Këtë javë Prokuroria e Dhomave të Specializuara, ndërmori një fushatë të re ndaj përfaqësueseve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po gjykohen në Hagë. Në funksion të kësaj fushate u arrestuan, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, si dhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmoreve, Fahri e Bahri Fazliut.
Ndaj të treve rëndon akuza “për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”, Ndërkohë i njëjti institucion në orët e vona dje bëri të ditur se ka dorëzuar aktakuzë ndaj Hajredin Kuçit, si dhe ka ngritur një aktakuzë të re ndaj Thaçit më pretendimin se së paku “midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë” shkruan aktakuza.
Ky zhvillim, ka nxitur një reagim të madh në Kosovë. Njohësi i çështjeve juridike, Ardian Bajraktari i ka quajtur të turpshme veprime të tilla. Sipas tij, kjo “gjykatë ka nisur për transplant organesh, në kohë kur njerëzit kanë vdekur nga mungesa e trajtimit mjekësor. Si një “rast i madh” pa prova kredibile materiale e i bazuar vetëm në dëshmi të lëkundshme e të fabrikuara, është e natyrshme që Prokuroria speciale po e vëren dështimin. E për ta mbuluar këtë disfatë ajo tash po inskenonin aktakuza për pengim të drejtësisë kinse dështimi po ndodh për shkak të ndikimi në dëshmitarë, e jo për shkak të punës jo profesionale, e jo për shkak të punës totalisht jo profesionale të Prokurorisë”, ka përfunduar Bajraktari.
Siç dihet, kjo gjykatë e ka bazën në raportin e ish-senatorit kontrovers zviceran, Dick Marty, i cili u paraqit për miratim para Këshillit të Evropës. Mirëpo, instalimi i këtij “monstrumi juridik” sipas ish-ministrit të Britanisë së Madhe për Evropë, Denis MacShane, ishte pasojë e faktit se “raporti i Martyt ishte një vegël e Rusisë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-së, dhe se ky raport në Këshillin e Evropës reflekton politizimin e kësaj organizate nga Rusia që nga anëtarësimi i saj në vitin 1995”.
Pra politikisht, kjo nismë nuk ishte asgjë tjetër, pos përpjekje për t’i demonizuar me çdo kusht drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si pasojë ndikimit të Rusisë shumë vende të BE-së.
Kosova u pajtua për ta themeluar atë me qëllim që të marrin fund një herë e përgjithmonë këto fabrikime të shërbimeve sekrete ruse dhe serbe edhe ndërkombëtarisht.
Duke qenë se ato u diskredituan dhe rrëzuan nga vetë ish-prokurori, Clint Williamson, pa filluar mirë puna e kësaj gjykate, atëherë qarqet që e mbështesin e atë, u angazhuan në një drejtim tjetër, që të gjejnë “prova” për ta ekspozuar luftën çlirimtare si luftë të brendshme sektare dhe civile, e jo si një kryengritje kundër regjimit gjenocidial të Milosheviqit, çfarë e kishte detyruar edhe Aleancën Veri-Atlantike të intervenonte.
Prandaj, vazhdimi i punës së saj mbi këtë bazë vetëm sa e legjitimon politikisht regjimin shtypës të Miloshevicit në Kosovë. Por edhe me implikime tjera ndaj çdo lufte çlirimtare. Nga TV Arbëria