Shkruan: Afrim Kasolli
Sipas një njoftimi për media sot kryeministri i shtetit shqiptar, Edi Rama do të marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, më temë “Rugova dhe Perëndimi”. Në sesionin e paradites me kumtesat e tyre në këtë ngjarje do të paraqiten po ashtu edhe Massimo D’Alema, ish-kryeministër i Italisë; Jeffrey Hovenier, ambasador i ShBA-së, në Prishtinë etj.
Megjithatë, pjesëmarrja e kryeministrit Edi Rama në një simpozium ku flitet për rolin politik dhe historik të ish-presidentit Rugova ka ngritur shumë pikëpyetje dhe dilema. A është kjo pjesëmarrje e kushtëzuar vetëm nga rivaliteti dhe armiqësia e tij momentale me kryeministrin Kurti? Apo përpjekje për ta fituar mirëkuptimin e elektoratit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për drejtuesit dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Siç dihet këto parti historikisht i ka karakterizuar një anomozitet i theksuar politik dhe historik. Madje edhe sa ishte gjallë presidenti Rugova, nuk kishte pranuar që ta bënte ndonjë vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë , sa ishte kjo parti në pushtet.
Në anën tjetër edhe Edi Rama në fjalimin e mbajtur në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013 nuk e kishte përmendur fare ermin e Rugovës, para deputeteve të Kuvendit të Kosovës. Ky injorim apo harresë historike, kishte ngjallur atëbotë një reagim të ashpër nga deputetet e këtij subjekti politik. Deputetë të kësaj partie e patën quajtur këtë fjalim përçarës, të mbushur me urrejtje dhe jo unifikues. Ndërkohë, megjithë vizitat e shpeshta që kryeministri Edi Rama ka bërë në Kosovë , ka munguar ndonjë vizitë familjare në shtëpinë e ish-presidentit, për dallim nga vizita në shtëpinë e ish-presidentit Thaçi, ndonëse kjo fundit kuptohet lidhej me procesin e Hagës.
Prandaj, kjo kthesë e kryeministrit Rama me të drejtë ka ngritur pyetjen se a është kjo lëvizje rezultat i një ndërgjegjësimi dhe rizbulimi të Rugovës, apo vetëm një taktikë politike e kushtëzuar nga rrethanat e momentit. Por po ashtu, e njëjta dilemë ka të bëjë edhe me ftesën e organizatorit për Kryeministrin Edi Rama. Sepse jo shumë kohë me parë Lumir Abdixhiku, e akuzonte kryetarin e qeverisë shqiptare se dëshiron ta krijojë një mini-Jugosllavi me mikun e tij Aleksandër, por që tash nga i njëjti kërkon vlerësim perëndimor për figurën e Rugovës. A po si ai kualifikim paushall atëbotë edhe kjo ftesë sot është një kalkulim i pastër politik, sidomos kur edhe marrim parasysh faktin se jo më shumë se një javë më parë lideri i LDK-së, shprehej me gjuhë përçmuese për të majtën politike, pjesë e së cilës është edhe Edi Rama.