Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë seancës së djeshme në Kuvendin e Kosovës, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, duke e gorifikuar qeverisjen e tij se si ajo paska qenë e suksesshme ndër të tjera pohoi se “aktualisht vendi ynë nuk ka krizë ekonomike, sepse po të ishte e kundërta do të kishte protesta qytetare”. Prandaj, sipas tij ka vetëm ankesa opozitare, mbase nga mllefi për sukseset e Kosovës.
Por shtrohet pyetja sa është i qëndrueshëm ky pretendim i Albin Kurtit? A mund të merret ky fakt si shenjë se Kosova nën “regjimin e ri” po jeton në kushtet e parajsës post-historike dhe se tash e tutje nuk ka asnjë arsyeje politike dhe ekonomike për revoltë qytetare? Dhe se me të në majat kulmore të pushtetit merr fund rrugëtimi historik i Kosovës. Apo është e kundërta, se kjo qetësi e rrejshme është pasojë e molisjes së një shoqërie të tërë ku tashmë është bërë imune nga çdo anomali.
Personalisht, në disa shkrime e kam adresuar këtë paradoks. Sidomos kur marrim parasysh faktin se shumë hulumtime të opinionit publik të realizuara nga organizata UNDP, nëpërmjet programit për matjen e Pulsit Publik, kanë dëshmuar se qytetarët e Kosovës janë të pakënaqur pikërisht me gjendjen ekonomike. Këtë të fundit e konsiderojnë si njërin nga problemet kryesore në vend. Megjithatë të njëjtit janë ndarë të kënaqur me përfaqësuesit e pushtetit.
Në këtë kontekst, nuk mund të mohohet fakti se Albin Kurti e ka ushtruar pushtetin e tij pa ndonjë rezistencë të madhe politike dhe qytetare. Madje ai është bërë shembull tipik i “konstatimit të gabuar” të Michel Foucalt se “çdo pushtet prodhon rezistencë”. Ai ka qeverisur që nga përfundimi i zgjedhjeve pa mandat legjitim, por thuajse nuk ka pasur asnjë reagim qytetar. Madje bllokimi i krijimit të institucioneve të daluara nga zgjedhjet e 9 shkurtit fillohej të shihej se diçka normale. E të mos flasim për rritjen e çmimeve të jetës, konsumit e deri te shtrenjtimi i rrymës. Protestat, sidomos për çmimin e tarifave energjetike u shuan pa filluar mirë, duke e ekspozuar kështu Albin Kurtin si figurën që mund ta garantojë stabilitetin shoqëror.
Megjithatë paralelisht me këtë anomali shoqëror ka ndodhur edhe një fenomen tjetër. Sipas të dhënave Eurostatit, të prezantuara nga ditë më parë nga Instituti GAP nga Kosova prej vitit 2021 deri në vitin 2024, janë larguar 210.444 banorë. Po ashtu, në këtë liste nuk figuron as numri i azil-kërkueseve që ka kërkuar strehim politik e ekonomik në njërën nga këto shtete. Në fund të vitit 2024 Komisioni Evropian kishte raportuar se vetëm gjatë vitit të kaluar kërkesa e qytetarëve të Kosovës për azil ishte rritur në 100 për qind. Në shtatë muajt e parë të vitit “2024 ishin paraqitur 3.905 kërkesa për azil në vendet e BE-së nga shtetasit e Kosovës, gjë që paraqet rritje prej 108 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm”, thuhej në të njëjtin raport. Me këtë rast nga janari deri në korrik të të njëjtit vit “mesatarisht mbi 550 kosovarë kanë kërkuar azil në vendet e Evropës çdo muaj”.
Pra ky realitet zymtor mbase hedh dritë mbi këto kundërthënie që i kanë kapluar qytetarët e Kosovës. Ku tashmë shumë nga ata të dëshpëruar me gjendjen që dominon më shumë e preferojnë largimin sesa protestimin. Sepse të njëjtit e kanë humbur edhe shpresën se mund ta ndryshojnë kolektivisht realitetin që dominon në vendin tonë. Prandaj edhe zgjedhin qe ta kërkojnë shpëtimin individual për vetë dhe familjet e tyre. Nuk ka dyshim se ky paradoks është edhe pasojë e dështimit të “opozitës”.
Që protestat të jenë të mundshme shkruante sociologu Charles Tilly, nevojiten disa parakushte. E para organizimi i grupit ose grupeve të përfshira. E dyta, mobilizimi, ku një grup siguron burime te mjaftueshme për ta bërë të mundur veprimin kolektiv. E treta interesat e përbashkëta të atyre që përfshihen në një veprim kolektiv dhe e katërta, rasti i volitshëm. Vetëm kombinimi i këtyre katër variabilave i bënë të mundur protestat. E duket që në Kosovë, pavarësisht kushteve sociale dhe politike të pafavorshme, janë duke munguar agjentët veprues. Prandaj, qytetarët aktualisht janë të pushtuar nga një pakënaqësi për atë që po ndodh, por mungon shpresa se mund ta ndryshojnë gjendjen.