Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Teknologji > A do të ndalohet TikTok-u në Kosovë?

A do të ndalohet TikTok-u në Kosovë?

Tik – Tok-u është padyshim njëri nga rrjetet sociale më të përdorura në gjithë botën ku përjashtim nuk bën as Kosova.

Përdoruesit e kësaj platforme kryesisht janë adoleshentët, e ku mosha minimale e përdorimit sipas disa statistikave është 13 vjeç, megjithatë përdoret edhe nga moshat më të reja.

Krenare Sogojeva – Dermaku komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi ka thënë e kanë arritur që t’i përkthejnë politikat e privatësisë në gjuhën shqipe që nuk i ka pasur Tik –Tok-u e që sipas saj, është një kriter ligjor që duhet të zbatohet.

Ndërsa, Mentor Hoxhaj drejtor i Organizatës për Siguri Kibernetike dhe Privatësi në Kosovë ka thënë se shfrytëzuesit e Kosovës janë mjaft të rrezikuar sa i përket keqpërdorimit të mundshëm të të dhënave të tyre.

“Kosova është vend evropian i cili është duke zbatuar rregullativën evropiane që është rregullorja e përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave personale e në fakt që është transformim i kësaj rregullore në ligjin tonë për mbrojtjen e të dhënave personale. Normalisht të gjitha standardet të cilat vendosin në nivelin evropian që zbatojnë këtë rregullativë do të thotë ato shtete që zbatojnë këtë rregullativë evropiane edhe ne i kemi instaluar ato standarde në sistemin tonë. Për sa i përket çështjes së Tik -Tok-ut ne kemi filluar komunikimin qysh se në vitin 2022 me Tik –Tok-un. Kemi arritur që t’i përkthejmë politikat e privatësisë në gjuhën shqipe që nuk i ka pas Tik –Tok-u e që është një kriter ligjor që me patjetër duhet të zbatohet. Kjo është e para dhe e dyta është që ne kemi arritur që moshën që ka pas Tik- Tok-u për qasje 13 vjeçare ta harmonizojmë me legjislacionin tonë që është mosha e rritur mosha 16 vjeçare, prandaj edhe në rastet e hapjes, mbylljes qëndrimi jonë si agjenci në fakt do jetë krahas vendimeve dhe standardeve që bën edhe Bashkimi Evropian me vendet e Evropës meqë edhe e zbatojmë të njëjtën rregullativë ligjore”, ka thënë Sogojeva.

Sogojeva më tej ka theksuar se edhe pse më parë nuk kanë pasur informacione rreth kësaj çështje, janë në komunikim me Tik –Toku-n për ta parë mundësinë e një ndërlidhësi zyrtar dhe çështja se a do të ndalohet Tik Toku apo jo nuk është çështje që i përket agjencisë.

Ne nuk kemi pas asnjë informacion deri më tani rreth kësaj çështje. Ne politikat i vendosim varësisht në atë së si do veprojë edhe Bashkimi Evropian. Ne jemi në komunikim me Tik –Toku-n njëherë përnjëherë për ta parë mundësinë e një ndërlidhësi zyrtar dhe çështja se a do të ndalohet Tik Toku apo jo nuk është çështje që i përket agjencisë por është çështje e nivelit të institucioneve shtetërore të gjithave bashkë normalisht ne si agjenci i japim edhe rekomandimet tona për shkeljet e mundshme të të dhënave personale që mund të ndodhin nga përdorimi i kësaj platforme”, ka thënë Sogojeva.

Se si janë procedurat e mbylljes dhe se a jemi ne si shtet në një stad kur vërtetë duhet të mbyllet, ose jo platforma Tik-Tok, Sogojeva-Dermaku ka thënë se kjo vendoset në nivele shumë të larta.

Varësisht se si do i orientojmë politikat d.m.th nëse do të jetë politikë shtetërore që të mbyllet ajo mund të ndodh vetëm mbi bazën sa merr kohë procedura administrative e mbylljes së saj. Mirëpo këtë nuk mund ta them dhe nuk e marr kompetencën ta them mbylljen ose hapjen sepse është çështje e cila kërkon trajtim është çështje e cila po ashtu para së gjithash në këndvështrimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi ne duhet t’i shohim standardet e krijuara evropiane rregullativën e njëjtë që e zbatojnë dhe jo standardet që krijohen nga vendet e tjera siç është Austalia apo Amerika sepse ata edhe kanë rregullativë tjetër ligjore dhe kanë standarde tjera të krijuara. Por nëse do vihet në pyetje siguria kombëtare ashtu siç e ka paraparë edhe Amerika dhe duke pas parasysh gjendjen tonë si Kosovë dhe rrezikun që mund ta kemi ajo do jetë pastaj çështje tjetër e trajtimit që jo domosdo duhet të presim se çfarë bëjnë vendet evropiane. Por gjithsesi përsëri edhe kjo do jetë çështje që nuk vendoset nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, por do të vendoset në nivele shumë të larta”, ka thënë Sogojeva.

Sogojeva ka treguar se Kosova nuk e ka domenin e saj në këtë platformë dhe se përgjegjës për të dhënat personale që mblidhen përmes kësaj platforme për Kosovë është Singapori. Ajo ka apeluar për kujdes pasi që sipas saj, në aspektin e të dhënave personale gjithherë çdo platformë e ka rrezikun e vetë.

