Para pak dite, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kishte deklaruar se do të vazhdohet presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe Serbisë, që t’i zbatojnë obligimet e tyre nga marrëveshja e arritur para një viti, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ndonëse, ky zyrtar evropian, nuk e bëri të qartë se për çfarë presioni konkret është fjala. Madje, siç dihet Kosova ka kohë që është vendosur nën masa sanksionuese nga Bashkimi Evropian, për shkak të asaj Brukseli e konsideron si sjellje që ka ndikuar në tensionimin dhe eskalimin e situatës në veri.
Mirëpo, gjatë vizitës së fundit në Kosovë, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriell Escobar i “shokoi” të gjithë, kur deklaroi se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës që të jetë i mundur, krahas zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e 24 hektarëve tokë si pronë e Manastirit të Deçanit, si kriter shtesë mbesin edhe vendimi për themelimin e Asociacionit edhe ai për shpronësimet në veri.
Siç duket bashkësia ndërkombëtare ka vendosur ta shfrytëzoi këtë rast, për ta detyruar Prishtinën që të marrë hap konkret edhe në drejtim të themelimit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe, një kërkesë kjo e kahershme e Uashingtonit dhe Brukselit ndaj Kosovës. Lirisht mund të themi se këtë presion tashmë e konfirmon edhe raporti i raportueses për këtë proces, znj.Dora Bakojanis.
Në këtë dokument që e ka siguruar Kanal 10, shkruan qartë se, “Asambleja Parlamentare pret që qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa thelbësorë dhe të prekshëm me qëllim të krijimit të Asociacionit sa më shpejt të jetë e mundur. Asambleja konsideron se themelimi i Asociacionit duhet të jetë i dukshëm në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”.
Këtu duhet kujtuar, se edhe në komunikatën zyrtare të këtij institucioni ditën e rekomandimit nga Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës për Asamblenë Parlamentare të Këshillit për anëtarësimin e Kosovës ishte thënë qartë se ky trup e mori këtë vendim, duke pasur parasysh edhe marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit 2023, të arritura në dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe rëndësinë që të gjitha palët t’i zbatojnë ato në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.
/TV Arbëria