Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > A do të përdorë SHBA armë bërthamore në Iran?

A do të përdorë SHBA armë bërthamore në Iran?

SHKRUAN: AGRON HOTI

Irani dhe Koreja e Veriut janë dy shtete që po mbështeten nga Rusia dhe Kina. Lufta në Iran sot, e ndoshta në Korenë e Veriut nesër po zhvillohet mes Perëndimit të kryesuar nga SHBA-ja dhe Kinës e Rusisë në anën tjetër. Përmes Iranit, Kina dhe Rusia synojnë të kenë qasje në Oqeanin Indian, ndërsa përmes Koresë së Veriut në Oqeanin Paqësor.
Ndërkohë, për SHBA-në është jetike kontrolli i tri oqeaneve: 1) Oqeanit Atlantik, për ç’gjë po mbështet Ukrainën dhe Evropën; 2) Oqeanit Indian, për ç’gjë po frenon Iranin dhe po mbështet vendet arabe, Izraelin dhe Turqinë; dhe 3) Oqeanit Paqësor, për ç’gjë ka ndërtuar përballë Kinës dhe Rusisë një mur strategjik pararojë të përbërë nga Japonia, Koreja e Jugut, Tajvani, vendet e Azisë Juglindore, Australia dhe Oqeania.
Beteja më e ashpër, nëse do të ndodhte, do të zhvillohej në Oqeanin Paqësor, ku Kina po ndërton një flotë të fuqishme detare, ndërkohë që edhe Japonia po bën të njëjtën gjë. Varësia e Kinës dhe Japonisë nga importi i energjisë do ta bëjë rajonin e Paqësorit gjithnjë e më “të nxehtë” gjeostrategjikisht. Në këtë pikë, ato do të përballeshin me fuqinë e SHBA-së, e cila ka pasur dhe vazhdon të ketë kontroll strategjik mbi Oqeanin Paqësor.
Luftërat janë shkatërrimtare dhe përshpejtuese të dobësimit dhe pse jo rënies së shteteve. Kështu, Rusia tashmë është frenuar në Ukrainë dhe po përballet me dobësim ekonomik. Irani po dobësohet edhe më shpejt, megjithatë mbështetja kineze e ruse mund ta parandalojnë ndryshimin e regjimit atje.
Por, Irani – ashtu si Japonia në Luftën e Dytë Botërore – pavarësisht se i lodhur dhe i sakatuar (por jo i shkretuar) nuk pritet ta ngrisë flamurin e bardhë. Kjo do të thotë se në plan afatgjatë ai mund të projektojë sërish forcë destabilizuese në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, SHBA-ja – ashtu siç kishte vepruar edhe në Japoni t’i dërguar mesazh Bashkimit Sovjetik – mund të veprojë edhe ndaj Iranit të sakatuar (por jo të shkretuar) duke përdorur armë bërthamore, jo aq për kapitullimin e tij, sa për t’i dërguar mesazh Rusisë dhe Kinës se Oqeani Indian duhet të mbetet me çdo kusht nën kontrollin e Perëndimit të udhëhequr nga SHBA. Ky oqean është urë lidhëse mes Oqeanit Atlantik dhe atij Paqësor, dhe përmes tij kalojnë rrugët kryesore tregtare dhe energjetike lindje-perëndim, si dhe kabllot kryesore të telekomunikimit dhe internetit.
Do të mjaftonte një sulm i rëndë i Iranit mbi civilët në Izrael apo eventualisht ndaj flotës detare të SHBA-së me pretendimin për ta çarë rrethimin sa për t’i dhënë shkas SHBA-së për përdorimin e armëve bërthamore. Njëjtë kishte vepruar Japonia në Perl Harbur, kur kishte mbetur pa energji dhe kishte sulmuar SHBA-në në Luftën e Dytë Botërore. Në një situatë të tillë, kundërpërgjigjja amerikane do të ishte e menjëhershme dhe dërmuese. Kjo do ta ndryshonte përfundimisht regjimin në Iran dhe do ta kthente këtë shtet – dhe tërë Lindjen e Mesme – drejt Perëndimit.
Vendosja e Lindjes së Mesme nën kontrollin e SHBA-së do t’ua shuante ëndrrat Rusisë dhe Kinës për të pasur qasje në Oqean Indian. Lodhja e Rusisë dhe dobësimi i Iranit do t’i garantonin SHBA-së qetësi dhe hapësirë veprimi në Oqeanin Atlantik dhe atë Indian. Kjo më pas do t’i hapte rrugë të përqendrohej në Oqeanin Paqësor, ku rivaliteti strategjik sino-japonez pritet të rritet gjithnjë e më shumë dhe ku SHBA e ka jetike ta ruajë kontrollin e këtij oqeani pavarësisht kostos