Shkruan: Afrim Kasolli
Kosova dhe Serbia ka më shumë së një dekadë që janë duke dialoguar ndërmjet vete me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ky proces i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka prodhuar një sërë marrëveshjes sikur ajo e vitit 2013, e njohur si Marrëveshja e parë e Parimeve që Rregullojnë Normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë. Ky akord ishe arritur në mes ish- kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç. Po ashtu, në vitin 2023, u arritën edhe dy marrëveshja tjera në funksion të këtij qëllimi, sipas planit franko-gjerman.
E para e quajtur si Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i Zbatimit në Ohër. Secila prej këtyre dakordimeve krahas motiveve tjera, e ka afirmuar idenë se ato duhet t’i shërbejnë agjendës integruese euro-atlantike të Prishtinës dhe Beogradit.
Në këtë mënyrë, progresi në njërën anë u imponua si parakusht në tjetrën. Kjo kornizë nuk ka dyshim se u dizajnua nga bashkësia ndërkombëtare. Shpresohej se pas një rruge të gjatë me në fund të dy vendet do të evropianizoheshin dhe kështu do të zhdukeshin rrënjët e konfliktit e shekullor. Prandaj edhe këto dy vende fqinje do të mësoheshin të jetonin në harmoni e paqe ndërmjet vete sipas vlerave “post-historike” perëndimore.
Në shumëçka kjo strategji ishte rinikarnim i qasjes që kishte ndjekur bashkësia ndërkombëtare për konfliktin e Kosovës në fund të viteve ’90 të shekullit të kaluar. Edhe atëbotë diplomatë të ndryshëm perëndimorë insistonin se çështja e Kosovës do të zgjidhet me demokratizimin e Serbisë. Prandaj edhe të drejtat e privuara të shqiptarëve të Kosovës do të rifitoheshin me automatizimin me ndryshimin e regjimit hegjemonist nacionalist serb në Beograd. Mirëpo se çka ndodhi në ndërkohë dihet nga të gjithë. Serbia as nuk i demokratizua dhe as nuk u divorcua nga Rusia.
Vizita e fundit e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Moskë me rastin e shënimit të Ditës së Fitores në Luftën e Dytë Botërore, është vetëm episodi i fundit i shpërfilljes nga lideri serb ndaj thirrjeve të BE-së që të sillet në koherencë me vlerat e këtij entiteti. Në anën tjetër më një reagim të vakët, Bruskeli vetëm ka shprehur keqardhje ndaj këtij akti dhe ka deklaruar se nga “nga Serbia pritet të dëshmojë përkushtim të besueshëm ndaj vlerave evropiane dhe të na bindë për orientimin e saj strategjik drejt Bashkimit Evropian”.
Sidoqoftë siç e kam potencuar disa herë, kjo politikë duale e Serbisë, nuk do të ishte problem shumë i madh për Kosovën, sikur të dy vendet të mos ishin në procesin e dialogut të lehtësuar nga Brukseli, më qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si parakusht për integrime euro-atlantike. Sepse në këtë mënyrë, tashmë shteti serb ka dëshmuar disa herë se nuk e ka qëllim strategjik këtë agjendë.
Me këtë rast ai e ka dhunuar njërin nga parimet kyçe të këtij procesi dialogues. Sulmet paramilitare në territorin e Kosovës, sikur ai me 24 shtator apo mbi infrastrukturën kritike energjetike, e deri të projekti i Botës Serbe janë disa nga aktet e kësaj politike armiqësore. Kurse qëndrimi i Alekensandër Vuciqit në Moskë pranë liderëve që kanë shpallur vetën armiq të Perëndimit, tregon se ka dështuar iluzioni perëndimor për tërheqjen e tij në këtë orbitë. Në fund të fundit, disa herë presidenti Putin, ka deklaruar se në Ukrainë nuk është duke luftuar vetëm kundër këtij shteti, por kundër atij sistemi të vlerave që e përfaqëson civilizimi perëndimor. Pra shihet qartë se qëllimi formal i Serbisë për integrim në BE, është përdorur vetëm si maskë për të shfrytëzuar fondet e këtij entiteti për nevoja të brendshme, kurse dialogun me Kosovën, gjoja me qëllim normalizimine raporteve si mjet për ta mbajtur këtë të fundit pezull dhe për ta penguar konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë.
Kuptohet, Kosova i ishte nënshtruar kësaj agjende sepse ajo nuk kishte rrugë tjetër, për shkak të rekomandimit të vendeve aleate. Shpërfillja e tij do të kishte kosto të papërballueshme për një vend me “shtetësi të papërfunduar”. Megjithatë, tashmë është e qartë se nga ndjekja modelit të deri-tanishëm nuk u arrti të jetësohet ky synim strategjik. Dhe nëse kjo nuk ka qenë e mundur në kushtet e unitetit trans-atlantik, aq me pak ka gjasa që të ketë sukses në kushtet e reja ndërkombëtare. Sepse tashmë edhe rendi nga i cili derivonte edhe koncepti i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë ndodhet në krizë.
Prandaj, është detyrë imperative që në politikën e jashtme Kosova, t’i rikthehet projektit të kufizimit të opsioneve dhe driblimeve të Serbisë, e jo shpresës së këto dy vende armiqësore nëpërmjet normalizimit mund të transformohen në shtete mike. Përkundrazi, në kushtet e rendit gjithnjë e më multipolar, antagonizmat sa do të vijnë duke u thelluar. Kështu, angazhimi i ndryshimit të balancave të pushtetit në rajon dhe ridizajnimi i raporteve tjera me shtetet perëndimore, në radhë të parë me SHBA-të, me qëllim minimin aftësive manovruese të Beogradit, duhet të jenë shtysat kryesore diplomatike të shtetit të Kosovës. Mjerisht, në këtë dimension, shteti ynë kohën e fundit ka çaluar tej mase. Raportet me Uashingtonin thuajse ndodhen në pikën më të ulët të mundshme që nga shpallja e pavarësisë.
Vendin e besimit liberal se shtetet dhe kombet për shkak të afrimit ekonomik do të transformoheshin edhe politikisht, po e zë dita ditës rivalitetit gjeopolitik. Çmimin e një iluzioni të tillë sot po e paguajnë edhe SHBA-të. Edhe Uashingtoni ishte angazhuar maksimalisht në integrimin e Kinës në rendin ekonomik ndërkombëtar me shpresën se i njëjti vend gradualisht do të shndërrohej në vend liberal dhe demokratik. Por ndodhi e kundërta. Bota, po zhytet në “kaosin” e diplomacisë së rivaliteti gjeopolitik e jo të iluzioneve të paqes së përjetshme liberale. Kosova duhet të jetë e përgatitur për këtë ndryshim. Koncepti i normalizimit të raporteve me Serbinë i takon një epoke që po perëndon dita ditës. /TV Arbëria