Shkruan: Agron Hoti
Se a është konflikti Afganistan-Pakistan i koordinuar apo spontan, do ta tregojë koha. Megjithatë, disa elemente gjeopolitike janë të qarta dhe me rëndësi strategjike.
Kina kufizohet drejtpërdrejt me Pakistanin dhe mbetet i vetmi shtet në botë që mund ta sfidojë seriozisht flotën detare të SHBA-së në Detin Arabik. Nëse Kina do të synonte ta furnizonte Iranin me mjete apo pajisje detare, rruga më e shkurtër dhe më e sigurt do të ishte përmes territorit pakistanez dhe daljeve të tij detare.
Ndërkohë, India është afruar ndjeshëm me SHBA-të në vitet e fundit, duke ndryshuar balancat tradicionale në rajon. SHBA-ja ka dislokuar forca të konsiderueshme ushtarake në Deti Arabik, i cili lidhet drejtpërdrejt me Oqeani Indian. Në këto rrethana, çdo përpjekje e Rusisë apo Kinës për ta furnizuar me armë Iranin përmes Pakistanit përmes rrugëve detare do të përballej me praninë dhe kontrollin detar amerikan.
Si pasojë, opsioni më realist për Kinën do të mbetej furnizimi tokësor i Iranit përmes Pakistanit.
Një përshkallëzim i konfliktit mes Afganistanit dhe Pakistanit do ta komplikonte ndjeshëm këtë korridor strategjik, duke i kufizuar aftësitë e Kinës për t’u përfshirë ose për të mbështetur ndonjë skenar të mundshëm përballjeje mes SHBA-së dhe Iranit.
Në këtë kontekst, rajoni paraqitet si një nyje e ndërlikuar interesash, ku vijat e kuqe strategjike të Rusisë dhe Kinës për depërtim drejt Iranit përballen me një “gardh rrethues” të përbërë nga SHBA-ja, Izraeli, Turqia dhe aleatët perëndimorë.
Prandaj, konflikti Afganistan–Pakistan nuk është thjesht një përplasje dypalëshe, por potencialisht një element i një loje më të gjerë gjeopolitike. Nëse ai do të shndërrohet në paraprijës të një përshkallëzimi më të madh rajonal, përfshirë një përballje të mundshme mes SHBA-së dhe Iranit, kjo mbetet për t’u parë. Megjithatë, dinamika aktuale tregon se çdo zhvillim në këtë aks ndikon drejtpërdrejt në ekuilibrat strategjikë të Azisë Qendrore, Jugore, Lindjes së Mesme dhe Oqeanit Indian.