Shkruan: Agron Hoti
Pushtetet e kaluara e kanë çliruar, pavarësuar dhe shtetndërtuar Kosovës nga A-Zh. Bazë e shtetit dhe Kushtetutës ka qenë Plani i Mixhës Ahtisar me një Kosovë multietnike me Asociacionin në zgop.
Serbia s’e ka njohur as Planin e Mixhës Ahtisar e as shtetin e Kosovës, përkundrazi vazhdon të na luftojë edhe sot. Që i binte se Serbia në fillim as që e përmendte Asociacionin, sepse asaj në fillim i digjte humbja e Kosovës si e tërë e për të cilën ajo e kishte ndërtuar tërë mitin e kombit dhe shtetit serb.
E kur Serbia e pa që ne e bëmë Asociacionin axhendë të brendshme për pushtetardhje dhe se Kosovën si të tërë ajo s’mund ta rikthente më, atëherë ajo bashkë me Rusinë dhe aleatë të tyre filluan t’i frynin përçarjes sonë duke kërkuar ndarjen e veriut.
E ne, sa më shumë që e kundërshtonim themelimin e Asociacionit, aq më i madh na bëhej ai. Bile pushteti aktual duke e kundërshtuar themelimin e Zajednicës sa ishte në opozitë, sapo erdhi në pushtet, me lehtësi pothuajse të padurueshme, bile edhe nën maskën e patriotizmit, e nënshkroi dhe e rriti atë në Samoupravnicë (autonomi) për serbët e veriut.
Mjerisht, sot të gjitha kushtet politike, ligjore e administrative janë plotësuar për themelimin e Samoupravnicës menjëherë pas zgjedhjeve lokale.
Po pse janë plotësuar kushtet? Sepse Kosova e ka humbur autoritetin politik dhe administrativ në veri, serbët na lanë të gabojmë atje duke u tërhequr nga institucionet me ç’rast e fituan përkrahjen perëndimore, tash punën e serbëve po e kryen Perëndimi i mbështetur mjerisht në terren edhe nga Serbia e Rusia duke na e kërkuar që të gjithë në sinkron themelimin e Samoupravnicës, për çfarë edhe na ka izoluar Perëndimi dhe na ka futur nën sanksione si të vetmit në Perëndim dhe Evropë.
A s’e deshe hutin, pra integrimin e ngadalshëm të veriut, prite Daut Zezën, pra dezintegrimin e veriut, saktësisht siç jemi sot. Edhe fëmijët e dinin që integrimi i veriut do të zgjaste shumë dhe do të ishte proces i vështirë. Na e kanë thënë me qindra herë miqtë tanë dhe jemi bindur edhe vetë për të. Por ne, në vend që përkundër vështirësive t’i frynim integrimit që na e kërkonte me ngulm Perëndimi, zgjodhëm dezintegrimin, pra nënshkrimin me letra të Samoupravnicës.
Të vetëdijshme për këtë fakt, partive tona pa përjashtim po u konvenon sot kaosi politik që mos ta marrin pushtetin deri para themelimit të Samuopravnicës, në mënyrë që kurdo që do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare të arsyetoheshin para qytetarëve se serbët e veriut në bashkëpunim me Perëndimin e formuan vetë Samoupravnicën, duke u munduar kështu ta fshehin faktin që ishin vetë ato (partitë tona pa përjashtim) që e kishin nënshkruar një gjë të tillë.
Më pas partitë tona pa përjashtim do t’i thonë njëra tjetrës “më rrove, të rrova, brisku i berberit” që ‘përkthyer’ në gjuhë popullore i bie kështu: ne e nënshkruam Asociacionin që ju e quanit Zajednicë, kurse ju e rritët atë në Samoupravnicë. Prandaj, tërë kjo gjurollti politike është për t’i ikur përgjegjësisë së themelimit të Samoupravnicës. Dhe në këtë kuadër, pyetja që qetësisht duhet shtruar është kjo: a është vënë Kushtetuesja në funksion të politikës?