Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, gjatë adresimit para gazetarëve ka lënë të nënkuptohet se duhet të merren parasysh thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për shtyrje rregullores së re të BQK që ndalon qarkullimin e dinarit në komunat e banuara nga komuniteti serb në shtetin e Kosovës.
Dhe në këtë mënyrë të veprohet konform këshillave dhe rekomandimeve të aleatëve tanë perëndimorë.
Sipas presidentës zbatimi i këtij vendimi duhet të jetë i plotë dhe jo i pjesërishëm. E në mënyrë që ky zbatim të jetë i plotë na duhet përkrahje nga partnerët tanë me qëllim që te ketë qëndrueshmëri ky vendim. Për të paren e shtetit mund të ruhet edhe kushtetuta edhe aleatet tanë, ngase këto dy çështje nuk e përjashtojnë njëra tjetrën.
Duke marrë shkas nga ky konstatim, gazetari Rid Berisha nga TV Arbëria e ka pyetur presidenten se a po aludon në shtyrje në mënyre që te krijohet një mundësi për komunitet që të adaptohen në me këtë rregullore?
Presidentja Osmani është përgjigjur “se po aludon në një diskutim publik që po zhvillohet që kushtetuta jonë të zbatohet në praktikë në çdo cep të Republikës së Kosovës, e jo të kemi dokumente që zbatimi të cilave sfidohet, pa dyshim kushtetuta është mbi të gjitha, por aleatët tanë nuk janë kundër kushtetutës dhe se kushdo që sugjeron një gjë të tillë nuk e njeh historinë e shtetit të Kosovës”.
Këtu duhet kujtuar kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se “rregulloret dhe vendimet e BQK-së janë plotësisht në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe janë të panegociueshme”.
Për më shumë, i pari Qeverisë së Kosovës ka kërkuar “që të mos i ushtrohet presion Guvernatorit të Bankës Qendrore në zbatimin e detyrave kushtetuese dhe ligjore”.