Shkruan: Afrim Kasolli
Sentenca se “prapa çdo krize fshihet një mundësi” askujt nuk do t’i shkonte më shumë për shtati se partisë së ekstremit të djathtë në shtetin gjerman, Alternativës për Gjermaninë(AfD), duke filluar që nga dje.
Natyrisht, këtu nuk bëhet fjalë për një krizë të thjeshtë, por për një sulm terrorist, ku raportohet se të paktën dy persona janë vrarë dhe mbi 68 të tjerë janë plagosur si pasojë përplasjes së një makine në turmën e një tregu Krishtlindjes në qytetin e Magdeburg-ut në Gjermaninë lindore.
Sulmuesi dyshohet të jetë një burrë i moshës 50-vjeçare nga Arabia Saudite, por që ka imigruar në Gjermani më 2006. Ky akt pa dyshim se do të jetë një “dhuratë” politike për partinë në fjalë, pak para zgjedhje parlamentare, e cila ka kohë që i porterizon imigrantët si një rrezik për sigurinë kombëtare dhe ekonomike të Gjermanisë. Një qëndrim ky krejt i kundërt me atë që e mbajti kancelari Olaf Scholz, ditën kur e humbi votëbesimin Qeveria e tij në Parlamentin Gjerman. Sipas këtij të fundit, “kur flasim për fuqinë punëtore nga jashtë, të gjithë e dimë se nuk mund t’ia dalim pa të. Këtë na e thonë kompanitë, spitalet dhe shtëpitë e kujdesit shëndetësor. Këtë na thonë edhe punonjësit për kolegët e tyre me sfond migrimi. Prandaj, jam i kënaqur që me në fund i kam dhënë Gjermanisë ligje moderne migracioni”. Po ashtu, një opinion të ngjashëm para pak dite, ka artikuluar edhe ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser. Ajo ka paralajmëruar se kthimi i refugjatëve sirianë mund të ketë pasoja serioze për sektorin shëndetësor të Gjermanisë.
Për ironi të fatit, pak para kësaj tragjedie njëri nga njerëzit më me ndikim në administratën e re amerikane, miliarderi Elon Musk, kishte shkruar në rrjetin e tij social se vetëm “Afd mund ta shpëtojë Gjermaninë”. Kjo parti ka njohur rritje të vazhdueshme elektorale në këtë dekadë. Sipas hulumtimeve të fundit ajo tashmë është partia e dytë ne vend, pas CDU-së, Partia Demokristiane.
Madje në disa lande është edhe para siç e patën dëshmuar zgjedhjet e fundit veçanërisht në Brandenburg, Saksoni dhe Turingia. Ndonëse këtu duhet kujtuar se pak para këtyre zgjedhjeve po ashtu kishte ndodhur një sulm terrorist Gjermani. Atëbotë një 26 vjeçar me origjinë nga Siria që kishte gjetur strehim pas shpërthimit të luftës civile, në qytetin Solingen e kishte sulmuar me thikë një turmë në një festival që shënonte 650 vjetorin e qytetit duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e tetë të tjerëve. Edhe ky sulm ishte përdoruar nga AfD si konfirmim i tezave të saj mbi imigracionin. Kurse është befasuese se pse pikërisht kur Gjermania po përfshihet nën ethet e atmosferës elektorale po aktivizohen sulme të tilla. Nuk them se ka ndonjë konspiracion këtu, por se akte të tilla nuk mund të mohohet se i shërbejnë erupsionit të sentimenteve ksenofobike kolektive.
Në fund të fundit, ka kohë që hulumtimet e opinionit publik tregojnë se një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve në Gjermani mbetet imigrimi. Kjo temë e kryeson listën duke u pasuar nga çmimet e energjisë, lufta dhe ekonomia. Dhe e është e natyrshme që në këtë klimë të ankthit kolektiv, sulme sikur dje të përdoren për përfitime të brendshme politike.
Sidoqoftë, një zhvendosje e mundshme tektonike elektorale nuk do të ishte pa pasoja gjeopolitike. Dhe një fitore e Afd nuk është se nuk është interes edhe për presidentin rus Vladimir Putin. Madje fitoren e kësaj partie në zgjedhjet e fundit në disa prej landeve të sipër-përmendura, mediumi i njohur politico, e kishte definuar si “puq elektoral” të liderit rus në Gjermani. Kjo parti është e njohur për sulmet e saj ndaj lidhjeve trans-atlantike. Madje, ajo e ka akuzuar NATO-në, si për përgjegjëse për luftën në Ukrainë. Si dhe e ka bërë të qartë synimin e saj gjeopolitik për një partneritet të ngushtë politik dhe ekonomik me Rusinë dhe Kinën, si kundërpeshe ndaj hegjemonisë amerikane. Ky objektiv gjendet edhe i brendashkruar në manifestin ideologjik të AfD(Alternativës për Gjermaninë).
Në këtë kontekst, mbetet “mister” se është edhe interes i SHBA-ve kjo zhvendosje gjeopolitike ku Gjermania mund ta gjeje shpëtimin duke u distancuar nga bota trans-atlantike, siç ka “profetizuar” njëri nga aleatet e presidentit Donald Trump? Për herë të parë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, boshti qendror i Evropës, po futet në një trandje me pasoja të paparashikueshme./tvarbëria/