drejtë e këtyre shteteve që të rrisin dhe thellojnë bashkëpunimin e tyre në çdo sferë të jetës.
Mirëpo, ajo që ishte simpomtike gjatë kësaj vizite mbetet darka glamuroze, jo vetëm me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq,por edhe me liderin e serbëve të Bosnjës Millorad Dodik. Dhe ky event, më mirë se asgjë tjetër, tregon hapur për orientimin politik të lideri të turk. Se ai nuk e ka telashe të ketë raporte të mira edhe me ata që janë madje edhe kundër myslimanëve në tërësi.
Vlen të kujtohet se, Milorad Dodik, ndodhet në listën e zezë të SHBA-ve, pikërisht për shkak të ambicieve të tij secesioniste ndaj Bosnjës, me synim shkëputjen e Republikës Serbe nga ky shtet. E siç dihet ky entitet është projekt i politikës gjenocidiale ndaj myslimanëve të Bonjës që u zbatua gjatë luftës 1992-1995. Ndërkohë, kjo tendencë për shkëputje, është konkretizuar veçanërisht me deklaratën e “Kuvendit Githëserb” e cila nuk është asgjë tjetër pos vazhdim projektit të Botës Serbe. Madje, pikërisht koha kur ishte miratuar kjo deklaratë i shpërfaq këto motive revanshiste. Sepse ajo u aprovua pak ditë pas miratimit të Rezolutës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara që e shpall 11 korrikun “Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë”.
Në këtë kontekst, ky darkim nuk është asgjë tjetër, pos shpërfillje e përpjekjeve të SHBA-ve për ta ruajtur me çdo kusht Bosnjën si shtet dhe legjitimim ndërkombëtar i aspiratave separatiste të liderit të serbëve të atij shteti.