Raportet diplomatike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, tashmë gjenden në një pikë kritike. Këtë acarim e konfirmoi mbrëmë në një intervistë për Zërin e Amerikës edhe Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien. Deklarimet e këtij zyrtari të lartë të administratës amerikane shënojnë kulmin e qortimeve të fundit që aleati më i madh i Kosovës, ka adresuar ndaj vendimit të BQK-së për ndalimin e dinarit serb në territorin e Kosovës, nga data 1 shkurt.
Ndër më të zëshmit në kërkesat për pezullimin e afatit të kësaj rregullore ishte dalluar Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier. Në një sërë takimesh dhe prononcimesh publike ai kishte ngritur alarmin se zbatimi i menjëhershëm i këtij vendimi pa konsultime dhe përgatitje paraprake do të mund të shndërrohej në burim të tensioneve etnike. Për më shumë, ai e paralajmëroi Kosovës se kjo qasje jo kooperative e Qeverisë mund të ndikojë në cilësinë e raporteve bilaterale ndërmjet dy vendeve. Ndërkohë, në një intervistë për TV 21, diplomati amerikan shprehu mllefin e tij edhe për mënyrën se si ishte marrë ky vendim, në fshehtësi të plotë dha pa një diskutim me aleatin më të madh të shtetit të Kosovës, sjellje kjo që nuk reflekton besim dypalësh dhe partneritet reciprok.
Mirëpo, duke qenë se këto shqetësime hasën në vesh te shurdhër të ekzekutivit, atëherë nuk la pa reaguar edhe Departamenti amerikan i Shtetit, duke e akuzuar Kosovën se po ia pamundëson SHBA-ve avokimin ndërkombëtar për shtetin tonë, si dhe po i shpërfill obligimet që dalin nga procesi i dialogut. I të njëjtës linjë ishte fjalimi i Ambasadores amerikane, në Këshillin e Siguritmit të OKB-së, Linda Thomas-Greenfield. Ajo pohoi, se autoritet kosovare kanë marrë një veprim të ngutshëm dhe të paanalizuar si duhet.
Ndërkaq, serisë së këtyre reagimeve kritike ndaj Kosovës iu shtua fillimisht deklarimi i të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se “lëvizjet e njëanshme të cilës do palë do të kenë pasoja”. Kurse pas pak kohe Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien pohoi se “qeveria e Kosovës e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara”. Gjatë kësaj interviste ai shtoi “se nuk bënë kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”. Në anën tjetër, O’Brien u shpreh me tone më pozitive për sjelljen e Serbisë pas sulmit në Banjskë, sikur se vendimi për largimin e trupave ushtarake nga pjesa afër kufirit, për doganat dhe targat. E Kosova sipas tij nuk po sillet si një shtet konform kritereve të shteteve moderne. Ai bëri të ditur se “Shtetet e Bashkuara e kishin këshilluar qeverinë e Kosovës kundër një veprimi të tillë, mirëpo ajo vendosi ta zbatojë atë, pa konsideruar këshillat e partnerëve kryesorë”.
Këto paralajmërime bëhen edhe më alarmante kur marrim parasyh fjalimin e James O’Brein, në konferencën “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”, se “liderët e Ballkanit nuk do të kenë mundësi për të penguar rrugëtimin e njëri-tjetrit, sepse nuk duhet të ekzistojnë çështje të pazgjidhura, dhe se kushdo që tenton të pengojë diçka do të përballet me ndëshkime. Nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit”.
Sidoqoftë, ky tjetërsim i marrëdhënieve të në mes Kosovës dhe SHBA-të, mund edhe të mos jetë i rastësishëm. Prej pozicionit të opozitarit Kurti dikur i kishte akuzuar paraardhësit e tij se kishin bërë aleanca të së kaluarës me SHBA-të.
“Aleanca që ka vendi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e cekët edhe e ngushtë. Është aleancë për të kaluarën, është aleancë për intervenimin e NATO-s që ka ndodhur para 17 vjetësh dhe është aleancë për shpalljen e pavarësisë, që ka ndodhur para 8 vjetëve, dhe është aleancë për njohjet ndërkombëtare. Nuk është aleancë për të ardhmen, nuk është aleancë e thellë, nuk është aleancë e gjerë”.deklaruar Kurti
Atëherë, shtrohet një pyetje se a është kjo e ardhmja e partneritetit që dikur Kryeministri akual e propozonte se do ta ndërtonte me Uashingtonin, ku shteti i Kosovës në vend të bashkëpunimit e koordinimit me SHBA-në në vazhdimësi atakohet se po e cenon këtë partneritet