Shkruan: Afrim Kasolli
E di që shumë kujt do t’i duket sakrilegj ky titull dhe një tezë e tillë. Kuptohet ajo as që guxon të imagjinohet jashtë projeksioneve diplomatike amerikane. Por në koordinim me ta si pjesë e pakos për një marrëveshje eventuale me Rusinë për Ukrainën.
Dihet nga të gjithë se presidenti rus, Vladimir Putin, i është referuar në vazhdimësi krahasimit të Kosovës me rajonin Donbas në Ukrainën lindore. Pra sipas tij, shpallja e pavarësisë së Kosovës nga ana autoriteteve të saj politike dhe institucionale, në kundërshtim me vullnetin e Serbisë, është një precedent tipik, se përse edhe rajonet e banuara me shumicë rusisht-folëse në lindje të Ukrainës, i kanë të njëjtat të drejta që t’i krijojnë shtetet e tyre, pa e respektuar vullnetin e autoriteteve qendrore të shtetit të Ukrainës. Ndonëse tash i njëjti tash është kundër pavarësisë së tyre, por kërkon që te legalizohet aneksimi i tyre ushtarak.
Këtu duhet kujtuar se krahasime të tilla Rusia nuk ka bërë vetëm për rajonet Luhansk-ut dhe Donetsk-ut. Kremlini pat filluar ta përdorë pavarësinë e Kosovës si precedent për të justifikuar edhe mbrojtjen që po u bënte rajoneve secesioniste të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë në Gjeorgji.
Natyrisht, është thënë nga ekspertë të së drejtës ndërkombëtare se si shtet-ndërtimi i Kosovës nuk ka asgjë të përbashkët më ato entitete. Në fund të fundit, pavarësia e Kosovës ishte rast sui generis, dhe nuk mund të ekstrapolohet si model në raste të tjera.
Sidoqoftë, sipas asaj që është thënë deri më tash publikisht lidhur me planet për ndonjë marrëveshje paqësore në Ukrainë, tashmë shihet se ai akord do të jetë në përputhje me interesat klasike gjeopolitike të shteteve, dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Madje këtë mundësi nuk është duke e përjashtuar as Shtëpia e Bardhë. Presindeti Trump disa e herë e ka potencuar. Dhe një epilog i tillë deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë është në kundërshtim me rendin ndërkombëtar të inauguruar që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe veçanërisht pas fundit të Luftës së Ftohtë, ku aneksimi i territoreve me anë të pushtimit ushtarak ishte shpallur si tabu.
Me këtë nuk do të thotë se Kosova duhet ta përkrah këtë pozicion. Por ajo as nuk mund ta ndalë e as ty bekojë atë. Ngase një epilog i tillë, në fund të fundit, do të varet nga akordimi i fuqive të mëdha botërore. Madje në këtë drejtim duhet kujtuar se Serbia vazhdimisht e mbron integritetin territorial të Ukrainës, pikërisht si mjet kundër pavarësisë së Kosovës. Kurse po ashtu Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, duke i marrë në konsideratë pretendimet serbe dhe duke e injoruar opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Po ashtu jo pak herë janë vërejtur tensione të heshtura ndërmjet presidentit të Serbisë dhe Rusisë. Madje Alekansandër Vuciq disa herë ka deklaruar se Serbia nuk mund të ketë aleat tjetër ndërkombëtar më të madh se sa Kina, duke lënë të nënkuptohet se Vladmir Putin mund ta përdor Kosovën si “mjet shtese në pazaret diplomatike nëse perëndimi do të njihte pretendimet e tij ndaj territoreve të okupuara ukraianiase”
Shenjat tashmë janë të qarta se SHBA-të mund t’ia njohin Rusisë përftimet e saj territoriale në Ukrainë. Dilema mbetet se a do mund Kosova ta fitojë njohjen e shtetësisë nga Rusia si pasojë kësaj marrëveshje me Amerikën, apo do të vazhdojë procesin e negociatave në Bruksel për normalizim të raporteve me Serbinë, deri sa kjo e fundit të pajtohet më njohjen e Kosovës, që thuhet se është qëllimi themelor i këtij procesi, por që nuk dihet se kur mund të ndodh.