Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > A e zhbën shtetin e Kosovës paralizimi i kushtetueses?

A e zhbën shtetin e Kosovës paralizimi i kushtetueses?

Nga Agron Hoti

Përpjekjet e vazhdueshme – dhe tashmë së fundmi edhe intensive – për ta paralizuar vendim-marrjen në Gjykatën Kushtetuese çojnë pashmangshëm në dështimin e shtetit të Kosovës. Nëse kjo vërtetë ndodh, atëherë gjendja e përgjithshme në vend do të mund të përkeqësohet drejtë një përshkallëzimi të mundshëm.

Kështu, fundviti që po vjen mund të jetë “Dimri i vetmisë së madhe”, ngase një shteti nën sanksione perëndimore dhe të dështuar, do t’i mbyllen të gjitha dyert. Se a do të mund të përballet Kosova me trazira të ngjashme sikur ato të ‘97-së në Shqipëri mbetet të shihet. Uroj që jo!

Por, një gjë dihet, aty ku rrënohet rendi ligjor, kushtetues dhe ekonomik që po ndodh edhe përmes energjisë, i hapet rrugë anarkisë dhe kaosit. Kjo sigurisht që e përmbush ëndrrën dhe investimin mbi 26 vjeçar të Serbisë dhe Rusisë për zhbërjen e shtetit të Kosovës, të cilin ato vazhdojnë ta shohin si projekt amerikan.

Shpëtimi i vetëm i Kosovës nga dimri i nxehtë që po vjen, është riparimi sa më i shpejtë i raporteve me SHBA. Përndryshe, çfarëdo rruge tjetër do të çojë ujë vetëm në Serbi dhe Rusi.