Shkruan:Agron Hoti
Kur demarkacioni i kufirit të Kosovës me Malin e Zi qe bërë kauzë politike për efekte të pastra pushtetardhjeje, LDK, e cila e kishte edhe pushtetin qendror me Isa Mustafën në krye, e pati fituar Bashkinë e Pejës në vitin 2017 edhe atë pa balotazh. Vetë fitorja e LDK-së ishte tregues se qytetarët e Pejës nuk i kishin besuar pothuajse fare kauzës së demarkacionit.
Fakti që në Pejë e rrethinë nuk kishte protestuar pothuajse askush kundër demarkacionit, ishte treguesi më i qartë që qytetarët atje nuk po humbnin prona, përndryshe askush nuk do të mund t’i ndalte të protestonin së paku në Pejë.
Por, për dallim prej Bashkisë së Pejës, ku kauza e demarkacionit po ngritej për të ardhur në pushtet, përqendrimi i pushtetit aktual në Mitrovicë e veri vazhdon të bëhet për të ngelur sa më gjatë në pushtet.
Kështu që, çdo fitore e kandidatit të PDK-së, LDK-së apo AAK-së në Bashkinë e Mitrovicës do të hidhte poshtë tërë kauzën e ngritur që sa vite në veri, sepse kjo – ashtu sikurse edhe në Pejën e vitit 2017 – do të ishte treguesi më i qartë se tërë kauza atje, ishte ngritur vetëm për të ngelur sa më gjatë në pushtet, si dhe për t’i ikur përballjes me problemet reale të qytetarëve siç vazhdojnë të jenë rritja e çmimit të energjisë, inflacioni i lartë, izolimi politik dhe sanksionet perëndimore që po e shpopullojnë frikshëm Kosovën.
E se a do të përsëritet Peja e vitit 2017 në Mitrovicën e vitit 2025, do të vendosin shumë shpejt qytetarët e Bashkisë së Mitrovicës. Gjithsesi, deri të dielën ju dëshiroj një fushatë zgjedhore bashkiake sa më garuese!