Shkruan: Afrim Kasolli
Pas miratimit të planit amerikan për armëpushim në Ukrainë nga ky shtet, në funksion të këtij qëllimi u zhvillua një bisedë telefonike ndërmjet presidentit të SHBA-ve, Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin. Sipas komunikatave zyrtare, të dy palët në parim e kanë pranuar mundësinë e një armëpushimi një mujor, si parakusht për bisedime për një paqe afatgjatë, por megjithatë ekzistojnë dallime të theksuara se si dy këto dy kryeqendra e shohin këtë skenar.
Sipas këndvështrimit të Kremlinit janë të rëndësishme të plotësohen një sërë pikash, sikur “kontrolli efektiv mbi një armëpushim të mundshëm përgjatë vijës së frontit, nevojën për të ndaluar mobilizimin e detyruar në Ukrainë dhe riarmatosjen e Forcave të Armatosura të Ukrainës”. Ndër të tjera, në këtë komunikatë thuhet se është “kushti kyç për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe për të punuar drejt zgjidhjes së tij përmes mjeteve politike dhe diplomatike duhet të jetë ndalimi i plotë i ndihmës së huaj ushtarake dhe i ndarjes së informacioneve të inteligjencës me Kievin”.
Ndërkohë, sipas njoftimit të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, thuhet se “udhëheqësit janë pajtuar se lëvizja drejt paqes të fillojë me një armëpushim për energjinë dhe infrastrukturën, por edhe negociata teknike për zbatimin e një armëpushimi detar në Detin e Zi, një armëpushim të plotë dhe paqe të përhershme. Këto negociata do të nisin menjëherë në Lindjen e Mesme”. Po ashtu, në këtë komunikatë është potencuar diçka që mungon në atë të Kremlinit, sipas së cilës të dy liderët kanë ndarë “pikëpamjen se Irani nuk duhet të jetë kurrë në një pozitë për të shkatërruar Izraelin”.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian është zotuar edhe një herë se nuk do ta ndal ndihmën për Ukrainën, dhe se nuk do ta pranojë as një armëpushim që e parasheh këtë skenar. Se sa do të jetë një gjendje që BE-ja ta realizojë këtë premtim, nëse hipotetikisht suspendohet ndihma amerikane, mbetet të shihet? Ndonëse, siç është thënë, jo vetëm nga analistë, por edhe zyrtarë shtetërorë nga Blloku Evropian, që përkundër dëshirës, ky mision në rrethanat aktuale thuajse është i pamundur.
Mirëpo, në komunikatën e SHBA-ve, shihet qartë se shqetësim primar për të mbetet garantimi përfundimtar i sigurisë së Izraelit. Madje nuk është e rastësishme që bisedat për Ukrainën po zhvillohen në Arabi Saudite.
Dhe në këtë kontekst, ky afrim me Rusinë ka bëjë edhe me motivin për ta përçarë bashkëpunimin ndërmjet Teheranit dhe Moskës, i cili është sforcuar tej mase, sidomos pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Këtu nuk duhet harruar faktin se para pak dite, vetë Presidenti Trump i ka kërkuar regjimit të Iranit të kthehet në tavolinën e bisedimeve për eliminim e programit të saj bërthamor, në të kundërtën do të përballet me pasoja. Kurse, kohë më parë, gjatë një vizite në rajon, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e kishte definuar Iranin si kokën e Oktapodit prapa çdo akti destruktiv. Deri më tani, përjashto dy rastet e njohura të shkëmbimit të drejtpërdrejt me raketa në mes Izraelit dhe Iranit, i pari ka qenë i fokusuar kryesisht në dëmtimin e atyre që quhen si forca proxy të Iranit, por pa fshehur ambicien për ta goditur të këtë fundit, si parakusht për krijimin një balance të re pushtetit në Lindje të Mesme. Në anën tjetër, kohën e fundit edhe SHBA-të, i kanë filluar një sërë sulmesh masive ndaj grupit rebel Huthi në Jemen i mbështetur nga Irani, për shkak të rrezikut që është duke e pozuar ky grup si ndaj ekonomisë ndërkombëtare me sulmet e tij ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, ashtu edhe ndaj Izraelit që pas rifillimit të luftimeve në rripin e Gazës
Pra duket që përpjekja amerikane për ta përmbyllur sa më shpejt krizën ne Ukrainë është e lidhur me hapjen e një tjetre në Lindje të Mesme. /TV Arbëria