Kosova nuk ka domenin e saj, atëherë në komunikimet që i kemi me përfaqësues të Tik- Tok-ut përgjegjës për të dhënat personale që mblidhen përmes kësaj platforme në Kosovë është Singapor. Tash mund ta merrni me mend se kush kontrollon të dhënat tona personale një vend i tretë me të cilin nuk kemi kurrfarë komunikimi me ta. Përveç politikave të privatësisë që i kanë absolutisht, ne nuk jemi as ndërlidhës dhe nuk është lehtë e kontrollueshme. Kjo i takon përsëri pjesës më shumë kibernetike mirëpo në aspekt të mbrojtjes së të dhënave personale gjithherë çdo platformë që përdoret e ka rrezikun e vetë. Mirëpo është shumë me rëndësi që qytetarët të jenë të zhvilluar në njohuritë se kujt po i ofrojnë të dhëna dhe çfarë të dhëna po i ofrojnë se zakonisht keqpërdorimi na ndodh nga vetë individët d.m.th nga vetë qytetarët në mënyrën se si i përdorin, çfarë plasojnë aty, çfarë të dhëna i japin dhe jo vetëm të Tik –Tok-ut por edhe të gjitha platformat tjera sociale”, ka thënë Sogojeva.

Ndërsa, Mentor Hoxhaj drejtor i Organizatës për Siguri Kibernetike dhe Privatësi në Kosovë ka thënë se shfrytëzuesit e Kosovës janë mjaft të rrezikuar sa i përket keqpërdorimit të mundshëm të të dhënave të tyre.

“Në përgjithësi shfrytëzuesit fundor të Kosovës janë mjaft të rrezikuar sa i përket keqpërdorimit të mundshëm të të dhënave të tyre dhe keqpërdorimeve të ndryshme sa i përket mashtrimeve të cilat janë mjaft aktuale momentalisht në hapësirën digjitale. Duhet të kuptojmë se Kosova nuk ka ndonjë pozicion të veçantë sa i përket rrjetit social Tik- Tok apo edhe rrjeteve tjera sociale. Këtë e them duke pasur parasysh se shtetet në kuadër të Bashkimit Evropian dhe ShBA-të kanë marrëdhënie speciale me rrjetet sociale dhe në kuadër të kësaj mund të marrin edhe vendime të cilat kanë impakt të drejtpërdrejtë në rrjetet e veçanta sociale”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka shtuar po ashtu se përdoruesit e Tik-Tok-ut në Kosovë janë duke u ekspozuar jo vetëm ndaj materialeve të rrezikshme por rreziqeve të mëdha të cilat janë momentalisht në këtë rrjet social.

“Impaktin në rrjetin social Tik Tok dhe rrjete tjera sociale duhet ta shohim në disa dimensione. Duhet ta shohim në dimensionin e privatësisë dhe sigurisë. Në total kur rrjeti social Tik –Tok, e kam theksuar dhe vazhdoi ta theksojë, se është një rrjet social i cili vazhdoj ta theksojë, që është një rrjet social i cili realisht nuk ofron ndonjë nivel të duhur të sigurisë dhe privatësisë të të gjithë shfrytëzuesve të saj. Në këtë drejtim shfrytëzuesit kosovarë janë duke u ekspozuar jo vetëm materialeve të rrezikshme por edhe duke iu ekspozuar rreziqeve të mëdha të cilat janë momentalisht në rrjetin social Tik -Tok. E keqja më e madhe në hapësirën digjitale respektivisht në rrjetin social Tik- Tok është sepse kemi mjaft materiale të cilat nuk do duhej të ishin ku në të kaluarën e afërt i kemi pasur vetëm në Dark Web gjersa këto ekspozohen mjaft hapur. Edhe aktivitetet ilegale të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejtë jo të mirë tek qytetarët si në ofrimin e këtyre shërbimeve në pranimin e këtyre shërbimeve dhe në kulturën e cila është një hapësirë digjitale ku shfrytëzuesit sidomos të rinjtë mund të mendojnë se hapësira digjitale ofron mundësi edhe për aktivitete ilegale kjo ka një impakt jo të mirë në kulturën e shfrytëzuesve të rrjetit social Tik Tok”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka theksuar se të gjithë shfrytëzuesit e rrjetit social Tik Tok janë brenda të njëjtës hapësirë digjitale. Sipas tij ky rrjet i ka të gjitha të dhënat e shfrytëzuesve të saj dhe ka qasje në pajisjen e teknologjisë informative të cilat mund të keqpërdoren.

“Tik –Tok-u është një shtet autoritar si Kina dhe të dhënat e saj mund të shfrytëzohen nga shteti autoritar kinez. Rrezikimet të cilat ekspozohen tek të gjithë shfrytëzuesit e Tik- Tok-ut dhe mos marrja e vendimeve sa i përket mbrojtjes së privatësisë së papërshtatshme e cila është në hapësirë te Tik –Tok-u ka pasur një efekt të madh i cili ka marrë një veprim të themi kushtimisht nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Brenda BE-së kemi një vendimmarrje në kuadër të BE-së që zyrtarët e saj mos të shfrytëzojnë rrjetin social Tik –Tok. Në kuadër të shteteve të BE-së kemi shtete të veçanta të cilat kanë marrë vendime për ndalimin e tyre. Së fundmi kemi edhe një vendim të presidentit Biden i cili është i diskutueshëm, të themi i debatueshëm sepse përfundimisht do të vendoset brenda vitit dhe kemi një betejë tani në nivel të ShBA-së se a do ndalohet plotësisht apo nuk do ndalohet pikërisht për shkak të shqetësimeve të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejt me privatësinë dhe sigurinë e të dhënave të cilat posedohen momentalisht nga rrjeti social Tik Tok”, tha Hoxhaj për Ekonomia Online.

Themes by WordPress