Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A është Zohran Mamdani ana tjetër e medaljes së Donald Trump-it?

A është Zohran Mamdani ana tjetër e medaljes së Donald Trump-it?

Shkruan: Afrim Kasolli

Të gjitha hulumtimet e opinionit publik kanë treguar se kandidati i Partisë Demokratike, për qytetin e New Yorkut, Zohran Mamdani, i ka gjasat reale që ta fitojë pozitën e kryetarit të këtij qyteti.

“Lehtësia” me të cilën ky politikan me prirje të majta e me origjinë nga Uganda, e ka pushtuar skenën e këtij metropoli global ka shkaktuar sensacion. Ndër premtimet e tij më të njohura kanë qenë ato për “ngrirjen e çmimit të qirave të banimit, rritjen deri në 1 për qind të taksave për super të pasurit e deri të ofrimi i shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e New Yorkut.

Kohë më parë mediumi i njohur britanik “The Guardian” shkruante se si klika e oligarkëve në të dy partitë politike në SHBA janë bashkuar për minuar suksesin elektoral të Zohran Mamdanit. Pjesë e këtij fronti është bërë edhe Presidenti Trump. Madje ky i fundit është zotuar se nëse këtë kompeticion e fiton demokrati socialist, do ta privojë qytetin e New Yorkut nga fondet federale, si dhe nuk do të ngurojë t’i dërgojë trupat ushtarake të Gardës Kombëtare si garanci për rend dhe ligj.

Megjithatë, pavarësisht këtij antagonizmi ndërmjet kryetarit të SHBA-ve dhe kryetarit potencial të qytetit të më të madh në atë shtet, shihet qartë se ata janë produkt i të njëjtave forcave politike dhe sociale që janë fermentuar kohën e fundit në politikën amerikane. Madje edhe gjuha e tyre është e ngjashme ndonëse në referenca të ndryshme.

Në disa tubime elektorale, Zoran Mamdani dëgjohet qartë duke premtuar para mbështetëseve të tij se si do t’ua rikthej qytetin atyre. Se nuk do të lejohet që ai më të qeveriset nga elitat e korruptuara dhe tjetërsuara nga populli dhe se tashmë jemi më afër kurrë për ta kthyer përsëri në duart e përbashkëta. Premtime të tilla nuk janë asgjë tjetër pos simulim në nivelin “mikro-politik” i narracionit populist të presidentit Trump në nivelin “makro-politik” amerikan pwr rikthim tw sovranitet nacional, si nga forcat globale ekonomike ashtu edhe nga presionet e emigracionit.

Në këtë kontekst, suksesi elektoral si i njërit ashtu edhe i tjetrit, po dëshmon per thellimin gjithnjë e më të madh të pakënaqësive publike që janë shtresuar ndër vite në shoqërinë amerikane me mënyrat se si kanë shkuar gjërat deri më tani. Sipas hulumtimeve të opinionit publik, sot deri në 60 për qind e shoqërisë amerikane, janë të dëshpëruar me mënyrën se si është duke funksionuar demokracia si sistem politik.

Percepcioni se qytetarët e zakonshëm amerikanë kanë mbetur pas, është bërë burim i pakënaqësive masive. Ndenja se fituesit i marrin të gjitha dhe humbësit asgjë po shndërrohet në ushqim elektoral për përfitime politike si për popullzimin e së djathtës ashtu edhe së majtës. Donald Trump dhe Zoran Mamdani mund të jenë vetëm simptomat e para të epokës së re “të ekstremeve politike”. /TV Arbëria