Shkruan: Afrim Kasolli
Çdo ditë e me shumë po e bëhet e qartë se nëse Qeveria e Kosovës do të drejtohet nga e njëjta strukturë e pushtetit, ajo do të ketë telashe me administratën e re amerikane. Ditë më parë i emëruari i presidentit Donald Trump, për misione të posaçme ka deklaruar se raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së për herë të parë gjatë këtyre 35 viteve janë në krizë për shkak të veprimeve të Albin Kurtit. Sipas tij “Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti, që të gjithë kishin marrëdhënie të shkëlqyeshme me Republikanët dhe Demokratët në Amerikë. Hera e vetme në 35 vite kur marrëdhëniet Kosovë – ShBA (edhe Kosovë – BE) u bënë partizane dhe në krizë, janë me Albin Kurtin kryeministër”. Një dëshmi kjo, që si duket ish- ambasadori amerikan në Gjermani, nuk i ka harruar tensionet ndërmjet kryeministrit Kurti dhe atij gjatë mandatit të parë të administratës Trump.
Relaksimit të tyre nuk i ka kontribuar as e përpjekja e kryeministrit Kurti, për ta relativizuar përmasën e tyre gjatë një interviste në Kosova Press, kur deklaroi se në raport me Amerikën kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme”, apo se konfliktet në të kaluarën me Richard Grenellin nuk do të ndikojnë në raportet tona”. Sepse ky i fundit “ ka detyrë për Korenë e Jugut, (duke e huqur shtetin) Venezuelën dhe misione të posaçme”. Ndërkohë, as tentimi për ta mikluar pushtetin e ri në Uashington nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nuk dha rezultate. I pari i Kuvendit vetëm pasi shkoi në opozitë Partia Demokratike e akuzoi ish presidentin Obama dhe Joe Biden, se “e kanë dëmtuar Kosovën në raport me Serbinë. Sipas tij, prej vitit 2011, këto dy administrata e kanë vendosur Kosovën në pozitë të disfavorshme”Por ndaj këtij konstatimi reagoi pa humbur kohë, përsëri i njëjti zyrtar i Administratës Trump. Ai pohoi se të njëjtit, “shpenzuan katër vite duke e lavdëruar Joe Bidenin dhe morën pjesë në konventat dhe festat e tyre. Pse s’ankoheshin më parë”. Pyetje kjo që e përçon edhe një lloj mesazhi se për Amerikën e Trumpit, koha juaj ka kaluar.
Natyrisht, kjo e fundit do të varet edhe nga rezultati zgjedhor. Sepse fjalën përfundimtare do ta kenë qytetarët e Kosovës se çfarë konfiguracioni do të kenë partitë politike. Mirëpo, nëse Lëvizja Vetëvendosje, nuk arrin ta tejkaloje “pragun e saj zgjedhor”(diçka që na bazë të rrethanave aktuale duket e pamundur) me qëllim që të jetë në gjendje ta formojë e vetme Qeverinë, vështirë që njëra nga partitë opozitare do të bëhet pjesë e ndarjes së tortës së pushtetit me një subjekt që do të ketë telashe me superfuqinë planetare. Dhe kjo, jo pse ato nuk e lakmojnë këtë të fundit, apo do ta kishin telashe të bashkëqeverisnin me Albin Kurtin,por nga frika mbi pasojat e pa parashikueshme që do të kishte edhe për ato një skenar i tillë.
Prandaj, nëse dështon që partia e parë t’i pri valles së themelimit të institucioneve të dalura nga zgjedhjet e 9 shkurtit, atëherë stafeta do t’i kalojë partisë së dyte opozitare. A do të arrijë kjo të krijojë koalicion me partitë tjera humbëse të zgjedhjeve, apo vendi përsëri do të shkojë në zgjedhje të parakohshme mbetet të shihet?
Mirëpo, në rast të realizmit të skenarit të parë, atëherë shtrohet pyetja se do të jetë i përgatitur pushteti i partive opozitare për t’u ballafaquar me administratën Trump? Ashtu siç e ka bërë të ditur si gjatë fushatës elektorale, por edhe me të marr pushtetin, presidenti amerikan i qëndron besnik zotimit të tij për marrëveshje sa më shpejt që te jetë e mundur në zona të nxehta gjeopolitike. Madje, analistë të ndryshëm ndërkombëtar kanë vënë në pah se kryesisht presioni i tij mbi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, ndikoi që ky i fundit ta pranoi armëpushimin me Hamasin për luftën në Rripin e Gazës, edhe pse të njëjtin kishte kohë që e refuzonte. Por e njëjta gjë mund te thuhet edhe për Hamasin. Ndërkohë, hiç më larg se dje ai e kërcoi presidentin Putin që nëse nuk i pranon termat e marrëveshjes për ndalimin e Luftës në Ukrainë, do të përballet me presione dhe masa shtesë, sipas doktrinës tashmë të njohur të tij, “paqe përmes forcës”.
Më këtë rast nuk përjashtohet mundësia që e njëjta logjikë të aplikohet dhe sa i përket procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tashmë diplomatë të ndryshëm kanë pohuar se presidenti Trump nuk do të jetë i kënaqur më zvarritjen e pafund të këtij procesi, dhe se ai do të kërkojë finalizimin e tij. Mirëpo, aktualisht në tavolinë ndodhen vetëm Marrëveshjet e dakorduara në Bruksel ku fillimi i zbatimit të detyrimeve te tyre me theks të veçantë themelimit të Asociacionit nga ana e Kosovës, do të shtrohet si detyrë urgjente. Ose edhe mund të mos përjashtohet, siç e tha i-sh-këshilltari për siguri kombëtare në mandatin e parë, z. John Bolton, as opsioni i “korrigjimit të kufijve”.
Secila prej këtyre zgjidhjeve do të jetë më vështirë se tjetra, për shkak të klimës politike që dominon brenda Kosovës. Prandaj, me të drejtë mund të shtrohet pyetja se sa janë partitë opozitare të përgatitura nëse do të jenë në pushtet, me kërkesat amerikane për marrëveshje të menjëhershme me Serbinë, për secilën nga dy variantet e sipër përmendura. Muaji i mjaltit në politike përfundon shpejt. Siç është dëshmuar historikisht, edhe në këtë rast nuk mund të ketë shpëtim nga ajo thënia e njohur se “çdo kurorë ka brenda vetes edhe shkëlqimin edhe helmin”./tvarbëria/