Shkruan: Afrim Kasolli
Sikur të mos mjaftonin telashet me administratën aktuale të presidentit Trump, për shkak të presionit të këtij të fundit që shtetet anëtare të NATO-së, të investojnë deri në 5 për qind të prodhimit të tyre të brendshëm bruto në mbrojtje, si dhe tarifat tregtare ndaj prodhimeve më origjinë nga BE-ja, skena politike evropiane, të paktën politika zyrtare në disa prej shteteve kryesore të saj po katandiset gjithnjë e më shumë në një gjendje kaotike.
Gjatë ditës së sotme kryeministri francez François Bayrou, do t’i nënshtrohet votës së votëbesimit nga parlamenti i këtij shteti. Sipas të gjitha gjasave ai do ta humb atë, duke e futur vendin në një paralizë të re politike dhe qeverisëse. Skena politike në Francë mbetet e fragmentarizuar ndërmjet të majtës dhe të djathtës ekstreme, të përfaqësuara nga partia e Tubimit Kombëtar të Marine Le Penit.
Rezistenca ndaj kryeministrit aktual është e lidhur me projektin e tij për reduktimin e shpenzimeve buxhetore si parakusht për zvogëlimin e borxhit publik. Megjithatë, sipas shumë analistëve ndërkombëtarë, kjo krizë ka rrënjë më të thella. Dhe ajo është shprehje frustrimit të shtuar qytetar në elitën politike të vendit dhe percepcionin se kjo e fundit nuk është më në shërbim të interesave të publikut. Besueshmëria aktuale e opinionit francez në presidentin Emmanuel Macron, është në nivelin më të ulët të mundshëm. Sipas matjeve të fundit, vetëm 15 për qind e shoqërisë franceze, besojnë ende se i njëjti është lideri i duhur për t’i dhënë zgjidhje krizave politike në vend. Një klimë tillë kaotike pashmangshëm se ka implikime edhe në kuadër të BE-së, sepse është fjala për ekonominë e dytë në kudër të Unionit.
Një atmosferë e elektrizuar është duke e shoqëruar edhe Britaninë e Madhe. Edhe pse jo vend anëtari i BE-së, megjithatë që nga lufta e Ukrainës, është shtuar tej mase roli i vendit ishullor në sigurinë e përbashkët evropiane. Pa kalaur një vjet nga fitorja masive e Keir Starmer, lideri laburist është duke u përballur më një krize serioze politike. Zëvendës kryeministrja e këtij shteti u detyrua të jap dorëheqje nga kjo pozitë pas dështimit për të paguar tatimet për banesën e saj në vlerë 800,000 funta. Mirëpo, rënia e popullaritetit të qeverisë labursite lidhet edhe me dështimin e saj ndaj emigracionit çfarë ka shkaktuar shtimin preferencave të qytetarëve britanikë për Nigel Farage, liderin e partisë britanike kundër migrimit, “Reforma në Mbretëri të Bashkuar”.
Situata nuk është më shpresëdhënëse as në Gjermani, pavarësisht stabilitetit aparent të Qeverisë së drejtuar nga Friedrich Merz. Qytetarë anë kënd shtetit janë duke protestuar kundër emigracionit, një temë kjo që është shndërruar në terren pjellor për fuqizimin gjithnjë e më shumë partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë. Kjo e fundit, jo shumë kohë më parë është kualifikuar nga agjencitë informative në Gjermani si parti ekstreme dhe që përfaqëson doktrina që bien në kundërshtim me vlerat demokratike të këtij shteti.
Të gjitha këto zhvendosje tektonike tashme flasin qartë se disa prej shteteve kryesore evropiane ndodhen ne fillet e një orteku të madh