Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A do të sakrifikohet koka politike e Vlodomyr Zelensky- it, si parakusht për marrëveshje Ukrainë Rusi?

A do të sakrifikohet koka politike e Vlodomyr Zelensky- it, si parakusht për marrëveshje Ukrainë Rusi?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Ajo që ishte menduar si një takim ku më në fund do të sheshoheshin dhe tejkaloheshin mosmarrëveshjet si dhe keqkuptimet ndërmjet administratës Trump dhe presidentit të Ukrainës Vlodomyr Zelensky, për shkak të traktatit ekonomik për shfrytëzimin e burimeve minerale që gjenden në territorin ukrainas nga kompanitë amerikane, në fakt përfundoi në katastrofë politike, diplomatike dhe morale. E tërë ceremonia e paraparë në funksion të këtij akordi u shemb me një shpejtësi marramendëse, pas eskalimit të debatit fillimisht ndërmjet kryetarit të Ukrainës dhe Zëvendës Presidentit, J.D Vance dhe përfshirjes së vetë Presidentit Trump në këtë duel publik.

Ky i fundit madje e akuzoi të parin para opinionit global se nuk kishte karta në dorë pa mbështetjen amerikane dhe se ai nuk mund ta luante rolin e heroit në shpinën e tyre, e që me lojërat e tij po e rrezikonin Luftën e Tretë Botërore. Shfaqje kjo e paprecedent të paktën që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, kur një president amerikan nga Zyra Ovale, ta akuzoi viktimën si pse po e ndërsen agresorin. Anomizitetet ndërmjet dyshes kryesore politike amerikane dhe liderit ukrainas janë të kahershme. Madje, sipas shumë analistëve mosdurimi i Presidentit Trump ndaj liderit të Ukrainës daton që nga koha kur i dyti nuk kishte pranuar ta hetonte djalin e ish-Presidentit Biden. Kurse, nënkryetari aktual J.D Vance, para se të ishte në pozitën e numrit dy të Shtëpisë së Bardhë, e akuzonte ish-Presidentin Biden se po e ndërsen Perëndimin kundër Rusisë, pasi Vladimir Putin, nuk besonte në kauzat liberale sikur ato të komunitetit LGQBT. Kuptohet, kualifikime të tilla janë edhe pasojë e fantazisë konservatore në SHBA, sipas së cilës, Rusia mund të jetë një partner jo vetëm strategjik, por edhe ideologjik kundër Kinës.

Sidoqoftë, aktualisht nga perspektiva e kësaj administrate kjo marrëveshje do ta involvonte edhe më shumë SHBA-në në Ukrainë, sepse bëhet fjalë për interesa të drejtpërdrejta ekonomike të vendit të tyre për përfitimin e mineraleve kritike, e që kërkesa për to po rritet në mënyrë jashtëzakonshme për shkak të përdorimit të tyre në prodhimin e teknologjisë së lartë. Me këtë rast, Donald Trump, insistimin e tij për t’i përvetësuar këto minerale i ka quajtur si një lloj dëmshpërblimi nga ana e Ukrainës për kontributin që SHBA-të kanë dhënë ne furnizimin me armatim dhe mbështetje tjetër financiare, logjistike etj. Po ashtu, këtë marrëveshje kjo administratë mëton ta shes si simbol i triumfit diplomatik të premtimit elektoral “Amerika e Para”.

Dhe reflektim i qasjes së re amerikane në politikën e jashtme, se ajo nuk i shpenzon paratë e qytetarëve të këtij vendi pa përftime konkrete. Kurse në ato vende ku mungojnë këto të fundit, Amerika nuk shqetësohet për fatin e tyre. Madje nuk e ka problem t’i sakrifikojë politikisht për interesa ekonomike. Ky fakt ka nxitur pikëpyetje dhe dilema se çfarë kahe do të marrin raportet ndërmjet Uashingtonit dhe Kievit, pas tensioneve në Shtëpinë e Bardhw? A do të braktiset rezistenca e kësaj te fundit sa e hap e mbyll sytë? Apo do të gjenden rrugë për ta relaksuar atë që ndodhi. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, megjithë mbështetjen formale që morri nga shumë shtete evropiane, është plotësisht i vetëdijshëm se ajo nuk mjafton për ta kompensuar vakumin amerikan. Ndërkohë, në Uashington gjithnjë e më shumë po sforcohet teza se Ukrainës i duhet një lider me të cilin mund të bëjnë biznes. Sipas tyre, Vlodymyr Zelensky nuk është i tillë. As kualifikimi tij nga presidenti Trump si diktator që e mban pushtetin pa zgjedhje nuk është i rastësishëm.

Megjithatë a mund të jetë edhe ky presion i administratës Tump, ndaj kryetarit ukrainas, pjesw e skenarit Uashington-Moskë, për ta realizuar njërin nga qëllimet e luftës së Putinit, atë siç ai e kishte qujtuar që nga fillimi “denazifikim të regjimit ne Kiev”. Dhe pasi ka dështuar ta bëjë ushtarakisht a po realizon politikisht me mbështetjen e Uashingtonit, si parakusht për marrëveshje të përgjithshme SHBA-Rusi dhe Ukrainë?