Shkruan: Afrim Kasolli
Është bërë e zakonshme që Albin Kurti të akuzohet nga oponentët e tij, por edhe nga analistë të ndryshëm, si shkaktari kryesor i përçarjes dhe polarizimit shoqëror. Se i njëjti e ka cenuar unitetin romantik dhe bukolik, të cilin ne kolektivisht si shoqëri duhet ta mirëmbajme si parakusht për progres. Por shtrohet pyetja, se a mos me këtë akuzë ata vetëm sa po nderojnë atë? Sepse me inaugurimin e konfliktit dhe antagonizmit në trupin tonë shoqëror ai ka krijuar kushte per rishfaqjen e politikës ashtu siç është ajo, si terren i antagonizmit dhe konfliktit si dhe i ka shtruar premisat për fuqizmin e demokracisë radikale, por që mjerisht nuk po shfrytëzohet nga kundërshtaret e tij.
Ndërkohë, ata që e sataniziojne këtë cilësi ka gjasa që të jenë ende peng të pandehemave mbi konsensusin liberal, ku në vend të betejës kundër ketij përçarësi, vajtojnë ditë e natë se pse ai nuk është i gatshëm për marrëveshje me ta, si dhe kanë shpresa se një ditë Albin Kurti do të bëhet racional duke ua shtrirë dorën e bashkëpunimit idilik.
Por, siç ka vënë në pah toericienja e spikatur politike Chantel Mouffe, në një sërë veprash “konflikti dhe pasioni janë të domosdoshëm për një shoqëri demokratike dhe të shëndetshme”.
Çdo politikë e zhveshur nga këto shtysa nuk është me poltikë, ajo është administrim. Pandehma e suspendimit të konflikteve u përdor si hegjemoni ideologjike nga elitat liberale te pas Luftës së Ftohtë si mjet për ta konservuar dominim e tyre. Mjafton që ata që ishin në krye, pavarësisht dallimeve formale partiake të merreshin vesh ndërmjet tyre dhe çdo gjë të shkonte për mrekulli. Kjo beri qe Partia Demokratike dhe ajo Republikane në SHBA, Konservatore dhe Laburiste në Britani, Demokrasitiane dhe Social Demokrate në Gjermani, por edhe në shumë vende të tjera të botës t’i ngjanin gjithnjë e më shumë njëra-tjetres, ashtu siç ka pohuar Hegeli, sikur lopët e zeza që nuk dallojnë ndërmjet vete natën.
Ne këtë kontekst, mos durimi shoqëror ndaj këtij rendi gjeti shprehje në revoltat populiste.
Prandaj, ka ardhur që edhe në Kosovë partitë opozitare të zgjohen nga kotja dogmatike e unitetit të munguar. T’i shfrytëzojnè mundësite e demokracisë radikale që duke e afirmuar konfliktin agonistik kundër Albin Kurtit të shndërrohen në përfaqësuese politike te asaj pjese shoqërore të paknaqur me qeverisjen e tij.
Në fund të fundit, Albin Kurti e ka bashkuar 50 për qind të elektoratit rreth “karizmes” së tij. Nëse ka fragmentarizim ai dominon ndërmjet partive opozitare. Ngase siç duket ende strukturat e tyre drejtuese janë duke e perceptuar politiken, jo si terren për mobilizim antagonist kundër një hegjemonie, por si trampoline për të negociuar interesat e tyre brenda saj. Iluzion ky që po i pengon të bashkohen, për ta kuptimisuar politikisht përçarjen shoqërore.